Shtrenjtimi i punimeve bujqësore lë djerre edhe fushën e Myzeqesë
Rritja e kostos së punimeve bujqësore ka shtuar sipërfaqet e tokës djerrë edhe në Myzeqe, pikërisht në zonën që dikur quhej "hambari i Shqipërisë". Fermerët e Qarkut të Fierit janë në vështirësi për mbulimin e shpenzimeve që kërkohen për punimet e ndryshme të tokës bujqësore. Pasiguria dhe vështirësia e jetës shkon deri aty sa që fermerët i lënë djerrë sipërfaqet e tokës që kanë në pronësi, pasi çmimet e punimeve janë rritur ndjeshëm, ndërkohë që të ardhurat janë të pakta. Fermerët e qarkut të Fierit pohojnë se jetesa e tyre sigurohet falë fëmijëve në emigracion, ndërsa toka bujqësore me kushtet e sotme nuk ka perspektivë. Duke u nisur prej punimit të tokës me mekanikën bujqësore është rritur çmimi i tyre për dynym, duke shkuar në 1200 lekë, nga 1000 lekë që ka qenë më parë. Në të njëjtën kohë farërat dhe pesticidet janë shtrenjtuar me 10 për qind, çka e bën më të vështirë shërbimin ndaj tokës bujqësore. "Fermerët fierakë ndihen shumë të dobët. Nuk e punojnë dot tokën dhe veç ndonjë tek-tuk arrin ta përballojë me këtë çmim që është sot. Të punosh tokën me 12000 lekë dynymin, nuk arrin dot të hash bukë më pas. Edhe farërat dhe pesticidet janë shtrenjtuar. Plehu kushton 70 mijë lekë, freza kushton 80 mijë, ndërsa diskimi 10 mijë lekë", thotë Llazi Semanjaku, fermer në Fier, i cili uron të jenë mirë e të kenë punë fëmijët që i ka në emigracion. Sipas të dhënave nga Prefektura e Fierit, aktualisht sipërfaqja e tokës së punuar në Qarkun e Fierit nuk është më e madhe se 60 për qind.