Prokuroria kërkon 20 vjet burg për David Braun
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 20 vjet burg për britanikun, David Braun, i cili akuzohet për pedofili. Pretenca është paraqitur dje nga organi i akuzës, në seancën e zhvilluar gjatë pasdites në Gjykatën e Tiranës. Kjo seancë zgjati rreth dy orë dhe prokurori i çështjes rindërtoi të gjithë ngjarjen dhe abuzimet e 60-vjeçarit me fëmijët në qendrën, që ai drejtonte në Tiranë, të quajtur "Fëmijët e tij". Prokurori i çështjes paraqiti dje faktet, ku, sipas tij, në të paktën në dy raste, David Braun ka abuzuar me të miturit, të cilët ai i strehonte në qendër. Teksa akuzohej për abuzime seksuale me të mitur, disa herë Braun është përpjekur t‘i hedhë poshtë këto akuza, madje duke paraqitur edhe raporte, ku ai rezultonte impotent. Por video-konferencat me të mitur kanë hedhur dritë mbi dramën brenda qendrës në Tiranë, ku veç tij kanë abuzuar dhe dy britanikët e tjerë, Dino Kristodoulu dhe Robin Arnold. David Braun u vu në pranga në maj të vitit 2006. Skandali u zbulua pas arrestimit të një të mituri, i cili dyshohej për vjedhje. Teksa po e merrnin në pyetje, oficerët e policisë zbuluan se në qendrën ku strehohej i mituri ishte abuzuar seksualisht. Ndërkohë, prokuroria pritet të shprehet në ditët në vijim edhe për dy britanikët e tjerë.