Bie niveli në kaskadën e Drinit, prodhohet më pak energji

Kaskada e lumit Drin është në nivelin më të varfër të ujit ndër vite. Nga 207 m3 për sekond që është mesatarja e ujit që sjell ky lum në Fierzë ka zbritur në 35 m3 për sekond . Një rënie drastike që jep alarmin për prodhimin e energjisë në sezonin e dimrit. Të dhënat për nivelin e ujit në një prej hidrocentraleve kryesore të vendit janë bërë publike prej Korporatës Energjitike Shqiptare.
Kjo situatë me prurje kaq të pakta në Fierzë ka ardhur si rezultat i reshjeve të pakta gjatë muajve të fundit. Prodhimi i paktë i energjisë ka detyruar KESH që të importojë energji elektrike për të plotësuar nevojat në vend. Aktualisht bëhet me dije se po importohet 17.5 milion-kilovatorë.
Nga e gjithë sasia e energjisë e cila importohet rreth 13.5 milion energji e siguron KESH dhe pjesën tjetër e siguron kompanaia CEZ shpërndarje. Importi i energjisë elektrike realizohet edhe me idenë për të mbrojtur rezervat në Fierzë në rast se moti i thatë vazhdon edhe për disa javë.
Niveli i ujit në Fierzë ndërkohë është në nivelin e 259.5 metrave. Shqipëria konsumon rreth 20 milion kw energji elektrike dhe mungesa e reshjeve ka detyruar KESH që pjesën më të madhe të energjisë elektrike për të cilën ka nevojë vendi ta marrë prej vendeve fqinje.
Vendi ynë e siguron pjesën më të madhe energjitike e siguron prej HEC-eve fakt që e bën mjaft të lidhur sistemin tonë energjitik me nivelin e reshjeve.Viti i kaluar ka qenë një ndër vitet më të mbara për prodhimin e energjisë elektrike pasi edhe reshjet kanë qenë të shumta.