Bie standardi i 72-shit, si do ndryshojë shqipja

Prej ditës së djeshme, për të parën herë pas 20 vitesh, u arrit një përpjekje e heshtur për të gjitha plagët që shqipja kishte nga “gjuha e njësuar” e Kongresit të Drejtshkrimit të ’72-shit...
Prej ditës së djeshme, për të parën herë pas 20 vitesh, u arrit një përpjekje e heshtur për të gjitha plagët që shqipja kishte nga “gjuha e njësuar” e Kongresit të Drejtshkrimit të ’72-shit, e cilësuar tashmë botërisht si arritje me dhunë shtetërore nga diktatura.
Zhdukja e gegnishtes zyrtarisht, ishte preja më e dukshme, pas së cilës u ekzekutuan shkrimtarët gegë, bashkë me veprën e tyre.
Pikërisht me gegnishten ka të bëjë një prej përfundimeve më të rëndësishme që dolën nga konferenca shkencore “Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit”: të studiohet mundësia e integrimit të paskajores gege në standardin e shqipes. Kjo formë foljore përbënte nyjën më të fortë të lidhjes së shqipes me këtë dialekt, që u mohua e u transformua nga Kongresi i Drejtshkrimit, duke e “përkthyer” në toskërisht. Personalitetet që përbënin Komisionin Shkencor të Konferencës, të cilët firmosën përfundimet, ishin: prof. dr. Ardian Marashi, kryetar; Akademik Kolec Topalli, anëtar; Akademik Ethem Likaj, anëtar; prof. dr. Imri Badallaj, anëtar; prof. as. dr. Valter Memishaj, anëtar.
E para konferencë shkencore e mbajtur në këtë rast për të rishikuar standardin dhe sfidat e gjuhës sot është mbyllur dje, duke nxjerrë disa përfundime unanime nga një grup gjuhëtarësh të mbledhur në Durrës, përfundime që politikisht duken të guximshme, duke lënë jashtë, ndier kjo, grahmat e fundit të mendësisë komuniste që mbajtën tabu në këta 20 vjet çështjen më delikate mbi gjuhën. Prej datës 15-18 dhjetor, organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Instituti i Gjuhësisë e Letërsisë, ky takim është parë në dy anë; jo vetëm se vinte vonë si nismë për proceset e zhvillimit të gjuhës sot, por edhe për staturën e gjuhëtarëve të palëkundur në idenë e “gjuhës së njësuar”, disa emra të cilët munguan në konferencën e djeshme, por ishin edhe firmëtarë të ‘72-shit.
Çfarë Kongresi i Drejtshkrimi kishte quajtur si punë të përfunduar, konferenca shkencore e mbajtur në Durrës mund të quhet historike, duke lënë shqipen të hapur që proceset e zhvillimit të saj të ndodhin, e jo të diktohen apo të përjashtohen dialektet. Pas 50 vitesh diktaturë, për herë të parë, shqipja lihet e hapur për t’u pasuruar nga prurjet e dy dialekteve, e sidomos nga leksiku i dialektit të persekutuar, gegë. Përfundimi tjetër: “Leksiku i standardit të shqipes të jetë i hapur ndaj prurjeve nga dialektet, sidomos nga dialekti gegë dhe nga autorët e traditës letrare në këtë dialekt. Të vazhdojë puna për pasurimin e leksikut me krijime të reja sipas gjedheve fjalëformuese të shqipes, si dhe për pastërtinë ndaj huazimeve të panevojshme”.
Përfundimi tjetër: “Është e nevojshme që të shqyrtohen më tej disa rregulla të drejtshkrimit, me qëllim njësimin e tyre dhe shmangien e konflikteve të krijuara si pasojë e zbatimit të dy parimeve të ndryshme njëherësh (atij fonetik dhe atij morfologjik). Në mënyrë të veçantë, drejtshkrimi i zanores ë ka nevojë për rishqyrtim”.
Komisioni Shkencor i Konferencës në një njoftimin për mediat ka deklaruar se “konferenca i mbylli punimet me sukses” dhe se “në perspektivën e përfundimeve më sipër, duhet vijuar me studime të thelluara për çështje të veçanta, si dhe duhen gjetur mënyrat dhe mundësitë që puna e nisur të vazhdojë në mënyrë periodike, në përputhje edhe me porosinë e dalë nga Kongresi i Drejtshkrimit, në të cilin u sanksionua kodi normativ i shqipes: “Struktura e sotme e gjuhës letrare është e hapët e do të mbetet e tillë. Përndryshe, zhvillimi i gjuhës letrare do të ndërpritej. Ai që ne quajmë ‘kristalizimi përfundimtar i normës’ në të vërtetë nuk është kurrë përfundimtar, i përjetshëm, statik; ai duhet kuptuar si vendosje e një qëndrueshmërie tipike, por relative të normës, e cila është dinamike, zhvillohet e përsoset”.
Përdorimi i shqipes në këta 40 vjet ka ngritur edhe nevojën që shqipja ashtu si të gjitha gjuhët e lëvruara duhet t’i nënshtrohet periodikisht një shqyrtimi shkencor “lidhur me funksionimin e sistemit në të gjitha segmentet”.
Pas këtyre përfundimeve të rëndësishme ka qenë e natyrshme që gjuhëtarët të dalin dhe në përfundimin vijues e natyral për gjuhën shqipe se “nxënia e shqipes në shkollë, në të gjithë hapësirën shqiptare, ka shfaqur vështirësi dhe probleme, ndaj propozohet përmirësimi i kurrikulave, i teksteve, i metodave të mësimdhënies, si dhe aftësimi i mëtejshëm i mësuesve të gjuhës amtare”.
Debati që provokoi kjo konferencë organizuar nga QSA, duke çuar politikisht shumë gjëra në vend, nga humbja jo vetëm në kohë, por dhe në pasuri të shqipes me mohimin e gegnishtes, ka rezultuar pjellor, “i cili e pasuron mendimin gjuhësor shqiptar dhe hap perspektiva studimore e kërkimore të domosdoshme për etapën e sotme të zhvillimit të shqipes”. Dhe kjo ka të vërtetën brenda, pasi në këto vite ka nisur gjallimi i një letërsi të qartë veriore, shkruar në gegnisht, duke u deklaruar prej shkrimtarëve të saj si një proces natyral, sfidues edhe pse ky dialekt ka pësuar deformime.
Konferenca shkencore “Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit”, e organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë, me pjesëmarrjen e specialistëve nga tërë hapësira shqiptare. Konferenca u zhvillua në pesë sesione. Në secilin sesion u paraqitën dy referate që sollën trajtime të thelluara të temës së sesionit, si dhe një numër prej pesë deri shtatë kumtesash që u përqendruan në problemet e veçanta. Mbi referatet dhe kumtesat e paraqitura në sesione u zhvilluan diskutime në përfundim të çdo sesioni, në të cilat diskutuesit sollën argumentet e tyre në mbrojtje, në kundërshtim, ose në specifikim të problemeve të veçanta.
Pesë sesionet patën përkatësisht këtë tematikë: I - Historia e formimit të standardit. Standardi dhe legjislacioni; II - Probleme gramatikore të standardit; III - Probleme të drejtshkrimit dhe të pasurimit të standardit; IV - Marrëdhëniet e standardit me dialektet. Norma leksikore; V - Standardi dhe norma letrare (letërsia, shkolla, mediat).
“Konferenca i zhvilloi punimet në frymën e një debati konstruktiv dhe bashkëpunues, i karakterizuar nga profesionalizmi shkencor dhe, përgjithësisht, nga interesi për të dëgjuar argumentet e kolegëve dhe për të qenë i hapur ndaj tyre”. Ky takim në Durrës i gjuhëtarëve dhe specialistëve nga Shqipëria dhe Kosova për herë të parë u mbyll në një mendje: rishikimin dhe pasurimin e standardit, duke firmosur përfundimet e mëposhtme, që i botojmë të plota.
Konferenca arriti në përfundimet e mëposhtme:
1) Megjithëse u vendos në një epokë të ngarkuar me ideologji dhe me mungesë të lirisë shkencore, standardi gjatë gjithë këtyre viteve e ka dëshmuar vlefshmërinë e tij.
2) Praktika e përdorimit të shqipes standarde në këta dyzet vjet dëshmon se shqipja, ashtu si të gjitha gjuhët e lëvruara, ka nevojë që t’i nënshtrohet periodikisht një shqyrtimi shkencor lidhur me funksionimin e sistemit në të gjitha segmentet.
3) Është e nevojshme që të shqyrtohen më tej disa rregulla të drejtshkrimit, me qëllim njësimin e tyre dhe shmangien e konflikteve të krijuara si pasojë e zbatimit të dy parimeve të ndryshme njëherësh (atij fonetik dhe atij morfologjik). Në mënyrë të veçantë, drejtshkrimi i zanores ë ka nevojë për rishqyrtim.
4) Të rishikohet përdorimi i shkronjës së madhe, drejtshkrimi i emrave të huaj të përveçëm, si dhe drejtshkrimi i toponimeve.
5) Leksiku i standardit të shqipes të jetë i hapur ndaj prurjeve nga dialektet, sidomos nga dialekti gegë dhe nga autorët e traditës letrare në këtë dialekt. Të vazhdojë puna për pasurimin e leksikut me krijime të reja sipas gjedheve fjalëformuese të shqipes, si dhe për pastërtinë ndaj huazimeve të panevojshme.
6) Të thellohet puna për begatimin, njësimin dhe kodifikimin e terminologjisë në të gjitha fushat.
7) Në sistemin morfologjik, të rishqyrtohet formimi i shumësit të emrave, për një saktësim të mëtejshëm paradigmatik, duke synuar njësimin dhe shmangien e përjashtimeve të shumta.
8) Të studiohet mundësia e integrimit të paskajores gege në standardin e shqipes.
9) Studimet dhe hulumtimet të jenë të hapura edhe në fushën e sintaksës.
10) Nxënia e shqipes në shkollë, në të gjithë hapësirën shqiptare, ka shfaqur vështirësi dhe probleme, ndaj propozohet përmirësimi i kurrikulave, i teksteve, i metodave të mësimdhënies, si dhe aftësimi i mëtejshëm i mësuesve të gjuhës amtare.
11) Në konferencë u shfaqën edhe shumë mendime e teza të veçanta lidhur me standardin dhe me përdorimin e shqipes. Konferenca dëshmon se debati për çështjet e normës së shqipes dhe të përdorimit të saj është një debat pjellor, i cili e pasuron mendimin gjuhësor shqiptar dhe hap perspektiva studimore e kërkimore të domosdoshme për etapën e sotme të zhvillimit të shqipes.
12) Krijimi i Këshillit Mbarëshqiptar për Gjuhën, me statusin e personit publik, mund të jetë një rrugë e mirë për t’u gjetur zgjidhje çështjeve të rëndësishme të politikave gjuhësore, të planifikimit të gjuhës dhe të strategjisë për zhvillimin dhe mbrojtjen e shqipes.
Komisioni Shkencor i Konferencës:
Prof. dr. Ardian Marashi, kryetar
Akademik Kolec Topalli, anëtar
Akademik Ethem Likaj, anëtar
Prof. dr. Imri Badallaj, anëtar
Prof. as. dr. Valter Memishaj, anëtar