Bashkia e Tiranës, shpenzime të panevojshme në emër të autobusëve të rinj

Megjithatë, kryeqytete si Parisi dhe Londra kanë përqendruar energjitë e tyre në autobusë me burime të tjera për lëvizjen, kryesisht gaz të lëngshëm dhe energji elektrike, të cilat nuk ndotin aspak mjedisin
Në kohën kur në kryeqytetet kryesore të Evropës, autobusët që përdoren për transportin publik janë ose me gaz të lëngshëm ose me energji elektrike, Bashkia e Tiranës vijon “traditën”, duke blerë 50 autobusë të rinj me naftë. I kontaktuar nga “standard”, drejtori i Transporteve në bashki, z. Enton Punavija tha se këta autobusë janë ekologjik, pasi kanë standardin “euro 5”, që ul ndotjen në mjedis. Megjithatë, kryeqytete si Parisi dhe Londra kanë përqendruar energjitë e tyre në autobusë me burime të tjera për lëvizjen, kryesisht gaz të lëngshëm dhe energji elektrike, të cilat nuk ndotin aspak mjedisin. Për më tepër, në kushtet e një buxheti të vogël siç ka vendi ynë, gazi është shumë herë më i lirë, por sërish këta autobusë janë me naftë duke dëmtuar xhepat e gjithë qytetarëve të Tiranës që i mirëmbajnë nëpërmjet taksave të tyre.
Shpenzimet
Buxheti i lartë që kërkojnë për mirëmbajtjen këta lloj autobusësh, po rrit dita ditës edhe “oreksin”. Duke kërkuar herë pas here me anë të protestave rritjen e çmimit të biletave, e ardhur kjo pikërisht për shkak të zgjedhjeve të një alternative të gabuar. Madje vetëm dy muaj pas daljen në qarkullim autobusët kanë fikur kondicionerët. Një tjetër masë kjo e marrë për reduktimin sa më të shumtë të shpenzimeve, edhe pse nga kryebashkiaku Rama asokohe u trumbetua blerja e autobusëve me kondicioner.
Deri tani vetëm tri linja kanë autobusë të rinj me kondicioner, 11 të blerë për Tiranën e Re, 30 për Unazën dhe 10 për Porcelanin. Ndërkohë që për 9 linjat parashikohet blerja e 155 autobusëve të tillë brenda vitit 2011 duke bërë që të gjitha linjat e shërbimit do të bëjnë rinovimin 100% të mjeteve ekzistuese.
Shërbimi
E megjithatë shërbimi ka mbetur në të njëjtat nivele, kështu të shumtë janë edhe qytetarët që përdorin këtë shërbim dhe mbesin rrugëve në pritje deri treçerek ore në stacione duke arritur vonë në destinacionin e tyre. Cilësia e shërbimit është në të njëjtat nivele edhe pse kostot janë më të larta. JO vetëm kaq por pranë këtyre linjave lulëzojnë edhe fenomene të tjera, si vjedhja dhe ngacmimet të cilat nuk mbikëqyren nga kamerat e instaluara në autobus, pasi filmimet e tyre nuk këqyren nga asnjëri. Në këtë mënyrë edhe nëse ndodh një vjedhje apo ngacmim sërish ato do të kalojnë pa u vënë re.