E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthehen vizitorët e parë të BE-së

50 qytetarët e parë kanë udhëtuar së bashku me ministrin Basha pa viza në hapësirën e zonës Shengen. Udhëtimi i tyre përfshiu takime në institucionet evropiane në Bruksel dhe një...

Rikthehen pas turit nëpër Evropë 50 shqiptarët që dolën të parët jashtë kufijve të Shqipërisë pa pasur nevojën e një vize. Qytetarët pjesa më e madhe studentë, së bashku me ministrin e Brendshëm z. Lulzim Basha, duke qenë të parët që udhëtuan në kushtet e lëvizjes së lirë për shqiptarët në zonën Shengen, ata vizituan së pari selinë e Komisionit Evropian.

Dita e parë

Nisja e tyre është bërë në orët e para të mëngjesit të së mërkurës nga Rinasi për në Bruksel. Takimi i parë u zhvillua me drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit, z. Pierre Mirel, shefin e Njësisë për Marrëdhëniet me Jashtë në Komisionin për Çështjet e Brendshme, z. Luigi Soreca dhe përfaqësuesin e Presidencës Belge të BE-së, z. Melcior Wathelet. Duke e cilësuar si një provë e mirëbesimit që Evropa ka për Shqipërinë për liberalizimin e vizave z. Pierre Mirel u shpreh: “Shfrytëzojeni në mënyrën më të mirë këtë liri lëvizjeje që të dëshmoni se ne kishim të drejtë që dhamë mirëbesimin për Shqipërinë, që vendosëm komunikim më të mirë mes Shqipërisë dhe Evropës, pasi kjo është në interes të të dyja palëve”.
Ministri Basha duke shprehur falënderimin për mbështetjen që institucionet e Bashkimit Evropian i dhanë procesit, theksoi se me lëvizjen e lirë dimensioni i risiguruar evropian i shqiptarëve do të sjellë një kontribut pozitiv të kombit shqiptar për Evropën. “Kemi kaluar një rrugë të gjatë, të vështirë e me pengesa, por tani ndjehemi të sigurt për të tashmen dhe të ardhmen evropiane të Shqipërisë”, - deklaroi ministri Basha. Më tej ai ka shtuar se e sheh si pozitive liberalizimin e vizave. “Me lëvizjen e lirë pa pengesa në pjesën tjetër të Evropës, ne do të sjellim përvojat, vlerat tona si harmonia fetare, toleranca dhe gatishmëria për të dhënë kontributin tonë për një Evropë Juglindore stabël brenda Bashkimit Evropian”, - ka shtuar ministri Basha.

Më pas në një nga sallat e punimeve të parlamentarëve evropianë në Bruksel, u zhvillua edhe një video-konferencë ku u mundësua një lidhje e drejtpërdrejtë me Strasburgun. Në këtë mënyrë vizitorët nga Shqipëria komunikuan me komisionerin për Zgjerimin të Bashkimit Evropian z. Stefan Fule, Presidentin e Parlamentit Evropian z. Jerzy Buzek, kryetarin e Delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Evropian z. Eduard Kukan dhe eurodeputetet znj. Doris Pack e Tanja Fajon.

Dita e dytë

Dita e dytë e turit pa viza u nis me një takim të posaçëm me komisioneren për Çështjet e Brendshme të Bashkimit Evropian, znj. Cecilia Malmstrom. “Lëvizja e lirë i dedikohet punës së madhe për përmbushjen e detyrimeve të caktuara. Janë kryer reforma të rëndësishme e të vështira për të arritur deri këtu”, - u shpreh Malmstrom, duke vlerësuar në veçanti punën e administratës shqiptare në këtë drejtim.

Ky udhëtim nuk ishte më i veçanti jo vetëm për grupin e udhëtarëve, por edhe për ministrin Basha, i cili pasi vuri në dukje se udhëtimi me grupin e qytetarëve në kushtet e lëvizjes së lirë ishte një nga udhëtimet më të bukura të tij në Evropë, nënvizoi se mundësia e lëvizjes së lirë rrëzoi edhe murin që ndante familjet shqiptare. “Për shqiptarët ky ishte një vendim kuptimplotë pasi muri i Shengenit nuk kishte ndarë thjesht Shqipërinë nga Evropa, por kishte ekzistuar edhe brenda familjeve tona për shkak të largimit të një numri të madh shqiptarësh për të punuar e jetuar në vendet e BE”, - tha ministri Basha.

Pas 2 orë udhëtimi me aeroplan, 50 qytetarëve shqiptarë kanë mbërritur në Romë, ku u pritën në takim nga ministri i Jashtëm i Italisë, z. Franco Frattini, një nga personalitetet më të rëndësishëm të Bashkimit Evropian, i cili ka mbështetur fuqimisht liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë. Duke vlerësuar reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për realizimin e detyrimeve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, ministri Fratini theksoi se kjo arritje e afron edhe më shumë Shqipërinë me Bashkimin Evropian. Ai ka ritheksuar edhe një herë se lëvizja e lirë nuk erdhi si dhuratë por si rezultat i reformave të ndërmarra nga Shqipëria për të përmbushur kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian. “Lëvizja e lirë është një hap shumë i rëndësishëm i Shqipërisë për integrimin e mëtejshëm në strukturat evropiane, hapin tjetër, që shpresoj ta arrijmë shpejt vitin e ardhshëm, është marrja e statusit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, - deklaroi z. Frattini.
Në këtë takim, ministri Basha ka falënderuar për mbështetjen që ministri Frattini ka dhënë për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, duke theksuar vullnetin e qeverisë shqiptare për të ndërmarrë çdo masë të nevojshme kundër abuzimeve të mundshme.
 “Për ne si autoritete shqiptare është një detyrim madhor që këtë liri të lëvizjes dhe të drejtë të mohuar që na u dha, ta mbrojmë me çdo kusht nga abuzimet, që Evropa dhe qytetarët e saj të mbeten të sigurt”, - tha Basha.
Vizita në muzeun “Capitolini”, në të cilin gjendet edhe salla ku u nënshkrua Traktati i Romës, në arkivën ku ruhen të gjitha dokumentet kryesore të Bashkimit Evropian, përmbylli udhëtimin e parë pa viza në zonën Shengen të 50 qytetarëve shqiptarë.

Lëvizje e lirë, vetëm dje 1215 shqiptarë në vendet Shengen

Edhe gjatë së premtes ka vijuar lëvizja e të shqiptarëve që kanë planifikuar të lëvizin drejt vendeve të BE-së me pasaportë biometrike. Pavarësisht kthimit të 43 personave për mungesë dokumentacioni në pikën kufitare të Kakavijës, procesi i lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë ka vijuar normalisht pa probleme në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Ndërkohë, nga shifrat që kanë nxjerrë autoritetet kufitare, gjatë ditës së djeshme kanë kaluar me pasaportë biometrike 1215 shtetas shqiptarë, nëpër pikat të ndryshme kufitare.

Nga burimet zyrtare të policisë së shtetit, bëhet e ditur se gjatë procesit të lëvizjes së lirë, pa viza, të qytetarëve shqiptarë, po vazhdon normalisht, me ritëm normal, në të gjitha vendet e zonës Shengen.

Nga Pika e Kalimit Kufitar Kakavijë numri i shtetasve që kanë udhëtuar me pasaportë biometrike deri në këto momente është 587, ndërkohë që nga autoritetet greke janë kthyer 43 shtetas, të cilët kanë pasur mangësi të dokumentacionit. Nga Pika e Kalimit Kufitar Rinas me pasaportë biometrike kanë kaluar 310 shtetas. Në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë kanë lëvizur me pasaportë biometrike 178 shtetas shqiptarë, ndërkohë që nga autoritetet greke janë kthyer 4 shtetas. Përmes Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Botë kanë lëvizur me pasaportë biometrike 22 shtetas. Në Pikën e Kalimit Kufitar Tre Urat kanë kaluar 20 shtetas me pasaportë biometrike, ndërkohë që nga autoritetet greke janë kthyer 11 shtetas. Nga Pika e Kalimit Kufitar Porti Durrës, me pasaportë biometrike kanë kaluar 48 shtetas, ndërkohë që janë kthyer 12 shtetas. Përmes Pikës së Kalimit Kufitar të Drejtorisë Rajonale të Kufirit e Migracionit Vlorë, me pasaportë biometrike kanë kaluar 47 shtetas shqiptarë, ndërkohë që janë kthyer 6 shtetas. Nga Pika e Kalimit Kufitar Porti Sarandë kanë kaluar 3 shtetas me pasaportë biometrike. Burime zyrtare nga departamenti i kufirit dhe migracionit në Policinë e Shtetit shprehen se “janë marrë të gjitha masat për një lëvizje normale dhe pa probleme të shtetasve shqiptarë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›