Bie tavani i lokalit të Fidel Yllit, objekt i hetimit “gabimi njerëzor”
Lokali prej nga dilnin ushqimet që ushqenin grevistët edvinistë të urisë ka rënë dje papritur, por ende s’është e qartë, nëse pronari ia ka bërë me hile edhe vetvetes, nga vesi për të grabitur suva e beton, apo është zbatim i drejtësisë hyjnore mbi ata që i bien në qafë shoqërisë
Bar restoranti i Fdel Yllit, i njohur ndryshe edhe me emrin “ëest”, te një nga dy kullat në Tiranë, ka prodhuar dje një tjetër lajm. Pas vënies në qendër të vëmendjes, për “kontributin” që ky lokal, mbajti në trajtimin sa më mirë të socialistëve të ngujuar në çadrat e pretenduara të urisë, duke vënë në dispozicion të tyre menynë më të pasur ushqimore, dje është mësuar se “ëest”-it i ka ndodhur një fatkeqësi, jo natyrore, por njerëzore.
Saktësisht bar restorantit të Fidel Yllit, i ka rënë tavani.
Dëshmitarët tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e tavanit të këtij lokali, është shkëputur dhe ka rënë për tokë. Të njëjtët dëshmitarë tregojnë, se për fat të mirë, nuk ka pasur të lënduar.
Deri në orët e vona të mbrëmjes së kaluar, mësohet se ende objekt hetimi i shkakut të rënies së tavanit, ishte pista e vetme, ajo e “gabimit njerëzor”.
Në këtë kontekst, si pjesë e hetimeve, ishte cilësia e lëndëve e materialeve të ndërtimit të përdorura, të cilat kanë dhënë efektet e tyre edhe te cilësia e dobët e punimeve.
Në morinë e “analizës” së cilësisë së lëndëve e materialeve të ndërtimit, efektet e të cilave janë “zhvendosur” te cilësia e punimeve, nuk mungonin “argumentet” sipas të cilave, në momentin e ndërtimit, të dy kullave, Fidel Ylli, në tentativë “për të vënë vetullat, ka nxjerrë sytë”. E thënë më ndryshe, ndërtuesi i dy kullave, Fidel Ylli, duke dashur tua hedhë klientëve, që kanë blerë ambiente te dy kullat, ka abuzuar me cilësinë e punimeve, sigurisht për të kursyer “kuletën” e tij. Për pasojë, duke mos e menduar gjatë ndoshta, se një nga këto ambiente do e mbante për vete, për ta shndërruar në bar restorant pelegrinazhi për ngujuesit e çadrave të partisë socialiste, hileja e tij me cilësinë e punimeve, i është kthyer në “bumerang”.
Pritet që hetimet të shtrihen më gjerë, për të verifikuar edhe cilësinë e punimeve të pjesës tjetër të dy kullave në qendër të Tiranës.