E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bie xhamia e Ramës, Bashkia: Do hartohet projekt i ri

Tashmë Xhamia e Re e kryeqytetit do të ndërtohet jo vetëm në vendin e propozuar, nga Komuniteti Mysliman, në sheshin e Namazgjasë, por edhe mënyra e projektimit do të mbajë firmën e tyre. Anëtarët e komisionit për Xhaminë miratuan propozimin e Komunitetit Mysliman dhe të ftojë arkitektet e propozuar prej tyre, për t`i intervistuar. Në këtë mbledhje u miratua edhe komisioni i përbërë nga 6 anëtarë, përfaqësues të Komunitetit Mysliman dhe të Bashkisë së Tiranës, që do të përgatisë termat e referencës për intervistën.
 

Gjatë mbledhjes anëtarët e komisionit për Xhaminë janë njohur me të gjitha projektet e sjella në konkursin e zhvilluar rreth një vit më parë. Pasi kanë parë propozimet e studiove, Andreas Perea Ortega; Architecture Studio; Search; Zaha Hadid Architects dhe BIG, e cila u shpall edhe fituese, anëtarët e Komisionit vendosën unanimisht, se në Tiranë duhet një projekt i ri për Xhaminë, e cila të përshtatet me truallin e ri ku do të ndërtohet si dhe të reflektojë trashëgiminë kuturore shqiptare, në dizajnin e saj.

Në këtë mbledhje, Komisioni u njoh edhe me propozimin e Komunitetit Mysliman, për angazhimin e një studio arkitekturore, për hartimin e projektit. Sipas përfaqësuesve të Komunitetit Mysliman, Kryearkitekti dhe drejtuesi i kësaj studioje, me një veprimtari 28 vjeçare Muharrem Hilmi Shenalp ka ardhur në Shqipëri dhe është njohur me truallin e Namazgjasë. Kjo studio ka projektuar xhami të ndërtuara në shumë vende të botës, si në Tokio (e cila ne 2002 është shpallur një ndër ndërtesat më të mira të saj), në Berlin dhe Këln, Gjermani, etj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›