E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bien çmimet e importit të energjisë elektrike

Në tenderin e zhvilluar nga OSSH për blerjen e energjse, të nevojshme për tremujorin e parë të vitit 2009 është ofruar çmimi më i ulët në tre vjet. Kështu OSSH pritet të blejë energjinë me 53 euro për Megavat nga 95 euro që ka qenë rekordi i këtij viti 

TIRANE- Çmimi i importit të energjisë ka rënë në 53 euro për MegaWat, çmimi më i ulët që prej tre vjetësh. Në tenderin e zhvilluar nga OSSH (Operatori i Sistemit të Shpërndarjes) për blerjen e 573 000 megavat orë energji për tremujorin e parë të vitit 2009 është ofruar çmimi më i ulët në tre vjet.

Në këtë tender morën pjesë 9 kompani. Sipas agjencisë së lajmeve “AEN” kompania fituese pritet të jetë EFT megjithëse zyrtarisht fituesi i tenderit shpallet në ditët e ardhshme.

Çmimi i importit të energjisë këtë vit ka arritur edhe çmimin rekord prej 95 euro për megavat, duke shkaktuar vështirësi serioze për buxhetin e shtetit. Ditën e hënë, Qeveria shqiptare aprovoi edhe një fond tjetër prej 26 milionë eurosh për sektorin e energjisë. Në fillim të këtij muaji, drejtori i OSSH-së, Seit Dollapi tha se kompania është në nevoja imediate për para.

OSSH është privatizuar nga grupi CEZ në 1 shtator, për 102 milionë euro, por menaxhimi nuk është transferuar ende në duart e pronarit të ri.

(O.Zhupa/ BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›