E Diel, 1 Nëntor 2026

“Bollano dhe qarqe greke po izolojnë Himarën nga Shqipëria”

Autori i Lajmit: red.
Zëvendëskryetari i LSI-së dhe kryetari i Grupit Parlamentar të saj, Pëllumb Xhufi, nëpërmjet një interviste publike, dhënë dje, ka zbardhur për herë të parë negociatat e disa ditëve më parë me kryetaren e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, për protestat e pronarëve në Himarë, antimitingun e Bollanos si dhe mocionin që LSI do të paraqesë në Parlament në sesionin e ri për kryetaren Topalli.

Ju provuat të takoni kryetaren e Grupit Parlamentar të PS-së, për Kodin Zgjedhor, edhe për çështje të tjera. Ndoshta, edhe një provë për të thyer akullin që ju ndan prej kohësh. A keni marrë një përgjigje apo ndonjë datë për t u takuar?

Ne shpresonim shumë që ky takim të bëhej, aq më shumë kur parashikohej që Kodi Zgjedhor të përfundonte brenda muajit korrik, të paktën kështu kishin deklaruar përfaqësues, qoftë të PD, qoftë të PS, për ta konkluduar këtë çështje brenda mbylljes së sesionit parlamentar të verës. Pra, kjo gjë nuk u arrit. Dhe në këtë sens, natyrisht, edhe për të ndërtuar një urë bashkëpunimi me Partinë Socialiste, e cila ka ecur në mënyrë të njëanshme gjatë gjithë kësaj kohe për çështje të reformave, veçanërisht të reformës elektorale, ne bëmë një kërkesë zyrtare, një ofertë për t u takuar dhe për të biseduar, në radhë të parë, për çështjet e Kodit Zgjedhor, që është edhe detyra më emergjente e politikës sot. Për fat të keq, megjithë ngacmimet dhe takimet informale që ne kemi bërë gjatë muajit të kaluar, nuk u arrit që të bëhej ky takim. Sigurisht, jo për fajin tonë. Përveç dy-tre takimeve informale, që kam pasur me kolegen time, zonjën Leskaj, ajo nuk u mandatua nga partia e saj për të bërë një diskutim zyrtar dhe formal për çështjet e shtruara. Kështu që u shty edhe afati i realizimit të Kodit. Ndërkohë oferta jonë është gjithmonë e hapur, shpresojmë që këto takime të realizohen me stinën e re, që fillon në shtator.

Bashkë me stinën e re a do të riaktivizohen edhe mocionet për zonjën Topalli?

Për këtë çështje, për fat të keq, unë nuk mund të them shumë, nuk jemi ne iniciatorët. Është Partia Socialiste ajo që e ka ndërmarrë një nismë të tillë dhe që ne e kemi mbështetur fuqishëm, pavarësisht nga raportet që ne kemi pasur këto kohët e fundit. E kemi mbështetur, pikërisht, pasi mendojmë se zonja Topalli është kthyer tashmë në një mallkim për vetë Parlamentin, për politikën shqiptare në përgjithësi, por edhe për vetë imazhin e Shqipërisë, qoftë edhe për konfliktet që ajo ka krijuar me partnerët tanë, përveçse me opozitën dhe me opinionin më gjerë. Pra, kemi shprehur përkrahjen tonë, në momentin kur u hodh kjo ide, e kemi nxitur dhe inkurajuar Partinë Socialiste që t i shkojë deri në fund kësaj nisme. Në momentin që Partia Socialiste, nuk mund ta ndërmarrë këtë apo në qoftë se Partia Socialiste na e beson neve këtë nismë, normalisht që mund ta marrim ne, natyrisht, duke pasur edhe garancinë e mbështetjes së Partisë Soclaiste, sepse një mocion është një lëvizje politike, por edhe që ka një qëllim. Qëllimi është që zonja Topalli të lëvizet nga vendi i saj dhe, që të lëvizet, duhet një shumicë votash dhe për të arritur këtë shumicë votash, garancia e parë do të ishte edhe vota e deputetëve të Partisë Socialiste.

A ishte realisht një përpjekje për zgjidhjen e halleve të pronarëve ajo e zotit Bollano, apo ishte një përdorim politik i problemeve?

Unë dyshoj shumë që zoti Bollano të ketë organizuar manifestimin e tij në mbrojtje të interesave të pronave të qytetarëve, të cilët ai administron dhe përfaqëson. Përkundrazi, mendoj se ai ishte një reagim dhe manifestim i organizuar nga Shoqata e Bregdetit, të cilat tashmë janë të pakënaqura dhe janë në dijeni edhe të fakteve të reja, të cilat implikojnë drejtpërdrejt zotin Bollano. Zoti Bollano, si kryetar i Bashkisë së Himarës, as në mandatin e parë dhe as në mandatin e dytë nuk e ka ngritur menjëherë problemin e pronave të himariotëve, përkundrazi është fare e qartë që është i interesuar ai dhe qarqet, që çështja e pronave në Himarë të ngelet e ngurtësuar, pra pronat e himariotëve të mos quhen në tregun normal të tokës si në çdo vend tjetër të Shqipërisë. Dhe për këtë arsye as nuk ka kërkuar, përkundrazi, ka penguar që pronat e himariotëve të hipotekohen nga ata, pra të kenë titujt e pronësisë. Kjo është gjendja në Himarë, himariotët nuk janë në gjendje të bëjnë veprime në tokat e tyre, me trojet që ata zotërojnë, pra të ndërtojnë, të shesin, të blejnë, sepse është bllokuar një gjë e tillë dhe me një synim fare të qartë pikërisht nga Zoti Bollano, i cili do ta mbajë peng Himarën. Ai do që ta mbajë Himarën një ishull të izoluar nga pjesa tjetër e Shqipërisë dhe një gjë të tillë ai e ka bërë të qartë dhe në deklaratat e tij të herëpashershme, ku pretendon që Himara duhet të ketë një status të veçantë, madje jep dhe identitete të ndryshme që nuk kanë të bëjnë me realitetin e vendit. Dhe për më tepër pretendon që të luajë një rol edhe në kuadrin ballkanik, ku bën deklarata që implikojnë dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet fqinje. Gjithsesi, gjykoj që ky njeri ka shkelur çdo masë, ka shkelur Kushtetutën dhe ligjet e këtij vendi dhe për një gjë të tillë më duket se është dhe në ndjekje penale. Ajo që ne do të kërkonim është që ligji të bënte detyrën edhe për zotin Bollano. Ajo që dua të theksoj dhe ajo që nuk më tigëlloi mirë, janë pikërisht thirrjet, pavarësisht gjuhës në të cilën ato u bënë, sepse gjuha ishte planifikuar që të ishte e tillë në mitingun e Bollanos, por ideja për të gjetur një zgjidhje për Himarën, të ndryshme nga çdo vend tjetër në Shqipëri, më duket krejt e paligjshme. Në Himarë do të veprojë ligji i shtetit siç vepron në të gjithë Shqipërinë. Në qoftë se ligji është i keq, sigurisht duhet parë, por që ligji nuk mund të bëhet i ri në Himarë. Nuk mund të zgjidhet çështja e pronave fshatçe, siç u tha pra me komisione vendore të ngritura nga zoti Bollano edhe në dritën e fakteve të reja që kanë dalë për implikimin e tij në trafikun e trojeve dhe tokave në Himarë.

Një nga ato çka u komentua nga pronarët ishte ligji 7501, për t u mbyllur gojën atyre njerëzve që abuzojnë me të tilla gjëra. A nuk do të ishte më mirë një përpjekje për ta rrëzuar këtë ligj, mbaj mend që ishte një iniciativë, por ligji nuk arriti kurrë në seancë plenare?

Ligji është një fakt që na shoqëron prej shumë vjetësh. U kalua në një shumicë me konsesus në Parlament. Natyrisht, ligji ka defekte të mëdha që kanë dalë gjatë kohës, gjatë zbatimit të tij prandaj janë bërë dhe tentativa të herëpashershme për ta modifikuar. Së fundmi, doli dhe një ligj, i cili nuk u kalua me konsesus me shumicë, por u kalua me votën e mazhorancës, i cili në një farë mënyre e ndalon ligjin 7501. Gjithsesi, ajo që dua të them është se çështja e pronave, ngelet sot e kësaj dite një çështje tepër therëse e sensibiliteteve të qytetarëve shqiptarë. Politika nuk ka bërë gjënë më të mirë për zgjidhjen e çështjes së pronave dhe për këtë natyrisht do të duhet një debat i gjerë, një bashkëpunim i gjerë pozitë-opozitë, por duhet që qytetarët të përfshihen në një debat të tillë për të gjetur, në kushtet që jemi, një zgjidhje më të mirë. Në radhë të parë, për të mbrojtur interesat e qytetarëve, në radhë të dytë, edhe për të evituar konfliktet edhe për të ruajtur paqen sociale. Kjo do të jetë një gjë shumë e përgjegjshme dhe jo siç është bërë deri tani që shpesh herë ka ndodhur që janë ndryshuar, amenduar ligjet për të mbrojtur interesat e grupeve të veçanta për të mos thënë të personave të veçantë. Dhe kjo ka ndodhur edhe me çështjen e pronave në Shqipëri. Kjo është dhe arsyeja që ka konflikte të tilla, jo vetëm në Himarë, por kudo në Shqipëri, sepse ligji, qoftë edhe i keq, nuk është zbatuar me drejtësi, por është ndërhyrë në të me atë qëllim që thashë: për të mbrojtur interesat e grupeve apo të klaneve të veçanta.
Ky lajm është publikuar: 13/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›