E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qeveria e Gërdecit ka rritur depresionin dhe varfërinë tek të rinjtë”

Autori i Lajmit: red.
Forumi Eurosocialist ka denoncuar situatën në të cilën ndodhet rinia shqiptare në ditët tona. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, FRESH denoncon apatinë dhe moskokëçarjen e ministrave të qeverisë “Berisha” si dhe të institucioneve që përgjigjen për rininë. Eurosocialistët, ndër të tjera, nënvizojnë se “në Shqipëri shumë të rinj janë kthyer në duhanpirës kronikë. Në këtë pikë, një rol të veçantë duhet të luajë shteti, por e vërteta është se Ministria e Shëndetësisë dhe zoti Nard Ndoka dështuan tërësisht, pasi jo vetëm që nuk patën një plan të detajuar statistikor të shifrave shqetësuese të duahanpirjes, por nuk ndërmorën asnjë studim se si mund të arrihet në zvogëlimin e këtij problemi. Le të shpresojmë që zonja Anila Godo të bëjë diçka më shumë për këtë gangrenë shoqërore. Nga ana tjetër, ligji i duhanit dështoi tërësisht dhe kjo është një paaftësi e Qeverisë, e cila nuk arrin të ekzekutojë aktet e nxjerra nga ligjvënësit. Shteti është i vetmi subjekt i cili zotëron monopolin e forcës, e megjithatë, ai ka qenë tërësisht i pafuqishëm përballë interesit të biznesit, një e mirë e disave, i cili ka triumfuar përbri shëndetit publik, që duhet të jetë një e mirë e të gjithëve. Ftojmë Kryeministrin të nxjerrë një urdhër për të ndaluar rreptësisht, jo vetëm konsumin e lëndëve të dëmshme nëpër oborret e shkollave, por edhe nëpër mjediset rreth tyre. I kërkojmë Parlamentit dhe zonjës Topalli të ndërmarrin nisma për të nxjerrë një ligj të fortë, ku të penalizohen rëndë ata që ofrojnë pije alkoollike për të rinjtë nën 18 vjeç. Një tjetër fenomen rrënqethës është ai i pasivitetit të të rinjve. Vitrina më e trishtë e këtij realiteti është zona e ish-Bllokut në Tiranë, ku të rinj pa masë, dyndin lokalet, jo sepse ata janë një konsumatorë racionalë që di të zgjedhë në bazë të shijeve të tij, por sepse kjo është e vetmja alternativë që u ofrohet. Në mungesë të plotë të aktiviteteve sociale, edukuese, sportive, dëfryese dhe kulturore nga ana e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve që drejtohet nga Ylli Pango, shumë të rinjve sot, nuk u mbetet gjë tjetër veçse të humbasin kohën kafeneve, të helmojnë trupin me alkool, duhan dhe drogë. Dhe në vend që të marrin një udhë nga shteti se si të ngrenë ekonominë për të ardhmen e tyre, përkundrazi, rrënohen prej tij përmes licencave që jep çdo ditë Ministria e Financave e zotit Ridvan Bode për hapjen e kazinove dhe lojërave të ndryshme të fatit, pre e të cilave shpeshherë bëhen të rinjtë. Për sa i takon punësimit janë përpara syve të të gjithëve me mijëra fëmijë nën 16 vjeç, të cilët enden rrugëve duke shitur paketa cigaresh. Çfarë nismash ka ndërmarrë Ministria e Çështjeve Sociale e Kosta Barkës për të frenuar ekspansionin e punësimit të paligjshëm, në të zezë dhe në kushte barbare, për ata të mitur që në vend të mësojnë si të hedhin hapat e tyre në jetë, detyrohen të mbushin fabrika apo punishte, ndërkohë qe ata vetë nuk kanë këpucë për të veshur?! Çfarë ka bërë ai për të hequr nga rrugët lypsat e shumtë që janë kthyer në kornizën e zymtë të Tiranës? Për ta mbyllur, duam të theksojmë me shqetësim vetëvrasjet e shumta të të rinjve kohët e fundit, sidomos nëpër rrethet e vendit, çka është, pa dyshim, pasojë e depresonit dhe e varfërisë në të cilën i ka zhytur Qeveria e Gërdecit njerëzit, një qeveri e cila në vend t u garantojë punë dhe një të ardhme, natën bën trafik predhash mbi kokat e tyre dhe ditën u mburret se ka rritur eksportin e lulelakrës”, - thuhet në njoftimin për shtyp të eurosocialistëve.

Vasili: “Socialistët, jo më kompromis me PD-në”
Fillimi i shtatorit do të shënojë edhe nisjen e aksionit politik si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita përpara zgjedhjeve të vitit 2009. Në të gjithë këtë proces ajo që duhet të bëjë llogaritë më mirë është opozita, e cila nga votimi për ndryshimet kushtetuese në Kuvend e zhvillon aksionin politikë e ndarë, Partia Socialiste në njërin krah dhe LSI nga ana tjetër. Sipas sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, Petrit Vasili, opozita ka akoma kohë të funksionojë si e tillë me kusht që PS të mos bashkëpunojë me Berishën. Për sa i përket faktorit “Nano” në opozitë, Vasili thotë se edhe për të ka vend, në qoftë se objektivi i tij politik është largimi i qeverisë “Berisha” nga pushteti. Të dyja forcat, si PS ashtu edhe LSI, e kanë kuptuar se të ndara do të jetë e vështirë të realizojnë objektivin e tyre që është ardhja në pushtet, por hezitimi nga llogaritë politike për ta bërë këtë, është më i madh se nevoja për ribashkim.
Ky lajm është publikuar: 13/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›