E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stani: “Bianku, një gjykatës që turpëron Shqipërinë”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Demokristianët kanë reaguar mbi vendimin e marrë nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e cila nuk ka lejuar ekstradimin e terroristit Abu Hamza, i kërguar nga Prokuroria Amerikane. Nëpërmjet një daljeje publike, sekretari Politik i kësaj partie, Lazër Stani, ka akuzuar drejtpërdrejt përfaqësuesin shqiptar në këtë gjykatë, Ledio Biankun, i cili ka qenë një ndër 7 anëtarët që kanë marrë vendimin për mosekstradimin. Stani tha se “Partia Demokristiane shpreh shqetësimin e saj për rreshtimin e përfaqësuesit të Shqipërisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, krahas atij grupi gjyqtarësh, që media britanike, por edhe media të tjera në botë, i cilëson si kllounë të Evropës. Ne na shqetëson gjithashtu fakti se veprime të tilla dëmtojnë imazhin e Shqipërisë në Evropë dhe te partnerët e miqtë tanë ndërkombëtarë, tek aleatët që na kanë ndihmuar në rrugën e vështirë të ndërtimit të demokracisë, të zhvillimit të vendit dhe të integrimit euroatlantik. Fatkeqësisht, Bianku, me votën e tij, vë në dyshim jo vetëm angazhimin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit, por edhe vlerësimin për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne besojmë se vota e Biankut, i cili dihet se ka lidhje të ngushta familjare e miqësore me Kryetaren e Kuvendit dhe përfaqësues të lartë në qeverinë shqiptare, është një veprim i papërgjegjshëm i tij dhe nuk ka lidhje me kritikat që kohëve të fundit i ka bërë Kuvendit të Shqipërisë ambasadori amerikan Uidhers dhe kritikat për qeverinë të shprehura nga diplomatët amerikanë në Tiranë. Ndërkaq, ne na shqetëson fakti i përzgjedhjes së dobët dhe mbi kritere miqësore, familjare ose shërbesash partiake të përfaqësuesve të Shqipërisë në institucionet kryesore evropiane dhe ndërkombëtare. Rasti i zgjedhejs së z. Bianku si përfaqësues i Shqipërisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut është më flagranti dhe rezulton edhe më i dështuari. Emri i Biankut u bë i njohur në publik pas zgjedhjes së tij si kryetar i KKRT-së, në emër të së ashtuquajturës reformë, për shkak të lidhjeve të vjetra familjare me Kryetaren e Kuvendit dhe me eksponentë të tjerë të qeverisë. Pas dështimit në krye të këtij institucioni, për shkak të qëndrimeve dhe vendimeve të tij partiake në ushtrimin e funksionit ligjor, ky individ shpërblehet dhe propozohet si përfaqësues i Shqipërisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. I kërkojmë qeverisë dhe institucioneve të tjera të larta në vend të reflektojnë dhë të distancohen nga rasti konkret, por dhe të angazhohen seriozisht në luftën kundër terrorizimit, në bashkëpunim të ngushtë më Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tanë perëndimorë. Ne gjykojmë se përfaqësuesit e Shqipërisë, jo vetëm duhet të përfaqësojnë me korrektësi vlerat tona si komb dhe përpjekjet tona për t u bërë pjesë integrale e Evropës së Bashkuar dhe e qytetërimit perëndimor, por edhe duhet të japin kontribut real në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë, për antarësimin e Shqipërisë në strukturat euroatlanike dhe për konsolidimin e miqësisë me vende, qeveri dhe shtete që historikisht kanë qenë në krah të shqiptarëve”.

Vendimi i Gjykatës Evropinane të të Drejtave të Njeriut

Në datën 6 gusht, përfaqësuesi i Shqipërisë në Gjykatën Evropiane e të Drejtave të Njeriut, z. Ledi Bianku, bashkoi votën e tij me një grup gjykatësish që penguan ekstradimin e klerikut Abu Hamza, i akuzuar nga prokurorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për terrorizëm. Argumenti i përdorur nga nëntë prej anëtarëve të kësaj gjykate, ku bënte pjesë edhe z. Bianku, është se në Shtetet e Bashkuara klerikut Abu Hamza, nuk i garantohen të drejtat e njeriut. Sipas gjykatësve që votuan kundër ekstradimit të Abu Hamzait, sisetmi i drejtësisë amerikane në shumë aspekte vjen në kundërshtim me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe kjo mund të sjellë trajtimin johuman e degradues të tij, nëse ai dërgohet në SHBA. Tabloidi britanik “The Sun” shkruan se të nëntë gjyqtarët që votuan kundër, vinin nga vende që vështirë se kanë planifikuar ose mbështesin luftën kundër terrorizmit. Për fat të keq, vota e përfaqësuesit të Shqipërisë u bashkua me votat e gjyqtarëve që vinin nga vende të tilla si Moldavia, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina, Sllovakia, Polonia etj. ndërkohë që gjyqtarët që përfaqësonin vendet kryesore të Bashkimit Evropian votuan pro ekstradimit të tij në SHBA. Në editorialin e tij të titulluar “Gjykatësit e llumit”, tabloidi “The Sun” i datës 7 gusht shkruante “se ju kurrë nuk keni dëgjuar për 72-vjeçarin Xhovani Boneli nga Malta ose për Ledi Biankun, 37 vjeç, nga Shqipëria. Por këta të dy së bashku me shtatë gjyqtarë të tjerë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, bllokuan ekstradimin e predikuesit të urrejtjes, Abu Hamza, në SHBA”. Në editorial theksohej se “Bonneli, Bianku dhe kolegët e tyre vinin nga vende të errëta, që kurrë nuk i janë kundërvënë terrorizmit islamik”.
Ky lajm është publikuar: 13/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›