E Diel, 1 Nëntor 2026

Bien me 60 milionë USD fitimet e biznesit

Për shkaqe të ndryshme, biznesi që operon në Shqipëri, gjatë tre muajve të parë të vitit 2009, ka siguruar 60 milionë dollarë më pak fitime. Shifra është zyrtare dhe konfirmohet nga Ministria e Financave, duke e krahasuar me vitin 2008, ku ekonomia nuk ishte prekur ende nga kriza. Ekspertë të ministrisë japin argumente rreth uljes së fitimit nga bizneset, duke mos e lidhur shumë me krizën, se sa me uljen e taksës. Konkretisht, të ardhurat nga tatimi mbi fitimin për tremujorin arritën në rreth 60 milionë dollarë nga 63 milionë të planifikuara, pra 3 milionë dollarë më pak se plani ose një realizim në masën 95 për qind.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat nga kjo taksë pësuan një ulje prej 6 milionë dollarësh ose 9.2 për qind. Duke qenë se norma e tatimit mbi fitimin është 10 për qind, rrjedhimisht totali i fitimit të munguar për biznesin vetëm për tre muaj është rreth 60 milionë dollarë.

Megjithatë, gjatë muajit mars të këtij viti janë mbledhur 138 për qind më shumë të ardhura se muaji paraardhës, por kjo rritje është më e vogël se ajo e muajit mars 2008 kundrejt shkurtit 2008, kur fitimet e biznesit vlerësoheshin me 253 për qind më të larta. Sipas Ministrisë së Financave, tatimi mbi fitimin e kompanive parapaguhet në bazë të fitimeve të realizuara gjatë periudhave të mëparshme të aktivitetit të tyre dhe përgjithësisht në muajin mars bëhet shlyerja ose rimbursimi i diferencës me fitimin real të vitit paraardhës. "Prandaj ky tregues është reflektim i ecurisë së sektorit privat për vitin paraardhës dhe është i përkeqësuar kundrejt vitit 2007 për shkak të uljes së normës tatimore nga 20 në 10 për qind", shpjegojnë ekspertë të ministrisë.

Gjatë periudhës janar-mars 2009, janë vërejtur të tjera shenja të përkeqësimit të klimës së biznesit. Qendra Kombëtare e Regjistrimit raporton se në tre muajt e parë 2009, rreth 2 mijë biznese kanë kërkuar mbylljen e aktivitetit. QKR e justifikon me tre faktorë, që janë: falimentimi, shkrirja e aktivitetit, duke u bashkuar me një tjetër, si dhe riklasifikimi i biznesit.

Sektori bankar rezulton më i prekur nga pasojat e krizës. Gjithnjë për të njëjtën periudhë, bankat kanë siguruar një normë fitimi prej rreth 3 milionë dollarësh, në një kohë kur gjatë vitit 2008, kishin krijuar rreth 24.6 milionë dollarë. Diferenca në rënie erdhi si pasojë e rritjes së kostos për menaxhimin e interesave.

Vetëm pas pesë muajsh nga thirrja e bizneseve për ndihmë nga qeveria, reagimi për marrje masash erdhi me ritëm të ulët. Më në fund qeveria pranoi të lehtësonte biznesin nga disa taksa, por ndikimi është tepër i vogël. Shifrat jozyrtare flasin për një rritje të papunësisë, për muajt e parë të vitit, në masën e 11 mijë personave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›