E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financat pranojnë: Kriza ka mbërritur

Ministria e Financave pranoi se ekonomia shqiptare po përballet me rreziqe të konsiderueshme si dhe sugjeroi që politika monetare të zbutet në rast se vihet re rënie në konsum. Në një dokument periodik që quhet Kuadri Makroekonomik e Fiskal Afatmesëm, i cili u hartua në prill dhe u publikua pak ditë më parë pasi u miratua në qeveri, Dikasteri i Financave pranon se të ardhurat fiskale kanë shënuar deficit të konsiderueshëm gjatë muajve të parë të këtij viti. Financat njoftojnë se "janë të gatshme të ndërmarrin politika të mëtejshme stimuluese në rast se konsumi i brendshëm shënon rënie", por kërkojnë gjithashtu që edhe politika monetare të ndihmojë.

"Deri më tani, politika monetare e planifikuar, krahas një mbikëqyrjeje më të afërt të sistemit bankar, duket të jetë mbajtja në këto nivele të normës basë së interesit me qëllim ruajtjen e stabilitetit të çmimeve e të ekuilibrave në sistemin financiar. Megjithatë në rast të një kontraktimi të ekonomisë, investimeve e konsumit, e në rast të një rënieje shqetësuese të nivelit të përgjithshëm të çmimeve, duhet thënë që politika monetare shihet si një instrument tepër i gatshëm e me mjaft hapësirë manovrimi, si dhe mjaft efektiv për të amortizuar këto efekte negative e për t‘i dhënë impulse nxitëse ekonomisë", - shkruajnë ekspertët e qeverisë në dokument, duke i bërë thirrje Bankës së Shqipërisë në mënyrë indirekte të ulë interesat. BSH ka dhënë deri tani shenja të qarta se nuk ka ndërmend të bëjë një gjë të tillë. Në deklaratën e fundit, BSH njoftoi mbajtjen e interesit bazë në 5.75 për qind, pavarësisht se ekonomia po ngadalësohet.

Përplasje e heshtur për "politikat stimuluese"

Ndërsa Financat janë të bindura se politika më e mirë në kohë krize është rritja e shpenzimeve qeveritare, BSH këshillon pikërisht të kundërtën. "Qeveria e ka ezauruar hapësirën që kishte për shpenzime ndihmuese për konsumin", "qeveria duhet të ruajë deficitin, të mos e rrisë huamarrjen, të shkurtojë shpenzimet", - deklaroi Banka e Shqipërisë në raste të ndryshme.

Vendet e pasura kanë arritur të shmangin më të keqen e krizës aktuale ekonomike botërore, përmes uljes së interesave në ekonomi dhe programeve masive të shpenzimeve nxitëse nga paratë e taksapaguesve. Pavarësisht se janë vende të pasura, sërish janë këshilluar nga bankat qendrore të rifillojnë disiplinën financiare dhe të rikuperojnë shpejt shpenzimet e tepërta të kryera gjatë krizës. Nga ana tjetër, vendet e varfra duket se nuk e kanë një luks të tillë. Bankat qendrore të Europës Lindore, janë detyruar të rrisin interesat në ekonomitë e tyre për të garantuar vlerën e monedhave kombëtare dhe janë detyruar të shkurtojnë shpenzimet buxhetore, gjë që e ka përkeqësuar situatën. Kjo gjë ka bërë që kriza në Lindje të jetë shumë më e thellë dhe shqetësuese sesa në Perëndim. Por në fund, të gjitha këto vende kanë zgjedhur stabilitetin makroekonomik para rritjes ekonomike afatshkurtër, pasi humbja e stabilitetit ekonomik sjell gjithsesi krizë.

Financat thonë se investimet e tyre në infrastrukturë "ndihmojnë prodhimin dhe punësimin në terma afatshkurtër", ndërsa për shkak se "kanë normë të lartë kthimi", nuk e ngarkojnë me barrë borxhesh dhe interesash ekonominë në terma afatmesme.

Financat dalin në konkluzionin se "ekonomia shqiptare është rritur nga faktorë të brendshëm, gjë që e ruan nga kriza botërore". Arsyet e këtij konkluzioni mbeten të paqarta. Ekonomitë që rriten nga kërkesa e brendshme janë zakonisht ekonomi me numër të konsiderueshëm konsumatorësh. Shqipëria është vendi i dytë në botë për sa i përket varësisë nga remitancat e emigrantëve dhe vetëm ky fakt e bën konkluzionin e Financave disi të pakuptimtë.

Pavarësisht se pranojnë se kriza ka ulur të ardhurat e buxhetit dhe ka ngadalësuar ekonominë, Financat besojnë se "ekonomia shqiptare do të ketë normë rritjeje prej mesatarisht 6.6 përqindësh gjatë tre viteve të ardhshme". Ky është një parashikim jashtëzakonisht optimist, pasi Banka Botërore dhe FMN vlerësojnë se rritja ekonomike do të jetë mesatarisht 2-3 për qind për vitet në vijim.

Përballja me realitetin pas zgjedhjeve

Shqipëria pritet të përballet me realitetin e vet ekonomik pas zgjedhjeve të sotme. Pasi vota të jetë hedhur dhe shqiptarët të kenë zgjedhur se kush do t‘i qeverisë, atëherë vrimat e buxhetit të shtetit pritet të dalin në pah dhe shqiptarët do të fillojnë të kuptojnë më mirë se sa do t‘u kushtojë kriza. Janë me mijëra vendet e punës të humbura, eksportet kanë rënë me ritme alarmante ndërsa buxheti i shtetit ka akumuluar një deficit të konsiderueshëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›