Bien në pusin e minierës, vdes 29-vjeçari, lëndohet rëndë një tjetër
Dy të rinjtë kishin shkuar të merrnin krom ilegalisht në një nga minierat e Përrenjasit, e cila nuk ishte në funksionim
LIBRAZHD Humb jetën në galeritë e minierës një 29-vjeçar nga Prrenjasi, plagoset rëndë shoku i tij. Ngjarja ka ndodhur dje në orët e vona të mbrëmjes, në minierën e fshatit Katjel, të komunës Rrajcë, në Prrenjas të Librazhdit.
Ngjarja
Dashamir Logjini, me banim në këtë fshat bashkë me Edison Myftarin, 18 vjeç kishin shkuar në orët e vona të mbrëmjes për të përfituar krom në mënyrë ilegale në një nga galeritë e fshatit Katjel, por pasi kanë depërtuar në 100 m thellësi në galeri, kanë rënë në mënyrë aksidentale në një pus. Për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme Dashamir Logjini e është plagosur rëndë shoku i tij 18-vjeçar. Ka qenë 18-vjeçari që ka lajmëruar të afërmit, të cilët kanë shkuar për t’u dhënë ndihmën e nevojshme, por 29-vjeçari ka gjetur vdekjen e menjëhershme për shkak të politraumës së shkaktuar nga rënia nga lartësia. Ndërsa 18-vjeçari, Edison Myftari ka përfunduar në spital e sipas mjekëve ndodhet në gjendje serioze për jetën. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar policia dhe hetuesit. Nga të dhënat e grumbulluara policia ka bërë të ditur se ngjarja ka qenë aksidentale, pasi të dy këta shtetas kanë shkuar për të përfituar krom ilegalisht në minierën e mbyllur prej kohësh.
“Kurthi”
Kromin e grumbulluar ata e shisnin tek firmat private, që kanë fituar të drejtën për shfrytëzimin me koncesion të kromit në këtë zonë. Por duke mos e njohur minierën, kanë rënë në një nga puset e saj e për pasojë fati ka qenë tragjik, 29- vjeçari i vdekur dhe shoku i tij 18- vjeçar ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Raste të kësaj natyre nuk kanë munguar në minierat e Prrenjasit. Edhe disa vite më parë, një shtetas gjeti vdekjen e të tjerë janë plagosur për shkak të shembjes së galerive, gazit të çliruar apo edhe rënieve nëpër puse. Hyrjet e galerive janë mbyllur me hekura e mjete rrethanore, por nuk kanë roje, për arsye se konsiderohen se e kanë mbyllur ciklin.
Sipas banorëve del e domosdoshme mbyllja e këtyre minierave duke i bllokuar hyrjet e tyre me gurë e beton, në mënyrë që të parandalohen fatkeqësitë. F. Salliu