Vrasja e Koliçit, gjykata liron për mungesë provash Balliun
Tiranë Gjykata e Tiranës ka vendosur lirimin e Bledar Balliut, të vetmit person të dyshuar për vrasjen e Aleksandër Koliçit, pak kohë më parë në Tiranë. Me kërkesë të prokurorisë, e cila mesa duket nuk ka gjetur prova për të mbajtur në burg të akuzuarin, Gjykata e Tiranës e ka lënë atë në “detyrim për paraqitje”. Seanca e zhvilluar ditën e djeshme në Gjykatën e Tiranës është drejtuar nga gjyqtari i gatshëm Artur Gaxhi, i cili ka pranuar kërkesën e organit të akuzës, që gjithashtu kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë për Balliun. Referuar të dhënave të paraqitura përpara Gjykatës, mësohet se Prokuroria e Tiranës ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë, pasi në ngarkim të të dyshuarit Balliu, nuk kishte prova të mjaftueshme për ta mbajtur në burg me akuzën e vrasjes së Koliçit dhe detyrimisht është kërkuar lirimi i tij nga ambientet e paraburgimit.
Bledar Balliu ishte i vetmi i dyshuar kryesor i Policisë së Tiranës, si autori i vrasjes së Aleksandër Koliçit, më datë 15 korrik të këtij viti, pranë shkollës “Petro Nini Luarasi” në kryeqytet. Që në momentin e arrestimit, Balliu e ka mohuar këtë akuzë duke u shprehur se ai nuk kishte të bënte me ngjarjen dhe se nuk ishte ai autori i vrasjes, edhe pse rastësisht ata banonin në të njëjtën lagje. Si alibi, Balliu ka paraqitur faktin se ai ka qenë i ulur për të pirë kafe në një lokal, që ndodhej pranë banesës së tij dhe se ka lëvizur vetëm pak minuta nga lokali për të blerë një kartë telefoni. Ai ka kërkuar nga ana e organit të akuzës, që të verifikojë kamerat që ndodheshin në lokal, për të provuar faktin se ai ka qenë në lokal në momentin kur ka ndodhur ngjarja. Gjithashtu, si provë ai ka paraqitur dhe faturat e lokalit për të provuar orarin kur ka qenë aty. Grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje, ka marrë në pyetje dhe kamerierët e lokalit, të cilët po ashtu kanë dëshmuar se Balliu ka qenë në lokal dhe se ka lëvizur vetëm pak minuta e më pas është rikthyer sërish. Gjithashtu në pyetje është marr dhe shitësi i dyqanit, ku Balliu pretendon se ka shkuar për të blerë kartën, por ai ka deklaruar se nuk ka qenë në dyqanin e tij. Kjo provë së bashku me një bluzë tute të gjetur në shtëpinë e Balliut, në të cilën prokuroria dyshon se gjenden mbetje të barutit, janë të vetmet prova të paraqitura nga Prokuroria, për përfshirjen e Balliut në këtë ngjarje.
Një tjetër e dhënë, e cila i shpërbeu hetuesve për të “rrethuar” Balliun si të dyshuar kryesor për këtë ngjarje, është dhe fakti se Aleksandër Koliçi është arrestuar disa vite më parë bashkë me Balliun, në vitin 2006, në kuadër të një operacioni ndërkombëtar antidrogë, së bashku me 8 persona të tjerë. Hetimet e antimafias italiane për operacionin “Poter-Al” kishin zbuluar se kjo organizatë trafikonte sasi të mëdha heroine drejt Italisë, Gjermanisë e kishte lidhje edhe në Holandë. Asokohe Koliçi u konsiderua si njëri prej anëtarëve të grupit që në Shqipëri drejtohej nga Ilir Koçia dhe Bledar Balliu, por ishin zhvillimet e mëvonshme ato, që do ta veçonin Koliçin nga pjesa tjetër e bandës. Në vitin 2008, kohë kur pritej edhe dënimi i kësaj organizate nga Gjykata e Krimeve të Rënda, Koliçi firmosi një marrëveshje bashkëpunimi me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke u kthyer në një bashkëpunëtor të drejtësisë. Falë këtij pakti, viktima e djeshme u dënua vetëm me 4 vite burg, nga 12 vjet që rrezikonte, e pak muaj më vonë, u lirua me kusht nga Gjykata e Tiranës.
Kur kanë kaluar gati 2 muaj nga vrasja mafioze në qendër të Tiranës e Aleksandër Koliçit, ende nuk ka asnjë autor të arrestuar për këtë ngjarje. Edhe i dyshuari i vetëm, Bledar Balliu u lirua ditën e djeshme, pasi nuk kishte prova të mjaftueshme për ta mbajtur atë pas hekurave.