E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi në familjen Konomi: Atentati, shembull tipik i krimit të organizuar

Presidenti Bamir Topi ka ngushëlluar familjarët e gjyqtarit të vrarë me minë-celular në qendër të Vlorës, ndërsa ka inkurajuar punonjësit e shtetit dhe të drejtësisë të përballen me të për të parandauar akte të tilla

Një ditë pas ceremonisë mortore të gjyqtarit të ekzekutuar, Skerdilajd Konomi, presidenti Bamir Topi ka udhëtuar drejt Vlorës për të ngushëlluar familjarët e tij. I shoqëruar nga kreu i Gjykatës së Vlorës, Artur Malaj si dhe anëtarë të kabinetit të tij, kreu i shtetit ka takuar prindërit dhe bashkëshorten e Konomit, në një ngushëllim ku nuk është lejuar prania e mediave. Pas vizitës në familjen Konomi, Topi tha për mediat se ekzekutimi i gjyqtarit ishte një akt mafioz. “Erdha të ngushëlloj nga afër familjen Konomi, e cila realisht po përjeton momente të një dhimbjeje shumë të madhe, pas humbjes në mënyrë shumë tragjike të birit të tyre, Skerdilajdit, padyshim, siç edhe ju e keni përcjellë, nga ky akt mafioz. Çdo vrasje është barbare në vetvete, por mënyra e ekzekutimit, e vrasjes së gjyqtarit Konomi është një shembull tipik i veprimit të krimit të organizuar, krim me të cilin shteti, punonjësit përballen çdo ditë”,- tha presidenti Topi. Ai inkurajoi nga Vlora punonjësit e shtetit që të luftojnë kundër krimit dhe të parandalojnë veprimet e tij. “Përtej ngushëllimit, natyrisht unë inkurajoj të gjithë punonjësit e shtetit. Së pari: punonjësit e policisë, ata të drejtësisë, qoftë prokurorët, gjyqtarët, punonjësit e shërbimeve të tjera, të cilët garantojnë jetën e qytetarit, që të vazhdojnë punën e tyre me vetëmohim, të bashkëpunojnë me njëri- tjetrin në mënyrë shumë profesionale, në mënyrë që krimi jo vetëm të luftohet drejtpërdrejt, por të parandalohet në veprimet e tij”,- tha Topi. Duke vlerësuar solidaritetin e treguar nga njerëzit e drejtësisë, pas ekzekutimit tragjik të gjyqtarit, kreu i shtetit ka bërë apel, që të gjithë të punojnë, që jeta e gjyqtarëve, por edhe e të gjithë punonjësve të shtetit të jetë e garantuar. “Ju e dini që krimet ndodhin kudo, ndodhin në Shqipëri, ndodhin edhe në vende të tjera të botës demokratike. Që të gjithë janë të angazhuar për të qenë së bashku në luftë kundër krimit dhe terrorizmit ndërkombëtar, i cili sot nuk ka kufi. Ndodh këtu, ndodh atje. Dhe unë besoj se gjithë ai solidaritet i shprehur nga kolegët e Skerdilajdit, por edhe nga autoritetet më të larta të shtetit, tregojnë se ne jemi të gjithë së bashku për të forcuar ligjet dhe për të forcuar gjithçka që të bëjë të mundur, që jeta e gjyqtarëve, jeta e punonjësve të shtetit, por edhe jeta e qytetarëve të jetë e garantuar”,- përfundoi presidenti Topi. Reagimi nga Vlora, pas ngushëllimit të kryer në familjen Konomi në Vlorë është i dyti i Presidentit të Republikës, për ekzekutimin e tipit mafioz të gjyqtarit 33-vjeçar. Ditën e vrasjes, Topi e cilësoi aktin një sulm kundër institucioneve dhe njerëzve të drejtësisë si dhe bëri apel për zbardhjen e shpejtë të ngjarjes dhe vënien para drejtësisë të autorëve. Ervin Haruni

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›