PS, grupi i punës diskuton kalimin në sistemin proporcional
Socialistët nuk përjashtojnë mundësinë e ndyshimit të sistemit zgjedhor. Premtimi, që kreu socialist, Edi Rama u ka dhënë aleatëve të tij në takimin e para disa ditëve, mund të bëhet realitet. Partia Socialiste është duke studiuar mundësinë për të kërkuar kalimin nga sistemi aktual zgjedhor, pra ai proporcional rajonal, në një sistem proporcional kombëtar. Thënë ndryshe, kalimin nga sistemi proporcional me 12 zona zgjedhore, që korespondojnë me 12 qarqet, në një sistem proporcional me një zonë zgjedhore. Burime pranë PS-s kanë bërë të ditur se lidhur me reformën zgjedhore është ngritur një grup pune i posaçëm, i cili po diskuton të gjitha problematikat e hasura dhe hartimin e propozimeve konkrete, me të cilat socialistët do të paraqiten në tryezën e komisionit të reformës zgjedhore. Natyrisht, në këtë aspekt bëhet e ditur se jashtë vëmendjes nuk është lënë as çështja e sistemit elektoral. Megjithatë është bërë e ditur se kjo përbën një çështje të mprehtë dhe për të cilën kërkohet një studim, që përfshin edhe llogaritjet matematikore, që kanë të bëjnë kryesisht me të mirat dhe disavantazhet, që sjell secili sistem në mandate deputetësh. Selia rozë ka shfaqur hapur disa herë pretendimet se sistemi i tanishëm elektoral është diskriminues për këtë forcë politike, sidomos në ato qarqe, që kanë numër tek mandatesh dhe kryesisht në veri. Sipas tyre, mënyra sesi janë ndarë mandatet për çdo zonë zgjedhore, favorizon dukshëm demokratët, dhe sidomos në tre qarqe në veri dhe në Shqipërinë e mesme, që kanë numër tek mandatesh. Ndaj po studiohet mundësia edhe e sistemit elektoral proporcional kombëtar. Por edhe ky system, natyrisht ka anët e veta negative për dy partitë e mëdha, sepse ai favorizon ndjeshëm forcat e dorës së dytë, dhe sidomos LSI-në. Ndërkohë që nga ana tjetër, mazhoranca, nëpërmjet kryetarit të saj, kryeministrit Sali Berisha bëri të ditur javën e shkuar se është e gatshme të pranojë çdo propozim të socialistëve në këtë drejtim.