E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bien nga ndërtesat, dy të vdekur në Vlorë dhe Fier

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e shkuar në fshatin Akërni të Vlorës, në vendin e quajtur “Stallat e Kamberit”, ku ka humbur jetën kujdestari i këtyre stallave.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë të cilat nën rrënojat e stallës  kanë gjetur  të pajetë shtetasi Besnik Boçaj, 57-vjeç, banues në lagjen “Osman Haxhiu” Vlorë.

Nga hetimet e kryera në vendin e ngjarjes ka rezultuar se ky shtetas kishte shkuar në stallë për të kryer disa punime (për të prerë kapriatat e soletës me oksigjen), gjatë kryerjes së të cilave ka rënë soleta dhe e ka zënë nën vete duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.  Materialet procedurale do ti referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor si vdekje aksidentale.

Ndërkohë, një tjetër shtetas humbi jetën mëngjesin e sotëm pasi ka rënë nga kati i tetë i një pallati. Ngjarja ndodhi në lagjen “Apolonia” të qytetit të Fierit, ku ka humbur jetën shtetasi, Gentian Peshku, 37-vjeç. Viktima ka rënë mbi xhamin e parë të një fugoni, i cili ishte parkuar para pallatit ku ndodhi ngjarja.

 Banorë të pallatit thonë se 37 vjeçari Peshku ishte baba i dy fëmijëve dhe në momentin e ngjarjes ka qenë i vetëm në banesë. Ai nuk njihej si person problematik dhe ishte familjarë i rregullt. Grupi hetimor po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes. Ende nuk ka një version zyrtar nëse kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale apo të qëllimshme. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-02-09 11:14
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›