Bien pretendimet e Edvinit për hetim të zgjedhjeve dhe hapje të kutive
KiE udhëzoi ngritjen e komisionit hetimor, por me objekt të limituar dhe pa cenuar vendimet e Gjykatës KushtetueseNë pikën 7 të amendamenteve të rezolutës së Këshillit të Evropës, sanksionohet qartë ngritja e komisionit hetimor parlamentar për shqyrtimin e pretendimeve të opozitës, por pa cenuar Kushtetutën e vendit. Kësisoj, me anë të këtij rekomandimi të ndërkombëtareve, me anë të së cilës i bëhet apel palëve politike për zgjidhjen e ngërçit, bëhet gjithmonë e më konkrete teza e refuzimit të kërkesës socialiste për hapje të kutive, çka do të shënonte një precedent të rrezikshëm dhe njëherazi një rrezik permanent për stabilitetin demokratik në Shqipëri. “KiE i kërkon qeverisë shqiptare dhe opozitës për t’i dhënë fund krizës aktuale politike në vend dhe të marrin përgjegjësitë e tyre në mënyrë që të vazhdohet me reformat e nevojshme jetike dhe të shënohet progres drejt integrimit të mëtejshëm në BE, një objektiv ky, i përbashkët për të gjithë. Në veçanti, i kërkohet qeverisë për të ngritur, pa vonesa të mëtejshme, një komision parlamentar hetimor në zgjedhjet e qershorit 2009, gjithçka kjo në respektim me vendimin përkatës të Gjykatës Kushtetuese për komisionet hetimore parlamentare dhe në të njëjtën kohë, i bën thirrje opozitës për t’u kthyer në parlament dhe të marrin pjesë plotësisht në punën e saj”, thuhet në pikën 7 të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.Në të njëjtën linjë u shpreh dje edhe kryeministri Sali Berisha, i cili deklaroi se për ngritjen e komisionit hetimor ka një limit, të cilat i ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese. “Ka një limit dhe këto limite i ka përcaktuar Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese e vendit. Gjykata Kushtetuese është i vetmi institucion që ka autoritetin e plotësimit të Kushtetutës, aty ku Kushtetuta ka paqartësi ose vakum. Vendimi i saj duhet të lexohet gjithnjë si një nen i munguar në Kushtetutë. Ky është rregulli i të drejtës kushtetuese. Nuk po hyj e të flas për termat, por ju garantoj se jam plotësisht dakord me rezolutën”, u shpreh kryeministri....