E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bojkoti i PS, një bumerang

Fjalën bojkot e kam hasur për herë të parë në shkollën e  mesme në lëndën “Historia e Partisë Komuniste (Bolshevike) të Bashkimit Sovjetik” (të më falë lexuesi 35-40-vjeçar, por ashtu e kishte emrin libri dhe lënda që nuk dinim pse na duhej: të gjatë këtu e atje tej). Me sa mbaj mend, bëhej fjalë për bojkotin e bolshevikëve ndaj Dumës (Parlamenti i Rusisë), me qëllimi për të jetësuar rrugën e tyre revolucionare. Nuk është rasti këtu për të bërë histori. Mjafton të vërejë njeriu qëllimin e mbrapshtë të të dy bojkoteve, atij bolshevik dhe atij edvinist, çka, besoj, është mjaft e dukshme. Megjithatë, në kushtet e bojkotit të tejzgjatur të Edvinit ndaj Parlamentit të Shqipërisë, kureshtja më shtyu të kërkoja burimin e fjalës. Nuk vuajta, falë mundësive të tejskajshme që jep sot informatika. Lexuesi mund të gjejë vetë, pa ndihmën time, gjithçka do të donte të kërkonte, lidhur me bojkotin. Por, që t’i kursej kohën e vyer, i marr leje të tregoj shkurt prejardhjen e dhe historikun e shkurtër të fjalës. Në origjinë, fjala ka nënkuptuar pengimin për të blerë prodhime të prodhuara në kushte të papranueshme. Zanafillën  e ka tek emri Sharl. K. Bojkot (1832-1897), një administrator i madh tokash në perëndim të Irlandës gjatë shekullit XIX, i cili i trajtonte keq fermerët e vet. Më 1879, Sharl Parneli, drejtues i Lidhjes Agrare, lëshoi një thirrje për të bllokuar prodhimet e Bojkotit. Qysh atëherë, fjala fitoi të drejtën e qytetarisë, ndonëse nocioni ka ekzistuar edhe pa qenë i emërtuar. Historia ka njohur bojkote për qëllime të dobishme, si përpara daljes së fjalës, ashtu edhe pas. Për të gjykuar mbi dobinë e bojkotit, kur ai përdoret nga koka së mbari, do të doja të sillja dy a tri shembuj: “Bijtë e Lirisë”, një organizatë atdhetare amerikane e shekullit XVIII, bëri thirrje të bojkotohej çaji anglez, në dobi të prodhimit vendas. Në Indi, Mahatma Gandi bëri thirrje më 1930 të bojkotohej taksa e kripës, me qëllimin atdhetar që të goditeshin tregtarët anglezë dhe vetë Perandoria Britanike. Tashmë, është i njohur bojkoti politik ndaj Afrikës së jugut, duke filluar që nga viti 1970, për të ndaluar aparteidin. Janë të njohura gjithashtu bojkotet e Lojërave Olimpike të viteve 1980 (Moskë) dhe 1984 (Los Anxhelos). U bojkotuan nga SHBA, të parat, dhe nga Bashkimi Sovjetik, të dytat. Në të dy rastet, qëllimi i bojkotit ishte protesta ndaj luftërave, përkatësisht, në Afganistan dhe në Irak. Kërkova, pa ia arritur qëllimit, edhe bojkote të nxitura nga  mendje djallëzore, për qëllime të mbrapshta, por nuk gjeta. Ndoshta s’kam ditur të kërkoj. Nuk e përjashtoj mundësinë, ama kjo nuk do të thotë se s’kanë ndodhur raste si ai i bolshevikëve ndaj Dumës ose si ky i edvinistëve ndaj Kuvendit të Shqipërisë.***Nëse paraardhësit shpirtërorë të Edvinit patën sukses me fitoren e Revolucionit Bolshevik, pavarësisht kostos së lartë me një kohëzgjatje mbi tetëdhjetëvjeçare dhe me miliona viktima të pafajshme, dhe nëse Edvin Rama synon të njëjtën fitore me të njëjtën kosto në Shqipëri, them se është i verbër në parashikime. Nuk është më njëzetvjeçari i parë i shekullit XX që i erdhi në ndihmë Leninit të jetësonte synimet e veta çnjerëzore. Fundi i Luftës së Parë Botërore, e gjeti Rusinë të drobitur, ushtarët rusë në kulm të dëshpërimit dhe të demoralizimit, fshatarët rusë të varfëruar deri në tejskaj, ekonominë ruse në kaos të vërtetë etj. Po t’i shtosh kësaj gjendjeje edhe tradhtinë e Leninit, i cili, nën mbrojtjen e gjermanëve, u kthye në vendlindje për t’i dhënë goditjen e fundit regjimit të carëve me thirrje për të shkatërruar e për të rrënuar gjithçka, kuadri është tepër i lexueshëm. Në këtë këndvështrim, pavarësisht, dëshirave të Edvin Ramës që të rrënojë Shqipërinë me çdo kusht, kuadri i sotëm historik  është krejt i ndryshëm, qoftë në planin kombëtar, qoftë në atë ndërkombëtar. Së pari, Shqipëria nuk është në luftë. Përkundrazi, ajo është anëtare e NATO-s dhe ushtarët e saj janë vënë në shërbim të ruajtjes së paqes në rajon dhe në zonat e nxehta të botës. Së dyti, që prej njëzet vjetësh bashkatdhetarët e Edvinit i dhanë shkelmin regjimit komunist enverhoxhist dhe nuk kanë asnjë dëshirë t’i rikthehen së shkuarës, siç dëshiron ai. Së treti, ekonomia shqiptare është në lulëzim, me gjithë krizën e përbotshme financiare.çfarë e gënjen mendja, pra, Edvin Ramën se mund të fitojë me politikën që ka zgjedhur? Laboratori i tij politik i paszgjedhjeve të 28 qershorit ka prodhuar deri tashti vetëm mbrapshtësi: thirrje për të hapur kutitë e votimit, bojkot ndaj parlamentit, kinse protesta nëpër qoshe rrugësh e rrugicash, përjashtimin e mendimit ndryshe dhe grumbullimin rreth vetes të një shpure besnike për shkak interesash të ngushta pasunare ose arriviste. Në çdo rast, po ta shohë njeriu për së afërmi këtë prodhimtari aspak politike, nuk do ta ketë të vështirë të dallojë qëllimin e keq të goditjes së institucionit të demokracisë. Hapja e kutive të votimit do të thotë as më shumë, as më pak se prishje e drejtpeshimit të pushteteve. Bojkoti parlamentar dhe kinse protestat, janë dukshëm tentativa të pastra për të sajuar krizë dhe destabilizim. Përjashtimi i mendimit ndryshe, është një ëndërr e paarritur edhe nga diktatorët më të njohur dhe më gjakësorë që ka njohur historia e njerëzimit. Kurse grumbullimi i shpurave halabake rreth vetes, ngjan si miklim ndaj vetvetes se dikush po e dëgjon, në mos edhe më keq, për të pasur megafonë të ideve të tij të çakërdisura. Sepse, për t’ia arritur qëllimit, i shtyrë edhe nga instinkte inatçore aspak njerëzore, Edvin Rama nuk e ka kursyer baltën që ka hedhur dhe po hedh dita-ditës mbi institucionet demokratike të Shqipërisë, në sy të bashkësisë ndërkombëtare. Ndërsa magafonët e inkriminuar të çdo tipi e marke janë të detyruar të marrin rrugët e botës, veç të prishin atë çka shumica në pushtet ndërton me mund, me durim e me vendosmëri. Rasti më tipik, i paprecedent në historinë e ndonjë vendi, është udhëtimi i ish-ministres së jashtme Dade në Strasburg. Cila ishte arsyeja që ajo arriti deri atje sa të kërkonte mosnjohjen e delegacionit parlamentar të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Europës? A mund të ketë pikë dyshimi tashti pas publikimit të fakteve për lidhjet e djalit të saj, Alban Dabulla, me banda të njohura kriminale?***Në këtë kulm të zhvillimit të ngjarjeve dhe të izolimit të PS-së, me sa duket, po i vjen fundi bojkotit parlamentar, tashmë të shndërruar në një bumerang për atë që e ideoi. është e qartë: shtysa nuk vjen aspak nga qëllime politike dashamirëse. Mbarimi i afateve kushtetuese për të bërë betimin parlamentar është një nga shkaqet. Në këto kushte, Edvinit i duhen në Kuvend njerëz pa identitet politik, domethënë ata që kanë fituar sipas listave. Ai nuk është aq i marrë sa të presë zëvendësimin e tyre me kandidatët e planit të dytë, të cilët, në një mënyre ose në një tjetër, do ta kenë nga një gërvishtje me kryetarin. Shkak tjetër, ndoshta më domethënës, është izolimi ndërkombëtar i opozitës shqiptare, çka edhe më tuhafi i politikanëve nuk mund të mos e merrte sadopak në konsideratë. Drafti i Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Europës, nga njëra anë, dhe zyrtarizimi në kohë rekord i delegacionit shqiptar në atë Parlament, nga ana tjetër, janë dy kambana alarmi për Ramën. Mbeten dy gjëra për t’u parë: e para, cila do të jetë alibia që ka gjetur mendja e tij e turbulluar, dhe e dyta, a do ta thyejnë bojkotin të parët të ashtuquajturit LMN-istë, apo do të presin të hyjnë në Kuvend të gjithë bashkë, kashtë e koqe. Deri para pak ditësh ata janë gjendur në udhëkryq, duke këputur petalet e luleshqerrave: më do, s’më do, domethënë hyjmë, s’hyjmë. Nëse do ta thyenin të parët bojkotin, ky do të ishte sinjal i mirë për politikën shqiptare, do të ngadhënjente vërtet mendimi ndryshe, arsyeja politike. Nëse, përkundrazi, do të prisnin të hynin bashkë me grupin, ky do të ishte falimentim i tyre për pavarësisë nga njëshi, çka kanë pretenduar me fjalë deri sot. Një paralajmërim ua dha zonja Dade në konferencën e saj për shtyp, kur tha se PS-ja pretendon ndryshimin e  delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Europës, pas hyrjes në Parlament.Mbetet të shohim, tashti e tutje, nëse do të mbyllet këtu rrethi vicioz i bojkotit apo do të hapet një spirale e re në prag të pranverës....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›