Ka mendim, por ka edhe Mendim Ndryshe
Nuk të pëlqen, nuk ndihesh i mbrojtur, nuk ndihesh i përfaqësuar; mund të bësh vetëm një gjë: ndrysho mendim. është fakt politik e mediatik instalimi i një fraksioni reformator në Partinë Socialiste me emërzimin si një paketë cigareje LM-N, që i kundërvihet me mish e me thonj trysnisë homologuese brenda partisë të egoarkut Rama. Alkimia midis dy socialistëve është shuar, grishur dhe gremisur, ku për rrjedhojë është natyralizuar në një krizë neuro-politike. Mandej edhe ekspedita e Blushit, Islamit, Harasanit në pallatin e Brukseli u dyzua në një kohë të dytë me bashkimin e Sekretares për marrëdhënie me Jashtë Arta Dade, e cila shënoi përfundimisht një çarje drastike të lidershipit të PS nga Lëvizja e Mendimit Ndryshe. Ndonëse vizita e tyre përkufizohet si njohëse me qëndrimin e Brukselit, e vërteta është se ishte një vizitë për të bërë pak “spektakël” përpara shfaqjes së datës 7 mars, kur kuvendi do të këtë më në fund një përbërje socialiste.Ndërkaq nuk ishte e nevojshme për të lexuar nën rreshta opinionet e Ambasadorëve të shumë vendeve mike të Shqipërisë - që e kanë shprehur të qartë mendimin - “se bojkoti është në dëm të Shqipërisë”. Mirëpo kjo ishte e qartë, nuk donte as mend e as kalem. Megjithatë diferenca mes dy njerëzve nuk është vetëm gjenetike, por kryesisht kulturore, sociale dhe ekonomike. Politikani Edi Rama në ndryshim nga Ben Blushi ka vetëm bazën gjenetike dhe ekonomike të siguruar me mjete aspak fisnike; kurse Ben Blushi në ndryshim nga Edi Rama ka thelbin kulturor që sillen nëpërmjet artit të shkruarit romane provokuese të jetë social. Sot si gjithmonë nëpër shekuj të mendosh do të thotë t’i japësh një përkufizim kaosit. Dhe LMN-ja në PS nuk është gjë tjetër veçse sinjali më dëshpërues i një partie që është trazuar nga kaosi. Gjithçka është për faj të një përdhunuesi mendimesh që se ka idenë se shoqëria është ndryshe dhe shumë përtej kalkulimit të momentit.Ndërsa sublimimi i mendimit politik nuk është krejt njësoj si një fasadë bashkie, por është një përgjegjshmëri racionale e veprimit. Ndryshimi i mendimi të Edi Ramës nga Ben Blushi është i njëjtë më ndryshimin antik midis zërave nga lart që janë mesianikë dhe zërave nga brenda (daimon) tipike të riformulimit të mendimit nga filozofi i lashtë grek Sokrat. Antropologjikisht është sqaruar edhe së fundmi: “se sjelljet diktatoriale të njerëzve kanë qenë gjithmonë të paraprirë nga elementi mesianik”, mjaft të kujtojmë shekullin XX, me arianizmi Hitlerian dhe “doktrina e njeriut të ri” komunist. Partia socialiste që është gjenetikisht e modifikuar nga elementë monistë gjatë 2007 krijuankimerën që quhet “politikë re” dhe përvijimin e ri socialist të “përtej të majtës dhe së djathtës”, që është e vërtetë që ishin slogane por që fshehin damarë e një totalitarizmi soft.PS ka një problem sot për sot, i ka hequr deputetëve që ligjërisht janë mandatuar të bëjnë opozitë. Shqiptarët i kanë votuar si opozitar, kurse PS me një vendim absurd ka abortuar qysh në lindje këtë mundësi. Sa më shumë zgjat bojkoti i parlamentit, aq më shumë ashiqare do të duket nesër që ky bojkoti ishte një marrje boje komplet koti, fiks si boja e pallateve të Tiranës që kanë shërbyer as më shumë e as më pak si fasadë për të mbuluar lejet e ndërtimit.Për të fshehur problemet e ndryshme që partia socialiste ka pasur dhe vazhdon të këtë është preferuar të sulmoj me tym opinioni publik për t’u mbrojtur, për t’u mbyllur në disa pozicione të panegociushme që s’do mend janë të papranueshme. Mirëpo në këtë mes futen tërthorazi deklaratat për hyrje në parlament të deputetëve të LMN-së, ku natyrisht nuk bëhen për hir të Sali Berishës (sepse këtë thotë medium-propaganda e egoarkut), por kryesisht bëhen me një vijueshmëri logjike dhe arsye që në fakt përbën edhe mendimin e kundërt me atë Ramës në PS; këta thonë që bojkoti nuk solli asgjë në aksionin e deritanishëm politik të PS, prandaj është përgjegjshmëri demokratike hyrja në odën e demokracisë. A e kupton këtë gjë Edi Rama? Pyetje retorike. Natyrisht që jo....