E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bien qeratë e shtëpive e dyqaneve në Tiranë

 

Vështirësitë ekonomike dhe mungesa e kërkesave kanë sjellë uljen e parë të fortë në çmimet e qerave

Një vit më parë, nëse kërkoje shtëpi me qera në Tiranë, qe pothuajse e pamundur të gjeje një ofertë, qoftë për një garsonierë, me çmim më të ulët se 20 mijë lekë të rinj. Në periudha të ndryshme të vitit, numri i shtëpive të ofruara me qera qe aq i ulët sa, as ofertat 20 mijë deri në 30 mijë lekë nuk ishin të bollshme. Por kjo situatë duket se ka ndryshuar tashmë. “Njerëzit janë të etur për të gjetur qiramarrës sa më parë dhe çmimet janë në rënie”, - thotë një agjent pronash të paluajtshme në Tiranë. “Njerëzit që kërkojnë të marrin shtëpi me qera, kërkojnë ofertat më të lira të mundshme dhe klientë që mund të paguajnë shtrenjtë, është vështirë të gjesh”, - vijon ai. Në rritje janë edhe ofertat për ndarje qeraje për të njëjtën banesë, ose për dhënien me qera të vetëm një dhome. Bollëku i ofertave ndjehet në të gjithë Tiranën, nga qendra në periferi. Ndërkohë, numri i njoftimeve për ambiente të destinuara për të huajt me qera të shtrenjtë, është në rënie.

Vitin e kaluar, qeraja e banesave në Tiranë qe mesatarisht 5-7 euro për metër katror në muaj. Sot ka zbritur në 3-5 euro për m2. Në zonat në periferi të Tiranës, apartamente 1+1 apo 2+1 të ndërtuara rishtazi, ofrohen për qera mujore 25-30 mijë lekë. Në zonat e reja urbane si në Kinostudio apo Unaza e Re, çmimet kanë rënë në nën 15 mijë lekë në muaj.

Efekt sezonal dhe pasiguri ekonomike

Një nga shkaqet e rënies së çmimeve të banesave në muajt e fundit lidhet me sezonin e studimeve. Shumë njerëz përgatiten të gjejnë një qiramarrës të ri, pasi të jenë larguar studentët, që sipas një agjencie përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullatës totale të Tiranës që jeton me qera. Por arsyeja tjetër e rënies së çmimeve lidhet edhe me pasigurinë ekonomike të qytetarëve. Për shkak të mungesës së sistemit të mbrojtjes shoqërore, një i papunë e ka të pamundur të paguajë qeranë. Sipas një sondazhi të kryer muajin e kaluar, 32% e popullatës rezultoi se i druhej papunësisë.

Apartamente stok

Ndërkohë, është shtuar numri i ofertave të dyfishta, ku pronari e ofron apartamentin ose për shitje ose për qera afatgjatë. Rënia e shitjeve të apartamenteve gjatë vitit të kaluar me katër herë, sipas Bankës së Shqipërisë, ka krijuar një sasi të konsiderueshme apartamentesh të padhëna me qera ose të pashitura. Këto apartamente ndikojnë fort në rënien e çmimeve sepse janë të pamobiluara e rrjedhimisht, të papërshtatshme për një gamë të gjerë klientësh qiramarrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›