E ardhme e zezë për energjinë elektrike
Ekspertët ndërkombëtarë paralajmërojnë se çmimet në Ballkan mund të rriten më tej vitin e ardhshëm
Kriza energjetike në rajonin e Ballkanit, e cila po përjetohet aktualisht plotësisht nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, do të përfshijë edhe vendet e tjera gjatë viteve në vijim dhe ka shumë pak shpresa që çmimet të ulen. Ky është paralajmërimi i ekspertëve në Bullgari, Hungari e Serbi. Sipas ekspertëve, i gjithë rajoni do të jetë deficitar rreth vitit 2012, ndërkohë që kapacitetet e vetme gjeneruese të reja, do të mund të instalohen në Hungari vetëm nga viti 2013.
Sipas një studimi të Bankës Botërore, Ballkani ka nevojë urgjente për investime prej 9 miliardë eurosh, për të garantuar furnizim të rregullt. Por deri sa një pjesë e vogël e këtyre investimeve të fillojnë punë, i gjithë rajoni do ta ketë të vështirë të përballojë konsumin në rritje dhe mungesën e importeve.
Çmimet e energjisë elektrike janë dyfishuar në Ballkan gjatë dy viteve të fundit, por perspektiva është që këto çmime të rriten më tej në vitet e ardhshme. Vetëm hapja e tregjeve nga vendet e rajonit mund të shpëtojë qytetarët nga çmimet më të larta të dritave.
Që prej vitit 2002, kambanat e alarmit të krizë energjetike në rajonin e Ballkanit kanë qenë të shpeshta. Të gjitha vendet e kanë ndjerë krizën e kanë shtrirë dorën për të kërkuar para për energjinë, në çdo lloj konference donatorësh. Në vitin 2005, BE miratoi një kuadër bashkëpunimi, që paralajmëroi se rajoni ka nevojë për një unazë energjetike për t’u integruar në këtë mënyrë me rrjetin europian të energjisë.
Por politika e vendeve të rajonit po tregohet kokëfortë kundrejt kërkesave të BE-së për liberalizimin e tregut. Sipas Entit Rregullator të Energjisë në Shqipëri, “disa vende të Ballkanit nuk janë transparente në deklarimin e kapaciteteve të veta transmetuese”, duke shkaktuar rritje artificiale të çmimeve dhe ofertë të ulët. Kapacitetet e para gjeneruese dhe transmetuese në fushën e energjisë elektrike në Shqipëri pritet të hyjnë në punë rreth gjysmës së dytë të vitit të ardhshëm. Termocentrali i Vlorës me fuqi 93 mega do të plotësojë rreth 30% të deficitit ekzistues të vendit tonë, ndërsa linja e interkonjeksionit Elbasan-Podgoricë do të mundësojë hapësira më të mëdha për importe në periudha pik të konsumit, duke sjellë rritje të përgjithshme të performancës. Vlerësohet se Shqipëria humbet rreth 60% të potencialit të saj prodhues të energjisë elektrike, si pasojë e mungesës së integrimit me rrjetin rajonal.