Referendumi, KQZ rrëzon kërkesën
“Nismat për ndryshime kushtetuese vijnë vetëm nga 1/5-ta e deputetëve”
TIRANË- Merr fund nisma e Lëvizjes Socialiste për Integrim për mbajtjen e referendumit popullor kundër ndryshimeve kushtetuese. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar dje me 8 vota kundër dhe 1 pro, kërkesën e Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës (KMK) për pajisjen me formularin tip për mbledhjen e firmave për mbajtjen e referendumit për shfuqizimin e ligjit 9904, ose thënë ndryshe shfuqizimin e amendamenteve kushtetuese të miratuara më 21 prill me 114 vota në Kuvend, me argumentin se nuk është ai institucioni që duhet të vendosë për një referendum kushtetues.
Kërkesa
Por përpara se të arrihej në këtë vendim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për më shumë se dy orë është njohur nga afër me pretendimet e palës nismëtare dhe ka diskutuar për ligjshmërinë e kërkesës së tyre, referuar kjo edhe hapësirave që përcakton vet Kushtetuta për ndryshimin e saj. Debati është përqendruar kryesisht në nivelin juridikë dhe përcaktimin e llojit të referendumit që kërkonin të mbanin nismëtarët. Artur Zheji e Andrea Stefani, deputeti i LSI-së Spartak Braho dhe avokati i tyre Bledar Fejzo, kanë sjellë argumentet e tyre, sipas të cilëve, nisma e tyre duhej të pranohej. Por ndryshe nga pretendimet e palës nismëtare, përfaqësuesit e dy partive të mëdha në KQZ, Njazi Kosovrasti i PD-së dhe Genci Çela i PS-së janë shprehur se kërkesa vjen në kundërshtim me përcaktimet që bënë vet ligji themeltar i shtetit.
Argumenti
Sipas Kosovrastit, kërkesa nuk ishte korrekte pasi nuk bën të qartë nëse referendumi kërkohet për amendimin e kushtetutës apo për shfuqizimin e një ligji apo të një pjese të tij. Referuar neneve 177 dhe 150 të Kushtetutës, Kosovrasti ka shpjeguar se kërkesa për shfuqizimin e ligjit 9904 përbën në vetvete një kërkesë për ndryshimin e vet Kushtetutës, pasi vet ndryshimet e bëra nëpërmjet atij ligji tashmë janë integruar në ligjin themeltar që nga momenti që u dekretuan nga presidenti dhe për rrjedhojë nuk mund të konsiderohen si pjesë e një ligji të veçantë. “Nismat për ndryshime kushtetuese vijnë vetëm nga 1 e 5 e deputetëve.Ndërsa nëpërmjet nenit 150 të Kushtetutës u jepet e drejta 50 mijë zgjedhësve për të kërkuar nëpërmjet referendumit shfuqizimin e një ligji të një pjese të tij apo për të vendosur për një çështje të rëndësisë së veçantë, por jo të Kushtetutës“, - u shpreh Kosovrasti. Për këtë arsye, ai ka vlerësuar se kërkesa e paraqitur nga KMK është e pavlefshme, pasi i drejtohet një institucioni jo të duhur. “Në këto kushte unë mendoj se jemi përpara kërkesës për një referendum kushtetues dhe jo të një kërkese për referendum të përgjithshëm. Kërkesat për referendum kushtetues nuk i drejtohen Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por i drejtohen sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit dhe jo nëpërmjet një numri të caktuar zgjedhësish por nëpërmjet 1/5-tës së deputetëve, shans i humbur prej jush për shkak të afateve kohore”, - ka shtuar më tej Kosovrasti duke kërkuar njëkohësisht prej KQZ-së që ta hedhë poshtë këtë kërkesë. Pavarësisht debateve të gjata, të cilat disa herë kanë kaluar dhe normat e një sjelljeje normale, KQZ ka rrëzuar me shumicë votash kërkesën për mbajtjen e referendumit kundër ndryshimit të kushtetutës.
Fejzi Braushi