Pavarësia e institucioneve, Uidhers vlerëson Topin
Situata politike dhe pavarësia e institucioneve ishin temat e diskutuara mes Topit dhe dy ambasadorëve, Uidhers dhe Lohan
TIRANË- Menjëherë pas kthimit të tij nga Italia, presidenti i Republikës, Bamir Topi e ka filluar ditën e tij të punës me një axhendë të ngjeshur, duke pritur që në orën 10.00 të paradites Ambasadorin e Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, e më pas me një tjetër takim të rëndësishëm me Ambasadorin amerikan, Xhon Uidhers. Ky i fundit, vlerësoi rolin moderator dhe pozitiv të presidentit Topi në garantimin e Kushtetutës dhe të pavarësisë së institucioneve demokratike e kushtetuese. Ambasadori amerikan e siguroi Kreun e shtetit shqiptar mbi mbështetjen e fuqishme e të palëkundur të Shteteve të Bashkuara për demokracinë shqiptare, për sistemin e drejtësisë dhe institucionet e pavarura, si edhe për integrimin e plotë të Shqipërisë në NATO. Përpos mesazhit të përcjellë përmes njoftimit zyrtar të Presidencës, asgjë tjetër nuk është bërë publike nga Presidenca lidhur me takimin, duke respektuar bisedën e zhvilluar mes tyre. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për takimin që Presidenti i Republikës zhvilloi me Ambasadorin e Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan. Në rast se do t’i referohemi njoftimit zyrtar, mund të thuhet farë mire se, edhe me ambasadorin Lohan janë ndarë të njëjtat çështje, që lidhen me situatën politike në vend dhe institucionet e pavarura. Megjithatë gjatë takimit me këtë të fundit, presidenti Topi ka prekur jo pak edhe çështjen e nxehtë që lidhet me dekretet për emërimin e pesë anëtarëve të Gjykatës së Lartë, që mesa duket do të jetë edhe pjesë e raportit vjetor për Shqipërinë. Kështu, sipas njoftimit zyrtar të Presidencës, kreu i shtetit dhe ambasadori Lohan diskutuan dhe shkëmbyen pikëpamje rreth situatës politike në vend, reformave të ndërmarra, forcimit të shtetit ligjor dhe të institucioneve demokratike të pavarura, ndarjes dhe ekuilibrimit të pushteteve, si edhe ruajtjes e përmbushjes së standardeve të nevojshme për integrimin e Shqipërisë në familjen e madhe evropiane. Në kuadër të përpilimit të Raportit Vjetor të Përparimit të Shqipërisë, Ambasadori Lohan u informua dhe shkëmbeu mendime me presidentin Topi rreth zhvillimeve më të fundit në Shqipëri, reformës në sistemin e drejtësisë dhe atë zgjedhore, procedurave ligjore të emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Ligjit të Legalizimeve.