Bien të ardhurat e buxhetit, qeveria rrit shpenzimet
Fabiola Çela
Bien të ardhurat në buxhetin e shtetit. Gjatë tre muajve të parë të vitit, administrata doganore dhe ajo tatimore kanë mbledhur më pak para, çka ka ndikuar në rënien e të ardhu-rave në buxhet.Por e kundërta ka ndodhur me shpenzimet. Duke qenë në prag të fushatës elektorale, qeveria ka rritur ndjeshëm shpenzimet. Por kjo ka shkaktuar edhe rritjen e deficitit buxhetor. Sipas raportit më të fundit të Bankës së Shqipërisë “Tremujori i parë i vitit 2009, ndryshe nga 3 vitet e mëparshme është karakterizuar nga rritja e shpejtë e shpenzimeve dhe e deficitit buxhetor”.
Raporti
Sipas raportit të BSH-së, të ardhurat e akumuluara gjatë tremujorit të parë 2009 kanë shfaqur një rritje në terma vjetorë prej 14 për qind, duke shënuar kështu një reduktim të ritmit të rritjes nga një vit më parë. BSH-ë ka renditur edhe taksat që janë mbledhur më pak se një vit më parë, si TVSH-ja, tatimi mbi fitimin, akcizat, taksa doganore si dhe të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore. Por ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit qeveria ka rritur ndjeshëm shpenzimet buxhetore. “Shpenzimet buxhetore gjatë tremujorit të parë 2009 janë realizuar me rreth 76 miliardë lekë, 24 për qind e të cilave i përkasin shpenzimeve kapitale. Ky raport përbën vlerën më të lartë të peshës së shpenzimeve kapitale ndaj totalit të shpenzimeve të realizuara gjatë tremujorit të parë të vitit. Shpenzimet kapitale të realizuara gjatë T1 2009 rezultojnë rreth 2.6 herë më të larta nga i njëjti tremujor i një viti më parë. Financimi i tyre është mundësuar në pjesën më të madhe nga burimet e brendshme (90 për qind) dhe shpenzimet për rrugën Durrës-Kukës përfaqësojnë rreth 44 për qind të totalit të shpenzimeve kapitale të realizuara gjatë kësaj periudhe.
Në terma vjetorë, në pjesën e parë të vitit 2009 shpenzimet totale janë rritur me rreth 43 për qind, vlerë e cila përfaqëson rritjen më të lartë vjetore për dhjetëvjeçarin e fundit”, thuhet në raport.
Të ardhurat
92 për qind është realizimi i planit për TVSH-ë 95 për qind është realizimi i planit për tatimin mbi fitimin 6 për qind është rritja vjetore e të ardhurave nga akciza ose më e ulëta e 7 viteve të fundit