E Diel, 1 Nëntor 2026

Zogaj: Nuk më vjen mirë që një maqedonas, që nuk është në NATO, do lëvizë pa viza

Nga BBC

Në Tiranë forcat politike lexojnë ndryshe nga njëra-tjetra një raport të Brukselit për liberalizimin e vizave.

Por ato pranojnë se zgjedhjet e 28 qershorit janë shansi vendimtar për këtë.

Në Tiranë prej disa ditësh është mësuar përmbajtja e një raporti të Komisionit Evropian për Shqipërinë, i cili fillon të shqyrtohet të hënën në Bruksel me ekspertë të vendeve të BE.

Pritet që në fund të qershorit, vendeve të BE t'u rekomandohet heqja e vizave me Maqedoninë që i përmbush, sipas raportit, të gjitha kriteret.

Shqipëria vlerësohet të jetë mbrapa Malit të Zi dhe Serbisë dhe në një grup me Bosnjë-Hercegovinën, në përmbushjen e tyre. Vlerësimi i Komisionit Evropian vjen në kohë fushate zgjedhore në Shqipëri dhe lexohet ndryshe nga forcat politike, por ato pranojnë se zgjedhjet janë prova e vërtetë e Shqipërisë për të përfituar liberalizimin e vizave me vendet e BE.

Preç Zogaj, kryetari i Komisionit të Jashtëm të Kuvendit, thotë se nuk i vjen mirë që një shqiptar i Maqedonisë, vend që nuk është në NATO, do të lëvizë nëpër Evropë pa viza më shpejt se një shqiptar i Shqipërisë që është një vend anëtar i NATO-s.

Demokratët thonë se premtimi i tyre është për lëvizje të lirë brenda vitit të parë të mandatit të tyre qeverisës dhe se qytetarët duhet të pajisen sa më shpejt me dokumente identifikimi të sigurta: letërnjoftime dhe pasaporta biometrike. Por Ditmir Bushati, ish-drejtori i Lëvizjes Evropiane, që kandidon për deputet nga PS, thotë se qeveria aktuale është përgjegjëse e kësaj ngadalësie në plotësimin e ëndrrës shqiptare për lëvizje të lirë në Evropë.

Mësohet se Shqipërisë do t'i duhet edhe një raport tjetër, ai i vjeshtës, për të arritur një përfundim që do të varet nga mënyra se si do të kryhen zgjedhjet e 28 qershorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›