Shqiptarët më shumë para për sigurimin e makinës se për jetën
Rriten të ardhurat për kompanitë e sigurimit. Ky vit ka qenë i mbarë për kompanitë, pasi gjatë këtyre muajve të ardhurat nga kontratat e reja kanë pësuar rritje. Por ashtu si më parë edhe këtë vit tregu i sigurimeve vazhdon të jetë i orientuar drejt sigurimit të jo-jetës, çka do të thotë se shqiptarët shpenzojnë më shumë para për sigurimin e makinës sesa për jetën. Sipas të dhënave më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), gjatë periudhës janar-prill numri i kontratave të sigurimit të lidhura, arriti në 230,621 duke shënuar një rritje prej rreth 29% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2008. Rritja e numrit të kontratave në 2009 u shoqërua me rritjen e vëllimit të të ardhurave nga primet. Primet e shkruara bruto të sigurimeve arritën në rreth 2,659 milionë lekë, shifër kjo 29% më e lartë se ajo e të njëjtës periudhë të vitit 2008. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar te sigurimet e Jo-Jetës, që sollën rreth 92% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 8%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 46% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 54% të totalit të tregut. Rritja e volumit të primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar, tregon për një ndryshim të strukturës së tregut të sigurimeve, ndikuar nga rritja e ndjeshme e sigurimeve vullnetare. Vëllimi i primeve të sigurimit të Jetës arriti në rreth 208 milionë lekë me një rritje prej 32%, krahasuar periudhën janar - prill të vitit 2008.