Kandidatët për deputetë të PS lënë fushatën për një foto me Ramën
Një foto me kryetarin e partisë, Edi Rama, ka sjellë dje në Tiranë kandidatët për deputetë të PS nga të gjitha qarqet. Kandidatët socialistë janë shkëputur dje nga fushata e tyre elektorale në qarqe, dhe kanë mbërritur në Tiranë, të thirrur nga Rama, me qëllim realizimin e një fotografie me kryetarin e partisë, që do të shërbejë për postera, fletëpalosje dhe spote publicitare, të cilat do të përdoren përgjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 28 qershorit. Kandidatët e PS në bazë qarku kanë mbërritur dje te selia e PS në orare të caktuara, sipas qarqeve. Asgjë tjetër veçse një foto me kryetarin e partisë, i ka bërë ata që të shkëputen nga fushata elektorale. Imazhi i Ramës, pritet të jetë dominues ndaj kandidatëve për deputetë të PS në të gjitha qarqet, në posterat, fletëpalosjet apo spotet publicitare dhe elementë të tjerë të imazhit në fushatën elektorale. Për shkak edhe të sistemit të ri elektoral, imazhi i kryetarit do të dominojë gjithçka ka të bëjë me PS, ndërsa kandidatët për deputetë janë një pjesë e vogël e këtij imazhi.
Tri ditë më parë, kryetari i Partisë Socialiste ishte në një vizitë të paparalajmëruar në Bulqizë, në minierën e Bulqizës, me qëllim realizimin e një spoti publicitar që do të përdoret gjatë fushatës elektorale, krahas spoteve të tjera. Ai ka mbërritur në minierën e Bulqizës në orët e vona të natës të së shtunës, i pashoqëruar nga drejtues lokalë të PS apo zyrtarë të tjerë të kësaj partie, por vetëm në shoqërinë e fotoreporterëve dhe kameramanëve. Për të realizuar spotin publicitar, Rama ka hyrë deri në nivelin e pestë të pusit nr. 2, në minierën e Bulqizës, ku dhe ka formuluar mesazhin e parapërgatitur në funksion të fushatës elektorale.