E Shtunë, 31 Tetor 2026

Big Presidenti

LUÇIANO BOÇI

Konsumimi i raundit të tretë për gjetjen e një Presidenti nonsensual dhe dorëheqja jo shumë e papritur e zotit Zaganjori rrëzuan parashikueshëm të gjitha llojet e dilemave profane, sipas të cilave e majta ishte e interesuar për një zgjidhje konsensuale. Për ironi, jo të rastit, të fatit dhe në vazhdën e logjikës tallëse me fatet e këtij vendi, këtë zgjidhje e parashtroi në mënyrë kryeneçe vetë dhe pas plotësimit pa kushte nga ana e maxhorancës, e shpërfilli poshtërsisht brenda një loje personale vetëkënaqësie që më shumë se politike ishte një imitim i shëmtuar i një prej reality show-ve më të ndjekur, Big Brother. Në këtë rast, brenda kësaj dhe BigPresidenti si Presidenti i të gjithëve, i pretenduar si dëshirë dhe si realizim i politikës, i faktorit ndërkombëtar dhe i opinionit publik, u tradhtua si shumë çështje të tjera të mëdha, pikërisht nga ai që sot konsiderohet si Big Jago (Jago, personazhi shekspirian) i politikës.
Besnike ndaj procesit kushtetues dhe rigoroze në sjelljen e saj politike, maxhoranca evoluoi drejt një konsultimi shumëpalësh dhe shumëplanësh që përfshiu jo vetëm aleatët qeverisës, por dhe spektrin opozitar. Njëkohësisht, sjellja e saj luajale ndaj emrave të njohur si kundërshtarë politikë, të vetofruar si kandidatë për President, iniciativa e saj për të dalë mbi konfliktet e ditës dhe për të realizuar takime që deri në ato momente ishin konsideruar tabu, si dhe vendimi i saj për të sjellë para Parlamentit një Big President, larg deklaratave të deriatëhershme, i cili tejkalonte dhe identikitet më fanatike të lidershipit të majtë, kristalizoi pak nga pak jo thjesht një rezultat, por pretendoi të instalonte një kulturë politike me kah nga Kushtetuta, po aq sa dhe me një këndvështrim bashkëpunues ekzemplar.
I alarmuar nga normaliteti i një procesi tërësisht kushtetues dhe i disinteresuar plotësisht për një përfundim konkret, Rama hodhi, hap pas hapi, brenda një egoje të ripërsëritur, pengesa bllokuese, refuzim pas refuzimi të emrave të mundshëm, të cilat krijuan stanjacionin zgjedhor të raundeve konsensuale.
Për memorie ishte vetë Rama, i cili, si njohës i mirë i vetvetes më 2008-n, kërkoi që Kushtetuta të sanksiononte zgjedhjen më pas me shumicë të thjeshtë dhe ishte po ky Ramë që kërkoi fillimisht me ngulm mosaplikimin e këtyre raundeve, duke i parë ato si elemente frustruese për opozitën.
Por, në fakt, ajo që e çoi Ramën drejt këmbënguljes, pothuaj infantile, për konsensus politik, pavarësisht se në sfond u mundua ta bashkëlidhë procesin e zgjedhjes së Presidentit me procesin e marrjes së statutit të vendit kandidat, ishte hija e një prej figurave drejtuese të PD.
Dhe kur rrjedha e konsensusit me iniciativën e maxhorancës u konkretizua, Rama u fut në një tjetër dilemë, pasi një tjetër hije e kishte trand totalisht atë. Dhe kjo ishte hija e ish-liderit historik të së majtës, i cili me nuanca të forta kalorsiake, u vetofrua si kandidat i mundshëm konsensual. I gjendur midis dy frikëndjellësve të tij dhe një Big Presidenti që do të interpretohej në rast zgjedhjeje si sukses i politikës, sidomos i qeverisë, Rama zgjodhi sipas maksimës heshtja është flori, megjithëse u shqye nëpër editoriale për përmbysjen e qeverisë, as të pranojë propozimin dhe as të japë propozime.
Brenda kësaj klisheje hermafrodite, ai nuk reshti së bëri diversion brenda maxhorancës, herë duke mikluar dhe herë duke anatemuar vijësjelljen politike të LSI-së, me qëllim krijim e një aleance të ëndërruar të minutës së fundit, jo për të zgjedhur Presidentin, por për të vënë në pikëpyetje qeverisjen. Aq pasionante ishte kjo dëshirë e tij, sa ende dhe sot ai nuk dallon humorin e trishtë brenda të cilit ka rënë si dhe pamundësinë reale dhe faktike të tij për ta lënë vendin pa President. Një iluzion i tillë mund ti jetë krijuar siç duket dhe nisur nga fakti që dogji me vullnet të plotë, përgjatë tri raundeve bosh, Presidentin e të gjitha palëve (Big Presidentin).
I gjendur në këtë pikë, procesi i zgjedhjes së Presidentit, i cili falë insistimit të maxhorancës ka ruajtur kushtetutshmërinë e tij, zbriti në arenën votuese me shumicë të thjeshtë, njëkohësisht si logjikë politike dhe si padëshirë e së majtës për të pranuar konsensusin e dhënë me shumë gjenerozitet.
Pas kësaj, zgjedhja e Presidentit shtyhet jo drejt Presidentit të të gjitha palëve politike (Big Presidentit), por drejt Presidentit të një pale (Hard Presidentit), që gjithsesi, me siguri do të jetë i të gjithë shqiptarëve.
Dhe këtu Rama, tashmë i detyruar të sjellë kandidat, vendoset para fobisë së tij të përhershme, votës, të cilën gjithmonë e ka humbur. Dhe thjesht në këtë rrugëtim, Rama ka fituar kohën që fiton një i dënuar kur kërkon krehrin për tu krehur, në këtë rast mjekrën, dhe ka fituar inatin e shqiptarëve, të cilëve dhe një herë tjetër u doli përpara për ti penguar në aspiratën e tyre europiane.
Dhe meqenëse dogji Big Presidentin dhe i dëshpëruar që nuk ndali dot zgjedhjen e Hard Presidentit, do ta dëgjoni pas kësaj të riflasë dhe ribërtasë për big vjedhje votash brenda një ëndrre dhe makthi që nuk i mbaron kurrë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›