Presidenti i ri: Prapaskena, ja përse u tërhoq Zaganjori

Xhezair Zaganjori
Çfarë ndodhi dje në mesditë. Kandidati për President: Opozita skishte besim tek unë. Meta takon Berishën: Ska kohë
Propozimi i maxhorancës për postin e kreut të shtetit tërhiqet nga kandidimi pak orë pas raundit të tretë në Parlament.
Nuk e pranoj më kandidimin, opozita nuk ka besim tek unë
Kandidati i mbështetur nga maxhoranca për postin e Presidentit, Xhezair Zaganjori, tërhiqet nga gara vetëm pak orë pasi në Parlament dështoi raundi i tretë i votimit. Nëpërmjet një deklarate për mediat, në përfundim të ceremonisë së 20-vjetorit të Gjykatës Kushtetuese, anëtari i saj tha se nuk do të jetë më pjesë e këtij procesi. Ai e justifikoi këtë tërheqje me faktin se do të jetë një President i paragjykuar nëse do të zgjidhet pa votat e opozitës. Pas qëndrimit të shprehur disa herë së fundi nga Partia Socialiste se emri i Zaganjorit nuk është konsultuar me të, kandidati për President tha se pakica nuk ka besim tek ai. Nuk jam më kandidat për raundin e katërt, nuk pranoj që të jem kandidat për raundin e katërt. Për mua ka shumë rëndësi fakti që opozita nuk ka besim tek unë dhe do të paragjykohet çdo vendimmarrje e imja në një kohë që Shqipëria përballet me sfida të jashtëzakonshme. Është reforma zgjedhore, janë zgjedhjet e vitit që vjen, reforma në Drejtësi që duhet të bëhet, çështja e pranimit të Shqipërisë për të fituar statusin e vendit kandidat e me radhë, u shpreh Zaganjori. Në të njëjtën kohë, anëtari i Gjykatës Kushtetuese tha se nga ky proces nuk i vjen keq për asgjë, megjithëse aludimet për presione apo takime që çuan në dorëheqjen e tij do të jenë të shumta. Në fjalët e fundit të komunikimit me mediat si kandidat për President, Zaganjori falënderoi maxhorancën që e propozoi. Në këto kushte paragjykimi unë deklaroj me bindje të plota dhe jam i sigurt që analistët do të thonë se ka pasur presione, ka pasur takime…. Nuk më vjen keq për asgjë. Unë falënderoj ata që më propozuan. Do të uroja që ky proces të mbyllej dhe të zgjidhej një kandidat i përshtatshëm, tha Zaganjori. Emri i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese ishte produkt i tryezës së partive të koalicionit qeverisës që u mblodh mbrëmjen e 30 majit në Kryesinë e Kuvendit, vetëm pak orë pasi ishte djegur raundi i parë i votimit. Pas tri takimeve radhazi të Berishës me aleatët e tij Meta, Idrizi dhe Mediu, u ra dakord që të ishte pikërisht Xhezair Zaganjori ai që do ti dërgohej Partisë Socialiste. Kjo e fundit e refuzoi që atë natë kandidaturën e paraqitur dhe zyrtarisht Ruçi ia deklaroi homologut të tij, Astrit Patozi, një ditë më vonë. Megjithatë, ish-ambasadori i Shqipërisë në Gjermani pati mbështetjen e fortë të maxhorancës. Kryeministri Berisha dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, i bënë disa herë apel opozitës ta pranojë emrin e Zaganjorit, i cili, megjithatë, nuk i mblodhi asnjëherë firmat për të kandiduar zyrtarisht. Paralelisht me mbështetjen e maxhorancës, anëtari i Kushtetueses tentoi vetë që të merrte konsensusin e opozitës kur shkoi në selinë e PS-së për të takuar Edi Ramën. As takimi me liderin e opozitës nuk ndryshoi gjë, teksa Parlamenti konsumoi dje edhe raundin e tretë të votimit, hera e fundit që sipas Kushtetutës kërkon 84 vota për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
Përplasja e Zaganjorit me nenin e Kushtetutës
Kandidimi dhe zgjedhja e Xhezair Zaganjorit si President do të përbënte një precedent sa ligjor, edhe moral. Vetë anëtari i Gjykatës Kushtetuese e kishte futur veten në një paradoks të pajustifikueshëm si President i ardhshëm. Zaganjori, me vendimin që kishte marrë në Gjykatën Kushtetuese në favor të qëndrimit të tij në detyrë deri në zëvendësimin e tij, kishte kaluar çdo limit kushtetues. Zaganjori kishte deklaruar se nuk do të largohej derisa të votohej në Parlament anëtari i ri i kësaj gjykate. Këtë veprim ai e mbështeste në nenin kushtetues, që thotë se anëtari i Gjykatës Kushtetuese qëndron në detyrë deri në zëvendësimin e tij. Por Zaganjorit i kishte mbaruar mandati prej dy vjetësh dhe qëndrimi i tij në detyrë ishte përtej çdo limiti logjik të pranuar. Por, nëse do të kishte qëndruar në garën për President dhe do të zgjidhej, Zaganjori do të duhej të largohej nga Gjykata Kushtetuese si anëtar i saj para se të zëvendësohej. Kjo do të ishte një nga çështjet ankimuese të çdo subjekti, përfshirë këtu edhe opozitën, në Gjykatën Kushtetuese.
Prapaskenat, kandidati u largua pas presionit të familjes
Bisedimet brenda koalicionit, sot takimi mes Kryeministrit e kreut të LSI

Xhezair Zaganjori
Berisha dhe Meta nuk e dinin për dorëheqjen e gjyqtarit
Pak orë pasi në Parlament u përcaktua se të hënën do të zhvillohej raundi i katërt i votimit dhe sipas të gjitha gjasave Presidenti i ri i vendit do të ishte Xhezair Zaganjori, anëtari i Gjykatës Kushtetuese zë në befasi klasën politike duke u tërhequr.
Përmes një deklarate për mediat ai prishi gjithçka që maxhoranca kishte ndërtuar deri ditën e djeshme.
Presionet për Zaganjorin
Ditët e fundit, anëtari i Gjykatës Kushtetuese u akuzua nga opozita se kishte shkelur ligjin themeltar të shtetit kur qëndroi në detyrën që mban edhe përtej mandatit. Në seancat e fundit ai është vlerësuar si kandidaturë e njëanshme nga kreu i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi. Burime të gazetës bëjnë të ditur se gjatë këtyre ditëve Zaganjori ka pasur presionin e familjes, por edhe të njerëzve të tjerë përreth tij, për të hequr dorë nga kandidimi. Ndërkohë, në përfundim të seancës së djeshme, ku u ezaurua edhe raundi i tretë i votimit, shumica e kishte të qartë rrugën që do të ndiqte: të hënën Shqipëria do të kishte Presidentin e ri, dhe ai do të ishte pikërisht ish-ambasadori shqiptar në Gjermani. Aq e sigurt ishte kjo, saqë konfirmohet edhe nga një deklaratë për mediat e kreut të LSI-së, Ilir Meta. Unë jam i bindur që do të kemi patjetër një President të ri. Ju e dini qëndrimin tim lidhur me kandidaturën e Zaganjorit dhe me konfirmimin e vazhdueshëm të cilësisë dhe standardit që është vendosur për kandidatin për President të Republikës, por kjo asnjëherë nuk e ka përjashtuar mundësinë e opozitës për të propozuar kandidatura alternative konsensuale, tha Meta. Por, rreth dy orë pas kësaj deklarate të liderit të LSI-së, ngjarjet morën një rrjedhë krejt të paparashikuar. Xhezair Zaganjori njoftoi mediat për një prononcim të shkurtër, ku do të fliste pa letër. Në një kohë që ai u largua nga zyra e tij për tu takuar me gazetarët, telefonin e kishte lënë në tavolinën e punës duke u karikuar. Para mediave, anëtari i Kushtetueses deklaroi tërheqjen nga gara për President, ndërkohë që pak metra më larg, në telefonin e tij u regjistruan thirrje të humbura të Kryeministrit Berisha dhe kreut të LSI-së, Ilir Meta. Vetëm pasi u kthye në zyrë ai mësoi qëndrimin e maxhorancës për ta votuar me 71 vota në raundin e katërt, por tani ishte vonë, pasi lajmi ishte transmetuar në media.
Negociatat
Maxhoranca është gjetur e papërgatitur nga kjo lëvizje dhe ka nisur gjithçka nga e para. Kryeministri Sali Berisha është takuar me kreun e LSI-së, Ilir Meta, për të biseduar për