…Dhe vajtën në Parlament si për kryet shëndosh!
Në mbledhjen katërshe të turit paraardhës, kryetari i opozitës donte të ishte i qeshur. Por kjo gjendje e ré e dukjes së tij, ishte e panatyrshme. Ai nuk dinte të qeshte. Kështu, që të jemi të saktë, ai ngërdheshej. Madje mundohej të nënshtronte edhe gjestikulacionet, që i kishte zanat që në kohën e unazave në vesh dhe të pantallonave me lulka.
Tanimë na duhej kruar edhe zëri, që duhej zbutur, disí. Bëri si bëri dhe e “rregulloi” atë “Saliu”, me “zoti Berisha” ndërsa kryeministri, gjatë fushatës për bashkinë, e quante gjithmonë z. Rama. Siç e quante edhe kandidati për kryetar të bashkisë, z. L. Basha, të cilin ai vetë, Rama, e quante Lulzim Saliu...
Tani na u bë tebdil perëndimor. Paçka se ish-ministri i Brendshëm i R. Alisë, sot, nr. 2 i PS-së së Edi Ramës, i kishte përfolur perëndimorët, disa muaj më parë, se “na ishin bërë rodhe nëpër këmbë” dhe kryetari s’e kishte kundërshtuar asfare. Më datën 8 qershor, pas raundit të dytë, çehreja e fytyrës së vrerosur mori pamjen e saj natyrore të kryetarit. Si të thuash, çehrenë e prishur. Natyrisht edhe të tjerët, ata të Asamblesë, sidomos, i ngrysën vetullat, në sintoní me shefin autoritar. U duk dielli që në sabah kur, njëri pas tjetrit,po i afroheshin Portës së Parlamentit.
-Edhe këto dreq gazetaruckash na u dashkan nëpër këmbë, - mendoi numri 2 . Sikur t’ia ndiente vetja. Gazetarja i doli përpara: - Përse nuk e vutë edhe ju si kandidatin tuaj, zotin Nano? Zoti Gramoz shpejtoi hapat. Gazetarja, pas tij. Të njëjtën pyetje. I pyeturi bëri sikur nuk dëgjoi.
Ndërkaq po afrohej tjetri. Gazetarja i doli përpara edhe këtij. Duket se intervista e saj ishte me një pyetje. Ia drejtoi edhe atij pyetjen e vetme. Edhe ky, pasi e pa me inat, shtrëngoi nofullat dhe nuk e hapi gojën. Vetëm Bashkim Fino e hapi gojën. Tërë nervozitet i tha: - Kush ta ka thënë se s’mund të jetë kandidat? Mos i trilloni gjërat e bëni pyetje të kota...
Të tjerët, pas tij, preferuan heshtjen, si të parët. Dikujt duhet t’i jetë kujtuar ajo thënia për atë që i digjej mjekra dhe për atë tjetrin që donte të ndizte cigaren! Riti i vajtjes së heshtur, njëri pas tjetrit, në heshtje të plotë, të kujtonte atë përshpirtjen në shtëpinë e hallemadhit, jo në sallën e Parlamentit, të cilin e kishin braktisur dikur, me urdhër të kryetarit...
***
E mori fjalën, së pari, numri 2. Dihej se çdo të thoshte. Por tha edhe fjalë që dëgjoheshin për herë të parë. “Jeni ju që duhet t’i jepni konsensus opozitës dhe jo opozita që duhet t’u japë konsensusin juve!”. E kanë fajin fjalët e huaja, që jepen përkufizime të pasakta. Standardi ynë fjalët “konsensuale” e “konsensus” s’i ka fare (si të huaja); por në fjalorin dygjuhësh, fjala e parë përcaktohet si “me pëlqim të të dy palëve”, kurse fjala e dytë përkufizohet “bashkëpëlqim”, “bashkëmiratim”. Atëherë, të bësh si më pëlqen mua, pavarësisht sesi të pëlqen ty, kjo do të thotë më mirë të mos flasësh fare për konsensus. Pastaj folësi vajti te KQZ-ja dhe te Ristani, “të cilin e morët në mbrojtje”.
Dr. Berisha i sqaroi, në replikën e tij, të gjitha të pavërtetat. Në kodin zgjedhor të tetëvjeçarit, të cilin tani u dashka marrë si etalon, pavarësisht se u anatemua nga vetë E. Rama, KQZ-ja në atë kohë ishte në raportin 5:2, madje edhe 6:1. Nga ana tjetër, z. Ristani sulmohet nga opozita se i dha përparësi “vullnetit” të zgjedhësit dhe jo “kauçukut”, ndërsa Rama kërkonte të kundërtën. Ja që, me kërkesën e Ramës, u vu në këtë valle edhe Komisioni i Venecies. Ç’përgjigje dha ky komision, - sipas z. Ruçi? Përse e la përgjysmë mësymjen ndaj Ristanit?
Z. Berisha iu përgjigj të gjitha të pavërtetave të parafolësit, pa hyrë në çështjen e KQZ-së, për të mos u zgjatur. Na u duk tepër interesante ajo “Letra e Hapur” e kryetarit të opozitës, sikur ajo të mos ekzistonte fare. Kryeministri kujtoi “Letrën e Hapur” të Enver Hoxhës, pas së cilës u egërsua së tepërmi lufta e klasave në vendin tonë. Ai tregoi mbresat e forta negative vetjake që i kishte lënë kjo letër. Foli për pranimin e mendimit opozitar që të hiqte dorë nga mendimi parësor, i shpallur në kohë dhe pa zig-zage, që kandidatura do të kishte si kandidat një element të PD-së, nga më elitarët e saj. Bëri një portret të Jozefina Topallit, një person i ndershëm dhe me integritet. Hoqi dorë nga këto, për të rënë në ujdi me PS-në, duke zgjedhur edhe ajo kandidatin e pëlqyer prej saj. “Nëse e vlerësojmë më të mirë se z. Xhezair Zaganjorin, me siguri që do të votojmë për kandidatin tuaj”.
- Ju nuk doni pjesën, por të tërën, - tha kryeministri. Ne bëmë ç’mundëm, ju nuk caktoni as kandidatin”.