E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse duhet të punojë fort këtë verë Obama

09-06-2012 / Nga Karen Hughes (Time)

Skarat janë gati, fëmijët po përfundojnë shkollën dhe kandidatët presidencialë po nisin një verë të gjatë dhe të nxehtë. Teksa qershori, korriku dhe gushti të marrë së bashku përbëjnë pjesën më të madhe që mbetet deri në ditën e zgjedhjeve, ngjarjet dramatike të debateve nuk do të vijnë derisa të bien temperaturat e vjeshtës dhe zhurma e konventave të mirëorkestruara të nominimit nuk do të dëgjohet gjëkundi pa ardhur fundi i verës. Kandidatët do të bëjnë fushatë dhe do të kritikojnë njëri-tjetrin, e historitë që pasojnë me shumë gjasa do të publikohen në faqet e brendshme dhe jo në të parat e gazetave. Fushata do të emetojë propozime të reja politike dhe do të prodhojë reklama të reja televizive, por mundësia është që - përveç disa gafave të mëdha apo krizës së paparashikuar - të mos ketë shumë ndryshime në muajt përpara. Kjo bën që raporti i fundit mbi punësimin të jetë veçanërisht lajm i keq për Presidentin Obama. Norma e papunësisë është rritur në 8.2 % (dhe ka qenë mbi 8% qëkur Obama ka marrë presidencën). Raportet e marsit dhe prillit për punësimin - të cilët lajmëruan se të dhënat ekonomike janë përmirësuar - u rishikuan me rënie. Bursat shënuan një muaj të zymtë në Maj – “Dow” humbi 820 pikë këtë muaj, indeksi i “S&P 500” ra 6.3% dhe madje edhe reputacioni i Thesarit Amerikan ka shënuar rekordin më të ulët: 1.54 %. Titujt kryesorë, që e cilësojnë “të zymtë” tablonë e punësimit do të nguliten në psikologjinë kombëtare teksa votuesit e largojnë vëmendjen nga fushata drejtë pushimeve familjare dhe netëve përtace të verës me fëmijës jashtë shkollës. Në vjeshtën e vitit 1992, Presidenti George H.W. Bush bëri zbulimin fatkeq se fakti që ekonomia po përmirësohej ishte më pak i rëndësishëm se perceptimet e votuesve për gjendjen e mjerë ekonomike, një fakt i jetësuar me tabelën e vendosur nga strategu i kundërshtarit të tij, James Carville, në zyrat e shtabit të fushatës së Klintonit: “Kjo është ekonomia, budalla”. Pas disa viteve me papunësi të lartë dhe rritjeje të ngadaltë ekonomike, ju mund ta nënvizoni këtë mesazh dhe ta nxirrni në pah për vitin zgjedhor 2012. Nëse nuk është varur në selinë e Romnit, diçka e tillë duhet të bëhet. Çuditërisht, deri më tani, asnjëri prej shtabeve të fushatave nuk ka prodhuar një plan gjithëpërfshirës, imponues dhe të besueshëm për ta vënë ekonominë në lëvizje dhe për t’i futur në punë amerikanët. Në këtë çështje, Presidenti Obama niset me një problem të madh besueshmërie, ngase ajo që është përpjekur të bëjë përgjatë 3.5 viteve të kaluara nuk ka funksionuar. Kërcënimet e tij të vazhdueshme për të rritur taksat, qëndrimi hiper-rregullator i administratës së tij dhe sulmet e tyre të vazhdueshme ndaj sipërmarrjes së lirë - motori kryesor i rritjes ekonomike - po e përkeqësojnë klimën e biznesit, nuk po e përmirësojnë. Kjo i jep Romnit një shans të madh, por për të shpjeguar se pse duhet ndërmerren hapa të caktuar do të marrë më shumë kohë se rimëkëmbja e sektorit të tij mbresëlënës privat. Amerikanët duhet ta dinë se çfarë do të bëjë ndryshe nga Obama Presidenti Romni dhe pse do të funksionojë. Kur Presidenti Obama foli për projektet “lopata gati”, ai nënkuptonte “vazhdoni gërmimet, teksa gropa zmadhohet”. Në një kohë që disa amerikanë pyesin veten se sa mund të përkeqësohet gjendja, Mit Romni ka mundësinë të paraqesë vizionin e tij për forcimin e ekonomisë dhe të ndihmojë amerikanët të rikthehen në punë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›