E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy gjyle në dy këmbë

09-06-2012 / Nga Qemal Sakajeva

“Si gjyle nëpër këmbë”, është e pamjaftë t’i thuhet opozitës. Fiks fare asaj i shkon, “dy gjyle në dy këmbë”. Gjylja e parë, është humbja 2009 dhe mospajtimi me të. Gjylja e dytë, është humbja 2011 dhe dëshpërimi me të. Këto i dhanë fytyrën katër vjetëve opozitarë, duke përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit.
 Marrëveshja e arritur në pranverën e 2008-ës, mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, përmbushja plotësisht e kërkesave të të dy palëve, do të mbahet mend edhe si një ters sepse,  politika e së majtës, më pas  mori përmbajtje gati siç, në librin “500 kallëzime popullore me bisht”, të autorit Halil Elezi, rrëfehet për djalin e vështirë:
“Në e kapsh t’ha,
Në e tutsh s’t’ec’
Në e lëshofsh para t’ikë,
Në e ngrehsh s’t’vje,
Në i hipsh t’rrëzo,
Në e marsh në shpinë s’rri.”
Me atë miradi të madhe, për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe Kushtetutë, pritej që përfundimi dhe rezultati i zgjedhjeve të pranohej me qetësi e pa zemëratë. Zgjedhja e presidentit, kësaj here shpresohej të qe e thjeshtë, për t’i shpëtuar bllokimit politik; të ishte dinjitoze, për të shmangur dëmtimin e vendit; të kryhej pa shumë ditë votimesh, brenda një kohe të shkurtër; të qe zgjedhje e kryetarit të shtetit , pa synimin e një parafushate zgjedhore; të ishte  gjetje mes veti, për të mos i angazhuar dendësisht ndërkombëtarët.
Ajo çfarë u mëtua, nuk ndodhi. Ato çfarë nuk u dëshiruan, ngjanë. Dhe rrodhën asisoj sa që, të merresh me temën e presidentit, për të ditur cili do të hyjë në atë portë, t’u ngjitet shkallëve përpjetë, të futet në zyrë e të ulet në atë kolltuk, është veç përsëritje e mërzitje. Presidentit do t’i duhet një punë e jashtëzakonshme, për t’u harruar ky mundim politik, i ndërlikuar me dashje përmes sjelljes bllokuese.
Pse ndodh kështu? Ç’faj ka njeriu që ende nuk dihet cili? Presidentit në ardhje, do t’i mbahet mend gjithë beteja politike për të apo punët që ai do të bëjë gjatë pesë viteve? Shpjegimi është i thjeshtë të dihet siç që, çelja e luleve apo nxjerrja e gjembave merr fill nga rrënja. Gjithë kjo e ka nisjen në fitoren e ëndërruar në pranverën 2008-të dhe humbjen e provuar në verën 2009-të. Partia Socialiste pati kërkuar që Kodi Zgjedhor të bëhej siç e donte ajo. Partia Demokratike i pati thënë: Bëjeni vetë siç e doni! Dhe, ashtu ngjau. Kryeministri Berisha pati kërkuar tjetërçka: të thjeshtohej  procedura e zgjedhjes së presidentit, për ta mbrojtur vendin nga një proces i ngjashëm me atë të 2007-ës. Berisha asnjëherë nuk u pendua për marrëveshjen, madje, ai,  e ka cilësuar më të rëndësishmen, të arritur ndonjë herë me socialistët. Kurse kryetari Rama, pas humbjes së dytë më 2011-të, kërkoi falje, duke e  quajtur gabim pranimin prej tij, të zgjedhjes së presidentit me 70+1 votë. Koha e mëvonshme  vërtetoi që, konsensusi  i socialistëve nuk ishte dhënë kuturu, por me një përllogaritje, që u doli e gabuar. Me Kodin Zgjedhor të ndryshuar, opozita pati menduar fitore të sigurtë në 2009-të. Pasi ta merrte pushtetin, ajo e kishte në grusht edhe caktimin e presidentit më 2012-të, ndaj i interesonte ta votonte me të dy duart ndryshimin e Kushtetutës, për zgjedhjen e presidentit edhe me 70+1 votë. Opozita mendoi se, që të dy ndryshimet, të Kodit Zgjedhor prej saj dhe të Kushtetutës prej pozitës, do t’i shërbenin vetëm Partisë Socialiste. Për këtë arsye u votua masivisht dhe nuk u tërhoqën  as para protestave të fuqishme të partive të vogla.
Ajo marrëveshje, e madhe për Berishën, prej Ramës  u quajt një gabim, sepse  2009-ta nuk e bëri kryeministër, ndërsa 2011-ta e largoi nga bashkia. Mospajtimi me to, i shndërroi të  dy humbjet në dy gjyle në të dy këmbët, duke e kthyer partinë në forcë politike bllokuese, me protesta të dhunshme dhe dëmtuese të interesave të Shqipërisë. Dhe, ja ku u shfaq ajo që pritej e që qe paralajmëruar,  hakmarrja politike ndaj një marrëveshjeje  që nuk u solli përfitime, sipas mendësisë: Unë  opozita  humba dy here me Kodin Zgjedhor që e bëra vet, ti pozitë humb me ndryshimin e Kushtetutës që e kreve vet; Unë humba zgjedhjet dy herë, ti humb presidencialet. Gjithë loja e opozitës është një përzjerje dëshpërimi, zemërimi  dhe inati.  Ajo  nguli këmbë për një kandidat jashtë figurave politike të Partisë Demokratike. Ajo nuk e pranoi kandidatin e caktuar prej partive të shumicës, nga që synoi njërën nga të dyja: ose ta rrëzojë - dhe ta quaj një fitore më shumë, ose ta shtyjë pozitën të vendosë me 70+1, e ta numërojë një fitore të saj  përmes humbjes së vet. Sjellja tjetër  është politika e “kortezhit të heshtur”: opozita  nuk nxjerr kandidat nga vetvetja, me arsyetimin se i përmbahet kushtit,  asnjë figurë politike president! Me këtë, vriste dy zogj me një gur - mënjanonte kandidimin e figurës politike të pozitës dhe dinakërisht pengonte të vetin politik të padëshiruar - Fatos Nano,  kandidati më i parë i vetshpallur, një figurë  e epërme e socialistëve, të futej në garë.  Por, Fatos Nano, për të cilin është përcaktuar vlerësimi si lideri historik i të majtës, me vetkandidimin u vendos  si një shkëmb në rrugën nga ecin si “kortezh i heshtur” deputetët e partisë së tij. Ai nuk mund të kapërcehej me një tjetër emër të tyre, pasi po të ndodhte asisoj, më shumë se shpërfillje, do të qe tallje me Nanon. Kjo pengesë e pakapërcyeshme, kishte zgjidhje vetëm anashkalimin, duke thënë që, opozita nuk ka emër për kandidat, sepse nuk i ka  70+1 votë, por duke lënë të kuptohet se partia ka frikë nga gara më shumë se kandidati i vetshpallur.  Guximin e Nanos,  domethënë të vetshpallurit, a mos socialistët e mendojnë në shërbim të pozitës, duke i dhënë kuptim garës? Opozita sajoi  vjegën në të cilën mbahet: shumica të hartojë një listë me emra kandidatësh, opozita merr pjesë në zgjedhjen e presidentit.  Lëvizja “Nano president” i ka lexuar qartësisht kumtet e të vetve, ndaj u është drejtuar disa herë prerë:  do të largohem si kandidat vetëm kur të zgjidhet presidenti, do të kthehem për të shëruar Partinë Socialiste nga lëngata nëse nuk arrij në presidencë dhe se, partia është vetarratisur nga gara. Gjylet në grykë të topit fluturojnë vetëm përpara, dy gjylet në të dy këmbët pengojnë vetëm ecjen përpara.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›