Big-ët e Italisë dhe emrat që do vijnë në janar
Merkatoja në gadishullin Apenin është bërë e nxehtë dhe shtatë vendet e para duan të bëjnë meremetimet e messezonit për të synuar më pas sprintin final drejt titullit kampion
Thuajse gjysma e kampionatit italian ka përfunduar dhe Milani e Juventusi ndajnë vendin e parë në renditje me pikë të barbarta. Pas tyre është Udineze e Lacio, ndërsa Interi, i ringjallur pas serisë së fundit të fitoreve, do të kërkojë të tregojë se nuk është i mbaruar dhe se kërkon ta thotë fjalën e tij deri në fund. Napoli e Roma, që sezonin e fundit kanë qenë më në formë, këtë vit po heqin pak keq. Sidoqoftë, e justifikuar për të dyja skuadrat. Napoletanët kanë edhe barrën Champions mbi supe, ndërsa verdhekuqtë kanë ndryshuar komplet filozofinë e lojës së tyre me trajnerin Enrike që kërkon ta bëjë Romën si Barcelona.
Milani
“Djajtë” janë shumë të përqëndruar te marrëveshja me argjentinasin Karlos Tevez. Ata kanë vullnetin e plotë të lojtarit. Ndërkohë që emrat e tjerë janë Fernando Torres dhe Maksi Lopez. Sulmuesi i Katanias do të ishte objektivi i fundit. Duhet parë me kujdes edhe çështja e Filipo Inzagit, i cili dëshiron të largohet nëse nuk do të futej në listën e Champions League. Më pas janë edhe mundësitë e minutave të fundit, siç ndodhi në verë me Antonio Noçerinon.
Juventusi
Drejtuesit po punojnë me një strategji në funksion të projektit. Marota ka bllokuar mbrojtësin Kaseres të Seviljes. Për pas ata po synojnë edhe sulmuesin Borrielo nga Roma, ndonëse tifozët janë të pakënaqur me ish-lojtarin e Milanit. Sidoqoftë, gjithçka do të bëhet pas shitjeve të Amaurit, Iakuintës dhe Tonit.
Udineze
Krerët e Udinezes po mundohen për të bërë një goditje në mesin e fushës të formacionit të drejtuar nga Guidolin. Gjithmonë nuk bëhet fjalë për një lëvizje me shpenzime të mëdha. Emri mund të jetë ai i Kevin Anin i Soshosë, që pëlqehet shumë nga bardhezinjtë friulianë.
Lacio
Igli Tare po kujdeset për çështjen Sise, i cili në fund mund të qëndrojë në Romë, ndonëse ka bërë gati valixhet për një rikthim të mundshëm në vendlindje. Ndërkohë në mesin e fushës pëlqehet shumë Haris Medunjanin i Makabit Tel Aviv.
Interi
Në radhët e zikaltërve ka një optimizëm të madh për mbrojtësin e qëndrës Huan të Internacional Porto Alegre. Edhe lojtari ka shprehur dëshirën e tij për të ardhur te skuadra e drejtuar nga Klaudio Ranieri. Ndërkohë që tani ka shumë mundësi që të vijë nga Fiorentina Huan Manuel Vargas në formë huazimi, të cilin Interi e ka joshur edhe në verë.
Napoli
Eduardo Vargas është një lojtar i Napolit. Por firma e vërtetë është ajo e trajnerit Maxrri që ka deklaruar se nuk ka ndërmend që të japë dorëheqjen. Maxarri do të ketë edhe një sulmues në dispozicion. Ndërkohë që po mendohet edhe për mesfushorin ganez të Interit, Sulejman Muntari.
Roma
Projekti i spanjollit Luis Enrikue vazhdon të ecë përpara dhe në janar diçka mund të lëvizë. Fillimisht duhet rinovuar kontrata e De Rosit dhe Grekos. Më pas mendohet për mbrojtësin e Sampdorias Gastaldelo. Për mesin e fushës flitet për Azpokuleta të Olimpik Marsejës. Përsa u përket largimeve, thuajse i sigurt transferimi i Borrielos te Juventusi.
Sa shumë yje në merkato
Merkatoja e janarit është vetëm një javë larg hapjes. Shumë klube europiane tashmë kanë identifikuar objektivat e tyre për përforcime gjatë këtij dimri. Faqja italiane calciomercato.com ka formuar një listë me emrat e disa futbollistëve të mirënjohur të cilët do të jenë të lirë të negociojnë me klubet e interesuara, pasi kontratat e tyre skadojnë në fund të këtij sezoni.
Lojtari Skuadra
Kristian Kivu Inter
Daglas Tvente
Alesandro Nesta Milan
Alan Xagoev CSKA Moskë
Daniele De Rosi Roma
Pablo Aimar Benfika
Florent Maluda Çelsi
Dimitar Berbatov Mançester Junajtid
Raul Gonzales Shalke
Didie Drogba Çelsi
Flavio Roma Milan
Marko Kaseti Roma
Valter Samuel Inter
Rikardo Montolivo Fiorentina
Tomas Roziçki Arsenal
Trankuilo Barneta Bajer Leverkusen
Nikolas Lodeiro Ajaks
Matjë Flamini Milan
Mladen Petriç Hamburg
Andrej Arshavin Arsenal
Ederson Olimpik Lion
Salomon Kalu Çelsi
Xheferson Farfan Shalke
Filipo Inzaghi Milan
Klarens Sedorf Milan
Alesandro Del Piero Juventus