E Diel, 1 Nëntor 2026

David Vija: Dua të luaj në kampionatin europian

Sulmuesi i Barcelonës ka lënë spitalin pas operacionit që kreu pas dëmtimit në Botërorin e Klubeve

Sulmuesi i Barcelonës, David Villa ka lënë spitalin pas ndërhyrjes kirurgjikale si pasojë e dëmtimit të rëndë në gjysmëfinalen e Botërorit të Klubeve. Rekordmeni i përfaqësueses spanjolle me 50 gola të shënuar në 81 ndeshje, tani përballet me sfidën më të vështirë të karrierës së tij: rikuperimi sa më i shpejtë. "E vërteta është se jam i lumtur, pasi tani do të kthehem në shtëpi pas disa ditësh shumë të vështira. Po ashtu, jam i lumtur që po largohem nga spitali pas pak kohësh nga operacioni", ka thënë David Villa në deklaratën e parë për mediat që nga dëmtimi në Jokohoma të Japonisë. Fraktura në këmbë do ta detyrojë sulmuesin të qëndrojë për një kohë të gjatë jashtë fushës së lojës dhe nëse sezoni është i humbur, objektivi kryesor i tij është pjesmarrja në Euro 2012 që do të zhvillohet verën e ardhshme në Poloni dhe Ukrainë. Trajneri i përfaqësueses spanjolle, Vicente Del Bosque i ka lënë dyert e hapura për futbollistin 29-vjeçar që nuk dëshiron të humbë mbase turneun e fundit si protagonist. "Nuk është në tipin tim të bëj parashikime afatgjata, por dua të luaj në kampionatin europian. Mjekët më kanë dhënë shumë shpresa dhe dua të shfrytëzoj çdo mundësi për të qenë pjesë e kombëtares", është shprehur David Vija. Sipas mjekëve që e operuan, sulmuesit i duhen të paktën 4 muaj përpara se të nisë të stërvitet me topin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›