E Diel, 1 Nëntor 2026

Bijat trashëgimtare; Fatet e veprave në Arkiv



Fjalori i Mustafa Krujës është zhdukur, nuk gjendet më, akti i pavarësisë nuk gjendet, studimet dhe kryeveprat e françeskanëve nuk gjenden, shumë shkrime dhe shqipërime janë zhdukur - mbi këtë sensibilizim të Nevila Nikës, drejtore e Arkivit Qendror të Shtetit, për herë të parë kthehet vëmendja për t’i parë arkivat jo nga sindroma e diktaturës. Kur veprat pothuaj asgjësoheshin dhe nuk u dihej fati. Nika na njeh me një realitet krejt tjetër, por duke kthyer kokën mbrapsht se dëmi që i është bërë pasurisë së kulturës shqiptare, trashëgimisë së saj në dokumentacion, është i pallogaritshëm. Nika mohon faktin se janë shpërdoruar fondet e Arkivit të Shtetit, duke aluduar dhe akuzuar njëkohësisht se nga institutet janë zhdukur dhe shkatërruar pjesa më e madhe e pasurisë së trashëguar letrare dhe studimore. Por nga kjo imagjinatë dhe asaj që dimë të publikuar - por të panjohur - hidhen një sërë dyshimesh se kush i shkatërroi. “Instituti i Studimeve Shqiptare është një vlerë e jashtëzakonshme dhe pasuria e tij është e madhe, që vetiu na shtron pyetjen ku janë ato, ku vajtën, kush i mori, kush vuri dorë mbi to?! I shkatërruan, i rrëmbyen, i vodhën, i çuan gjëkundi të gjitha këto, janë pikëpyetje që ne vazhdimisht mundohemi t’i japim një lloj përgjigje, por jo gjithmonë e kemi këtë fat”. Por është e vështirë t’i hyhet ligjit, sepse përpara është një tjetër pasuri letrare, shkencore, dokumentacion historik që po shpërdorohet, por dhe keqpërdoret nga trashëgimtarët. Nika na njeh me disa raste prurjesh të reja që nga dokumentacioni që ka, të sjellin familje intelektualësh që nuk jetojnë më, që ishin lënë në harresë duke përmendur ish-drejtorin e Bibliotekës Shkencore të Universitetit, një artist letrar piktor, Mihal Hanxharin. Po ashtu ka sjellë dokumentacion në Arkiv edhe familja e shkrimtarit Aleks Çaçit, pjesëmarrës aktiv i luftës. Nga Anglia një bashkëpunëtor po sjell arkivin e Tavajar Zavalanit, gazetar, ai që hapi redaksinë e gjuhës shqipe në BBC së bashku me gruan e tij, Selma Vrioni, mbesa e Mit’hat Frashërit etj. Ndërsa në Tiranë janë disa bija shkrimtarësh si e Eqerem Çabejt, Lasgush Poradecit, Petro Markos, apo Mitrush Kutelit që nuk kanë dorëzuar deri tani asnjë fletë gjëkundi. Është folur ca vite më parë në një takim shkrimtarësh për krijimin e institutit të pronësisë intelektuale, ku e gjithë pasuria kulturore e ndodhur nëpër duar të sigurohej. Por këtë ide, Nika sot e hedh poshtë, duke i qëndruar besnike idesë së sjelljes së veprave në Arkiv - si mundësi njohje, ruajtje, mbrojtje, studimi dhe botimi, që sipas ligjit, u ruan trashëgimtarëve të drejtën e përdorimit dhe shfrytëzimit privat të veprave. Por përballë kësaj sigurie që jep Nika për herë të parë si apel - është gjithnjë pasiguria që kanë shfaqur trashëgimtaret, pasi arkivi është vendi më i pasigurt për veprat e baballarëve të tyre. Ndonëse prej vitesh, bijat lëshojnë zë se i mbajnë, ruajnë dhe i botojnë në kushte të vështira - pra për mungesë financash - ato deri tani kanë hezituar t’i drejtohen Arkivit. “Arkivi është një bankë - që ua jep këtë garanci. Unë e kam të vështirë të flas me këto trashëgimtare që i kam dhe mike, pasi veprat e tyre janë në botim. Por unë ju bëj sërish apel që t’i sjellin”, - thotë Nika.

Para disa kohësh, kur është mbajtur një konferencë mbi Mustafa Krujën, vëmendja është tërhequr drejt fatit të arkivave të personaliteteve, njerëzve të letrave, si ruhet trashëgimia e tyre, pasi mjaft dokumentacione thuhet se janë zhdukur... A mund të na thoni, duke u nisur nga ky rast konkret, çfarë ka ndodhur në këto vite me këtë trashëgimi në Arkiv?

Duhet ta pranojmë se fati i arkivave të tyre është një fat tragjik, sepse u shkatërruan qëllimisht. Në fillim u grumbulluan dhe pastaj erdhën tek ne pa asnjë rregull, por gjithsesi janë me fat që erdhën në Arkiv, por u keqpërdorën sidomos dokumente që kishin të bënin për veprimtarinë shkencore. Ju e keni dëgjuar se bëhet fjalë për fjalorin, kryeveprën e Mustafa Krujës, që nuk gjendet më sot. Kjo është një gjë që duhet të na bëjë të mendojmë dhe të vëmë gishtin se kush ishin ata që bënë këto. Sepse akti i pavarësisë nuk gjendet, kryevepra e Krujës nuk gjendet, kryeveprat dhe studimet e françeskanëve nuk gjenden, shkrime shqipërime janë zhdukur. Sepse Instituti i Studimeve Shqiptare është një vlerë e jashtëzakonshme dhe pasuria e tij është e madhe që vetiu na shtron pyetjen ku janë ato, ku vajtën, kush i mori, kush vuri dorë mbi to?! I shkatërruan, i rrëmbyen, i vodhën, i çuan gjëkundi të gjitha këto, janë pikëpyetje që ne vazhdimisht mundohemi t’i japim një lloj përgjigje, por jo gjithmonë e kemi këtë fat. Mund të mendohet që ndoshta në arkivin e Ministrisë së Brendshme, apo gjykatave ka dokumentacione. Por, sot, kemi bashkëpunim të mirë me to, ashtu siç u gjendën dokumentacionet e Sejfulla Malëshovës për t’u mbledhur në arkivin tonë, mund të gjendet dhe ndonjë gjë tjetër. Në rastin e Krujës është ngjarja flagrante e zhdukjes së fjalorit, që gjithsesi kemi dyshimin se nëse dikush ja ka ditur vlerën, ka qenë i pranishëm kur ato u gjetën dhe e morën, ndoshta në momentin kur familja Merlika u mor dhe u degdis në internim, nëpër kampe dhe nëpër burgje. Ashtu si edhe për të tjerë, ka qenë urdhri për t’i asgjësuar këto kryevepra, sepse nuk duheshin më, sepse ishin bërë nga “tradhtarët”, por qoftë dhe nga “tradhtarët”, ato kishin vlerë për Shqipërinë. Këto janë fate që nuk dihen, që nuk do mund t’i gjejmë më këto arkiva, pasi vetëm këtu ekziston ky dokumentacion.

Ju po flisni se është “shpërdoruar” dhe Arkivi i Shtetit. Ka institucioni që ju drejtoni detyrim zyrtar për të bërë këtë lloj “hetimi”?

Detyrime zyrtare kemi dhe detyrohemi ta bëjmë. Varet sa është rezultati dhe mundohemi që, sa herë ka tubime të tilla bëjmë sensibilizime. Dhe ka prurje. Kanë filluar të sjellin dokumentacione familje intelektualësh që nuk jetojnë më, që ishin lënë në harresë, do të përmend këtu ish-drejtorin e Bibliotekës Shkencore të Universitetit, një artist letrar piktor, Mihal Hanxharin, për të cilin familja e tij na i solli ne. Po ashtu na ka sjellë dokumentacion edhe familja e shkrimtarit Aleks Çaçi, pjesëmarrës aktiv i luftës. Nga Anglia një bashkëpunëtor po na sjell arkivin e Tavajar Zavalanit, gazetar, ai që hapi redaksinë e gjuhës shqipe në BBC së bashku me gruan e tij, Selma Vrioni, mbesa e Mit’hat Frashërit. Mund të përmendja se po vjen edhe dokumentacioni i trashëguar nga Andon Kuqalin, familja Kuqali, një nga bazat më të mëdha të luftës, dy vëllezër heronj lufte, me baba të vrarë nga komunistët. Një familje me shumë histori. I fundit që mbeti, si trashëgimtar i tyre, solli dokumente në arkiv. Nga Amerika familja e Faslli Frashërit ka shumë dokumentacione. Pra, ne jemi të hapur.

Ju përmendet për një prurje në Arkiv që mjaft trashëgimtarë, apo bashkëpunëtorë sjellin dokumentacione. Por kemi dhe disa bija trashëgimtarësh si Petro Marku, Kuteli, Poradeci, Çabej - një grup që mbajnë fort veprat e trashëguara nga baballarët e tyre, shkrimtarë më në zë e gjuhëtarë. Ka qenë diskutuar, madje është hedhur ideja për krijimin e institutit të pronësisë së intelektualëve, me idenë e ruajtjes së pasurisë së tyre. Ju jeni në dijeni për këtë?

E di që shumë bija trashëgimtare e mbajnë fort arkivin e baballarëve të tyre, por edhe ato duhet t’i sjellin në Arkiv. Në fakt krijimi i institutit të tillë nuk është ide shumë e këndshme. Sepse nuk mund të ruhen në këtë mënyrë.

Ka qenë ish-drejtori Shaban Sinani në atë kohë dhe e pat mbështetur këtë ide, ju pse e kundërshtoni?

Unë jam absolutisht kundra, sepse këto janë sajesa. Nuk mund të ketë institute të tilla, nuk ka në asnjë vend të botës dhe as nuk mund të ketë në Shqipëri. Ka një mijë e një arsye, sepse nuk do të ishte më institucion shtetëror. Pse duhet krijuar një institucion paralel me Arkivin Kombëtar, kur atje ruhen me dhjetëra e dhjetëra fonde personalitetesh që sot nuk jetojnë më, që ndoshta kanë trashëgimtarë, por që gjithsesi trashëgimia e tyre ndodhet e gjitha atje, e ruajtur. Është një infrastrukturë e tërë që është ndërtuar për këtë problem. Unë kam biseduar, i kam të njohura dhe mikesha vajzën e Çabejt, vajzat e Poradecit etj., natyrisht ato janë akoma aktive vetë dhe mendojnë që do t’i sjellin. Brikena Çabej do të bëjë botimet dhe natyrisht që pastaj do t’i sjellë në arkiv. Madje, me Brikenën kemi një bashkëpunim shumë të mirë për të bërë dhe botime të tjera të veprave që kemi ne, nuk ka asnjë dyshim për këtë.

Me familjen Marko nuk kemi asnjë lloj problemi, që të biem në kontakt, por për derisa akoma jeton zonja Safo Marko, kjo gjë tani për tani nuk mund të ndodhë. Ka një problem, njerëzit shkëputen me shumë dhimbje nga dokumenti. Unë jua jap këtë nga përvoja ime vetjake, kam takuar me dhjetëra e dhjetëra familje dhe persona që me gjithë mend kanë pasur shumë dhimbje për atë që ua kanë marrë me dhunë. Dhe kur japin e shohin me një lloj mallëngjimi. Kjo është e drejtë se është një krijim, si fëmijë i tyre. Natyrisht që në të gjallë të tyre nuk kanë pse i sjellin, s’ka kuptim, por familjarët e tyre, për shumë e shumë arsye, dhe ligji e parashikon se duhet t’i ruajnë, t’i mbajnë e t’i shërbejnë. Por është e vështirë realisht të plotësohen të gjitha këto.

A ka filluar ky proces, që të zbatohet ligji dhe a është gati Arkivi për këtë, pra për të qenë e gatshme, për t’i kryer të gjitha shërbimet veprave të trashëguara?

Gjithmonë është ideja se përveç përballimit të botimit, që është shumë e vështirë është dhe mbrojtja e kësaj trashëgimie të lënë, në kushte jo të favorshme.

Arkivi është i hapur në disa forma. Forma e parë është dorëzimi. Nuk i mbajnë dot trashëgimtarët. Unë personalisht të dy fondet e gjyshërve të mi, të cilët kanë qenë pjesë e politikës dhe jetës shoqërore në Shqipëri, njëri ministër, nënkryetrar Parlamenti, deputet; Hoxha Kadri Prishtina- ministri i Drejtësisë i qeverisë së Lushnjës, kryetar i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, pra fondi i tij dhe i Komitetit janë në Arkivin e Shtetit. Këto i janë dhuruar nga familja Arkivit. Po ashtu çfarë kemi gjetur kudo, megjithëse s’kemi pasur fatin t’i gjejmë shumë, gjyshi tjetër Ismet Toto - gazetar, një nga shkrimtar, shqipërues shumë i mirë, person aktiv i dëgjuar i viteve ’30-të, i cili për arsye politike u ekzekutua nga mbreti Zog, si pjesëmarrës i një lëvizje antizogiste - çfarëdo kemi gjetur prej tij dhe vëllezërve të tij, e kam futur menjëherë në Arkiv. Sepse është i vetmi vend, ku jo vetëm i jep nder personit, por edhe për t’u njohur me veprën e tij në mënyrë me të plotë dhe të menjëhershme. Për shembull fondi i Mustafa Krujës ka një numër rendor, është një fond i madh, është një inventar i madh, është në website-n e arkivit, kudo që të klikosh, në çdo cep të globit të jesh, e gjen. Kurse kur e ke në shtëpi, askush nuk e di më, shanset për ta njohur janë më të pakta, dhe ia bëj këtë ngacmim çdo pinjolli, trashëgimtari që takoj, sepse ka disa mënyra për t’i ruajtur dhe mbrojtur. Por ka edhe një mënyrë shumë moderne për këtë kohë. Arkivi është një bankë, mund ta sjellin ta ruajnë atje dhe në çdo moment e kanë të tyren. Mund ta ruajnë qoftë dhe për këtë por edhe për një periudhë kohe.

Ju ka rastisur ndonjëherë apo keni kontaktuar me këto trashëgimtare bija, për të parë se në çfarë gjendje e ruajnë këtë trashëgimi, pra veprat e baballarëve të tyre? Ka qenë e dhimbshme kur vajza e një prej shkrimtarëve ka ardhur në një intervistë për gazetën me fletoren e dorëshkrimeve të mbledhur tub ndër duar?

Është paksa e vështirë për ta bërë këtë, pra që të ndërhyjë apo t’i pyes se në çfarë gjendje i mbajnë veprat e baballarëve. Por nganjëherë duket edhe fyese po t’ju thuash se si e mbajnë dhe e ruajnë këtë trashëgimi, për shkak edhe se i njoh. Kështu që mundohemi në mënyrë të tërthortë t’i bindim se është më mirë, nganjëherë dhe duke i thënë se lehtësoheni edhe në shtëpi, dhe s’keni pse i mbani, po këtu i keni. Por, kanë edhe këtë tjetrën, sepse ligji e parashikon se mund të vënë kufizim në shfrytëzim, që do të thotë se do të japin ato leje, sidomos kur janë për gjëra shumë personale siç janë letërkëmbimet. Për shembull në Arkiv kemi fondin e vëllezërve Ivanaj, Mirash dhe Martin, dhe vajza e Martinit zonja Drita Ivanaj jeton në Amerikë. Ajo vjen herë pas herë në Shqipëri, është shumë e kënaqur se si janë ruajtur në Arkiv, por ka dashur t’i vërë një kufizim letrave të babait me nënën e saj, kur kanë qenë të fejuar e të martuar. Është edhe kjo mundësi, që njerëzit duhet të jenë akoma më të prirur për t’i sjellë.

Pse kërkoni t’i sjellin dhe ta bëni këtë sensibilizim, kur nuk mund të na thoni si është situata e studiuesve për to në Arkiv, pasi shumë mirë bijat trashëgimtare ia dalin vetë, ndonëse me shumë vështirësi t’ju shërbejnë librave, qoftë për efekt studimor apo dhe botimi? Tani po “konkurron” edhe forma e librave me kujtime.

Them t’i sjellin, sepse vërtet mund të ketë sot një zbrazësi, mungesë të theksuar të studiuesve të paguar nga shteti që vijnë në tavolina dhe në sallat tona të studimit në Arkivit Qendror. Por, nuk do të jetë gjithnjë kështu. Duhet të shpresojmë, sepse unë shikoj se ka të rinj, shumë djem e vajza që studiojnë jashtë, që vijnë nga të katër anët e botës, Amerika, Anglia, Kanadaja, Franca, Irlanda, Italia, Austria, Gjermania, Turqia etj. Ata vijnë në Shqipëri dhe bëjnë tema natyrisht të ngacmuar dhe nga profesorët e tyre, por janë realisht shumë të përgatitur. Ke një kënaqësi t’i shikosh edhe për mënyrën se si punojnë, është vërtet befasuese. Natyrisht që ka dhe studentë shqiptarë që pedagogët e tyre i yshtin, që të vijnë në Arkiv, bëjnë herë pas herë mësime të hapura me studentë, pasi kemi një bashkëpunim shumë të mirë me fakultetin. Ata vijnë dhe kanë një ngacmim krejt të veçantë, sepse të hysh në Arkiv ta jep atë ndjesi. Pastaj ne ia paraqesim, domethënë janë gjithnjë në rritje temat e diplomës kur mbarojnë studimet, që vijnë për burime arkivore, sepse është shumë e rëndësishme. Nuk ka asnjë dyshim letërkëmbimi, letra ka ikur dhe nuk kthehet më dhe detyrohen të botojnë kujtime. Gjithsesi, kujtimet e bukura janë, por nuk i kthehet kush më, nuk ka kush interes.

Desha të di një situatë të fundit, atë financiare. Në lidhje me këto bija trashëgimtare, shpesh janë hapur debate të manipulimit letrar të veprës, si edhe vështirësisë financiare për t’ua botuar veprën, apo dhe mosbesimin tek arkivat. A mund të na thoni, a ka arsye financiare për t’u mbajtur peng këto vepra, që ndalin botimin e tyre?

Për mua nuk ka arsye financiare, sepse Arkivi merret edhe me shpërblime. Ka disa arsye, dhe unë do të jepja arsyen se nëse bëhet fjalë për një vepër letrare, natyrisht familja do ta mbajë sepse do ta botojë. Por mund ta mbajë, por duke e sjellë edhe tek ne, nuk e kanë detyrim ta lëshojnë emrin e tyre, mund ta botojë me emrin e vet. Nuk ka asnjë problem në këtë mes, sepse me ligj më kufizon mua të drejtën e veprimit për shkak të nënshkrimit të një akti në momentin që e fut në Arkiv. Kështu që unë ligjërisht jam e detyruar thjesht që ta mbaj, kënaqësinë që ta lexoj unë, arkivistët, por në asnjë mënyrë të jetë për publikun e gjerë. Është kjo një arsye. Arsyeja tjetër është se përveç veprave letrare ka dhe shumë vepra të tjera që në vite dhe në mënyrë të përsëritur janë keqpërdorur. Jo nga trashëgimtarët, por nga të tjerë. Sepse trashëgimtarët dhe nëse e kanë marrë është trashëgimtari, është i tij dhe nuk ka asnjë gjë për të thënë pse vuri emrin e vet dhe vuri emrin e gjyshit. Problemi është tek ato vepra që u janë marrë, siç është fjalori i Mustafa Merlikës, që nuk dihet ku ka shkuar, nuk dihet kush e ka përdor dhe nuk dihet kush vazhdon ta përdorë, nëse vazhdon të jetë ky fjalor. Është fjala për shqipërimet, janë vjedhur në mënyrën më të paskrupullt që mund të përfytyrohet, sepse janë sjellë në gjuhën shqipe për motive shumë të bukura, siç është rasti i “20 vjet ngatërresa në Ballkan”, nga një pjesëtar i familjes sime, Selaudin Toto. Ai e solli dhe qe një nga motivet dhe aktakuzat kur ai u dënua me vdekje. “20 vjet ngatërresa në Ballkan”, e Edit Durhamit një mrekulli vazhdon botohet dhe të ribotohet dhe familja nuk di gjë, e marrin e keqpërdorojnë. Kur u botua për herë të parë, nuk ia përmendën emrin fare etj. Kjo është shumë e shëmtuar. Përmenda këtë rast, pasi është edhe rasti konkret, i imi, personalisht, dhe nuk dua të përmend të të tjerëve sepse janë me dhjetëra raste kur njerëz me biografi të keqe kanë punuar si skllevër për të kthyer në gjuhën shqipe, për të sjellë në gjuhën tonë, perla të dokumentacionit, të arkivave botërore dhe për historinë tonë dhe nuk u përmendet emri asgjëkundi. Domethënë ata punonin dhe të tjerë vinin emrin. Në Arkivin tonë kemi shumë përkthime, tërësore, dhe ne nuk i japim më, nëse nuk vihet emri kush e solli në gjuhën shqipe. Të lexosh nga osmanishtja dhe ta kthesh në shqip nga latinishtja, greqishtja e vjetër në shqip dhe të lexosh kodikët dhe të thuash e bëra “unë”, kjo nuk shkon. Këtë e ka bërë ai që e ka bërë dhe duhet të thuhet emri i personit. Deri këtu e çoi ai dhe unë bëra për shembull një gjë më shumë, por jo t’i mohohet emri, sepse kjo është e shëmtuar. Pra, kjo është ajo - që merr librat e të tjerëve dhe vendos emrin tënd, sepse këta personalitete nuk kanë gojë të flasin më! Unë gjykoj se edhe nga varri dikush ka gojë të flasë, sepse të dënon opinioni, por problemi ka qenë biografia.

Me ligj dënohen, mund të hidhen në gjyq këta abuzues të fondeve arkivore, ju flisni për njerëz që kanë drejtuar dhe punuar në Arkiv. A i takon institucionit tuaj ta ndjekë këtë çështje meqë është shfrytëzim i fondeve të tij?

Nuk është vetëm Arkivi, sepse arkiva kanë pasur dhe institucione të tjera sidomos ato shkencore, ku punonin këta njerëz. Në institucionin tonë nuk ka ndodhur për shkak se ka qenë shumë e reduktuar hyrja në Arkiv, nuk para vinin. Por në vende të tjera dhe kur ka qenë Arkivi në vite ’50-të nën Ministrinë e Punëve të Brendshme, i kanë bërë pa u ndjerë, që atëherë, dhe nuk janë dukur më në faqe të dheut që të vinin tek ne.

Ju bëni një lloj apeli për ta sjellë trashëgiminë në Arkiv. Pse?

Apeli im është shumë i thjeshtë; drejtojuni Arkivit Qendror Shtetëror, i sillni veprat, sepse është e vetmja mënyrë për t’ia zgjatur jetën për t’i dhënë vlerë, dhe i jepni nder atij që i bëri këto vepra. Mundësitë sot për t’i mbrojtur këto dokumente janë jashtëzakonisht të mëdha, atë që ato përmbajnë që nuk merren dot, sepse ka një ligj, ka një procedurë të gjatë. Nuk është më sigurimi që t’i merrte dhe nuk të pyeste fare. Dhe ne sot kemi dokumente të tilla, dhe nuk e dimë se të kujt janë. Mundohemi t’i gjejmë, duke iu dhënë mundësinë të hyjnë në bashkëpunim edhe me institucionin e Arkivit, për t’i publikuar, për të qenë palë edhe në botime.

Gjithë këto situata shpërdorimi që ju përmendet më lart, a mendoni se u jep siguri trashëgimtarëve t’u dorëzohen Arkivit?

Këto nuk kanë të bëjnë me institucionin e Arkivit. Sepse arkivi ka pasur krejt natyrë tjetër. Po jap një rast shumë të thjeshtë, Imzot Frano Ilia gjeti në arkiv veprën e tij Kanuni i Skënderbeut dhe jeta e Jezu Krishtit. Ne ja kishim ruajtur, sepse tek ne nuk vinte njeri dhe ai i botoi. Ai gjeti gjithçka që i ishte marrë nga shtëpia.

Kështu që tek ne nuk ka ndodhur. Ky është një fenomen që ka ndodhur në institucione të tjera. Ligji i 2003-shit i ka të parashikuar të gjitha, edhe mundësitë për t’i sjellë si në një bankë, si kasetë sigurie. Faktikisht jo të gjithë e njohin ligjin e Arkivit dhe bëjnë Maliqin, por në rastin konkret ju bëj thirrje për t’i sjellë. Unë ju thashë që shumë prej tyre i kam mikesha, shoqe, i njoh personalisht dhe thirrja ime është që t’i sjellin, natyrisht kur ato ta konsiderojnë që nuk kanë më punë me këto vepra. Brikenës nuk mund t’i thuash, sepse ajo vazhdon të bëjë botimin e veprave të Çabejt dhe kjo nuk shkon. Pastaj ne u sigurojmë dhe një kopje pa asnjë shpërblim, të atyre që kanë vepra sepse janë trashëgimtarë, madje e kemi futur në ligj që ua japim edhe atyre që ua ka marrë sigurimi më parë, që s’kanë asnjë dokument me ne. Ne i kemi quajtur ato pronarë. Ne i kemi njohur, si rasti i Musine Kokalarit, ku familja e saj ka marrë veprat e Musinesë, ne ua kemi dhënë, dhe janë botuar, por dokumentet janë tek ne. Shpërdorimet kanë ndodhur në institucione të tjera, sidomos në institutet.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›