E Shtunë, 31 Tetor 2026

Horoskopi financiar



Artan FUGA

Kryetari i PS-së, Edi Rama, shpalli përfundimin e programit elektoral të PS-së për zgjedhjet e qershorit. Z. Rama paralajmëroi një program të gjatë dhe theksin si “bazë politike e filozofike” të tij e vuri te ideja “përtej të majtës dhe të djathtës”. Në këndvështrimin tuaj edhe si autor i programit të parë elektoral të PS-së, a mendoni se ideja “përtej të majtës dhe të djathtës” përfaqëson interesat e të majtës shqiptare? Sa mendoni se ndikon cilësia e programeve elektorale tek votuesit shqiptarë?

Ma keni adresuar këtë pyetje duke vendosur atje informacione paraprake jo të sakta dhe prandaj më keni vënë në pamundësi përgjigjeje. Ju më pyesni se çfarë mendoj unë për programin elektoral të paraqitur nga Partia Socialiste ditët e fundit, me ish-statusin tim gjoja të “autorit të programit të parë elektoral të PS-së”? Nuk kam përgjigje për këtë pyetje, thjesht për faktin se është absolutisht e pavërtetë, një keqkuptim, në mos një thashethem i vagullt, dëgjuar kushedi se në çfarë tavoline, në mos një gënjeshtër që ju kanë servirur, që e keni marrë pa verifikim ajo që përmban pyetja juaj sikur të kisha pas qenë autor i atij programi elektoral. Pra, si autor i paqenë i atij programi elektoral të parë socialist, nuk mendoj absolutisht asgjë për atë që e quani “program elektoral” i Partisë Socialiste, nxjerrë tani së fundmi. Pra, nuk kam asnjë përgjigje.

Megjithatë, po bëj disa komente meqë ma dhatë mundësinë. Unë edhe mund të thosha se kam qenë autor i programit të parë socialist dhe të lavdërohesha para publikut duke thënë: E shihni se kush jam unë? Por, do të më dukej e turpshme të pranoja këtë rol historik që nuk e kam pasur. Por, edhe po ta pranoja, ka individë në këtë qytet që do ta kundërshtonin mburrjen time dhe do të thoshin se nuk është e vërtetë.

Unë kam nderim të veçantë për të gjithë ata që bëjnë programe partish politike, institucionesh, bile edhe shoqatash nga më të ndryshme, sepse kanë aftësi të papara imagjinative dhe një sens normativizimi të procedurave dhe të objektivave që nuk e ka dot njeri tjetër. Por, nuk besoj se këto programe janë vepra individuale, më shumë janë kolektive.

Tani të gjithë krenohen me atë që kanë qenë, si dikur, të gjithëve iu duket se kujtimet e shkruara nga ata janë më të mirat, se historikisht kanë pasur gjithmonë të drejtë, se e gjithë jeta e tyre ka qenë në rrugë të mbarë, pa gabime, se janë personalizimi i vetë vullnetit hyjnor. Gabim e kanë pasur të tjerët. Kurse ata janë heronjtë, shejntorët e pafajshëm, të pastrit krejt moralisht, të zgjuarit, modestët, gjithçka pra që përfaqëson virtytin hyjnor në këtë botë. Ata janë themeluesit e partive, të qyteteve, të ligjeve, të institucioneve, para tyre jeta ishte pa kuptim.

Kjo është vendosja e vetes në qendër të botës, kjo është strategjia e marketingut publicitar që vjen nga komunikimi politik dhe pastaj me anë të imitimit përhapet në çdo familje nëpërmjet televizionit dhe nëpër mejhanet më të thjeshta të cepave të humbur të Shqipërisë. Është një psikologji kolektive autiste ku individit i duket se ai është gjithçka në botë dhe të tjerët nuk janë veçse derivate të tij. Trishtim i madh.

Prit ndonjë ditë kur dikush të thotë se unë jam zbuluesi i barutit, ndonjë tjetër të thotë se ndërmarrja e tij ka ndërtuar Kullën Eiffel, një i tretë do të pretendojë se ka hedhur themelet e Murit të Madh Kinez, dhe ndonjë i fundit, në afshin e publicitetit për veten do të na thotë se ka themeluar saunat romake në Botën e Çudirave, e më në fund do të dalë dikush që do të pretendojë se ka themeluar vetë Trojën.

Pastaj pyetja juaj duket se i jep rëndësi se çfarë do të mendonte një individ që do të ndodhej në origjinë të diçkaje për atë që ajo diçkaja që thamë bëhet më vonë. Ky është miti i totemit fillestar, i shenjtë, që ka të drejtë të hedhë vështrimin e tij kritik, të ashpër, “mbretëror”, mbi ata që kanë ardhur më pas. Është një mentalitet i lashtë në popujt romantikë, por që mbështetet te besëtytnia se ai individi i parë, nga kanë ardhur të gjithë të tjerët, është mbi të tjerët, është origjina e pastër, sepse pastaj gjithçka ka ardhur drejt degradimit. Unë nuk e kam kultin e të parit, e të parëve, ndonëse i nderoj besnikërisht. Asnjë të drejtë nuk kanë të parët që të japin verdiktin mbi ata që kanë ardhur më pas. Sigurisht unë nuk e quaj të drejtë që ata të konsiderohen si burimi i gjithçkaje të keqe, të quhen për shembull “politika e vjetër”, të konsiderohen se ata që sapo janë ngritur nga tavolina, sapo kanë dalë nga dhoma, i kanë fajet, por edhe as që ata që ishin, por nuk janë më të kenë të drejta totemike në politikë, në moral, në familje, e kudo. Ky është një lloj totemizmi sipas të cilit ne kemi lindur nga një kafshë hyjnore stërmadhe, të cilën pasi e nderonim, e vramë, e hëngrëm në një moment inati dhe pastaj, në brejtje e sipër ndërgjegjeje, vazhdojmë përjetë ta nderojmë si monument, sikur ai i ka të gjitha përgjigjet, sikur ai di gjithçka, sikur ai ka të drejtë të gjykojë, por jo të gjykohet. Kjo më ngjan me ata “petritët” e parë.

Ky do të ishte një komunikim politik totemik, i cili shfaqet herë pas here. Jemi nën ndikimin e tij kur totemi i parë i sakrifikuar na shfaqet si kllapia e lemerishme e një ëndrre të vuajtshme, që na tund gishtin nga largësitë e kohës. Pozita e mësuesit është e turpshme në komunikimin publik.

Me një fjalë, unë jam si kundër asaj që të rinjtë të përdhosin brezat më të rritur, po ashtu sikur jam kundër që totemi mitik një ditë t’i thotë vetes se ka të drejta të privilegjuara mbi të tjerët.

Pra, nuk kam përgjigje për pyetjen tuaj. Por, po qe se radhën tjetër më pyesni se çfarë mendoj unë, jo nga pikëpamja e dikujt që ka pasur atë statusin që nuk ka të drejtë ta përvetësojë në mënyrë të paqenë, por si vetja im e tanishme, atëherë sigurisht që mund t’ju përgjigjem.

Sa për tani, gjykoj se nuk është fare vendi dhe koha të merremi me çështjen nëse është e drejtë apo jo parulla “përtej së majtës dhe së djathtës”. Është një humbje e vërtetë kohe, një diskutim ideologjik pa asnjë rëndësi. Një leksion për këtë çështje mund t’jua u shkruaj radhën tjetër, nëse lexuesi është i dëshiruar për të, por paralajmëroj se çështja nuk është aspak e thjeshtë, por tepër e ndërlikuar.

Nuk ka kuptim të diskutojmë për çështje pastërtisht ideologjike, kur tani ka ardhur koha të diskutojmë për programet e të gjitha alternativave politike të propozuara. Meqë jemi këtu, saktësoj gjithashtu se kam lexuar në media që Partia Socialiste ka paraqitur një program qeverisës dhe jo një program elektoral, sikundër thoni ju. Por, pak rëndësi ka edhe kjo emërtesë.

Pra, sipas meje, nuk ka fare rëndësi nëse ka horizonte politike përtej së majtës dhe së djathtës, por të gjykojmë tanimë vetë programet politike, sa janë të djathtë, sa janë të majtë, sa janë as të majtë dhe as të djathtë, sa janë edhe të majtë edhe të djathtë e kështu me radhë. E mbi të gjitha sa janë efektivë. Unë si qytetar nuk kam kohë të lexoj një mijë faqe platformë qeverisëse. Kam frikë se nuk është një formë e përshtatshme komunikimi. Diçka sintetike dhe e qartë është më e kuptueshme. Nuk ka kohë publiku shqiptar të studiojë.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha në raportin e tij në Parlament se Shqipëria vazhdon të jetë e paprekur nga kriza ekonomike globale, duke zhvleftësuar deklarimet e ekspertëve ekonomikë të opozitës se vendi është përfshirë në krizë. Ai “justifikoi” shqiptarët për tendencën e mbajtjes së parave jashtë bankave, duke nënkuptuar se kemi të bëjmë më shumë me një “krizë psikologjike”. Si e komentoni këtë situatë? (S)a mendoni se qëndron konstatimi i “krizës psikologjike”?

Nuk jam në gjendje të them se ku është përdorur ky term. Në fakt, në literaturën përkatëse më duket se përdoret termi “krizë besimi”. Kjo nuk është një krizë thjesht psikologjike, sikur problemi financiar dhe bankar të jetë i ndarë nga problemi i besimit kolektiv te bankat. Vetë bankat janë institucione që në themel të funksionimit të tyre kanë besimin e klientëve të tyre. Kur dikush vendos kursimet apo depozitat e tij në bankë, qoftë ky një individ apo një sipërmarrje, nga njëra anë është i interesuar ta bëjë këtë për arsye se merr që andej interesa, veç të tjerave. Gjithë bota kështu bën. Pastaj duke futur paratë në qarkullim lehtëson ekonominë të funksionojë, pra fiton tërthorazi edhe vetë. Nuk ka kuptim t’i mbash paratë jashtë bankave, çdo perëndimor e di mirë këtë gjë, sepse në rast krize financiare paraja zhvlerësohet njëlloj si ta mbash poshtë mureve të shtëpisë nëpër qypa, ashtu edhe sikur ta mbash në llogaritë e tua bankare.

Besimi i publikut është themeli i funksionimit bankar për arsye se paratë që vendosen në bankë, nuk rrinë të myken aty, se përndryshe nuk do të kishte kuptim, por investohen ose jepen në formë kredish. Paraja qarkullon dhe besimi i klientëve konsiston në atë që ata të jenë të sigurt se banka ju siguron në çdo çast të drejtën për të qenë pronar i atyre parave, por nuk mund të sigurojë që të gjithë njëherësh, në formë mungese besimi, të kërkojnë tërheqjen e parave nga bankat. Kjo është një sjellje naive dhe vetëvrasëse nga pikëpamja financiare. Asnjë perëndimor nuk e kryen një veprim të tillë sepse është i ndërgjegjshëm për atë sesi funksionojnë bankat në botë.

Është e vërtetë që në Perëndim ka probleme besimi te bankat. Por, jo nga ana e klientëve të vegjël që vendosin atje kursimet e tyre. Kjo ndodh për arsye se qeveritë përkatëse, sikurse ka bërë edhe qeveria jonë, kanë deklaruar se në çdo rast i kanë të siguruara deri në një nivel të caktuar këto kursime çfarëdo që të ndodhë. Kjo duhet të shfaqet më qartë edhe nga mediat.

Në Perëndim ka një lloj proteksionizmi që vihet re kur çdo shteti përpiqet të sigurojë monedhën e vet dhe fondet e veta bankare, por në kushtet e një kapitalizmi global kjo është e pamundur që të bëhet një politikë strategjike. Po kështu, bankat e ndryshme e shohin me njëfarë mosbesimi kapitalin e bankave të tjera, sepse nuk e dinë me saktësi se si është gjendja financiare e tyre. Kështu, ka edhe një lloj mosbesimi nga ana e bankave kur japin kredi ndërmarrjeve, sepse nuk e dinë me aq siguri si më parë se ato do t’ia dalin në kushtet e sotme për ta shlyer kredinë në afat. Me një fjalë, ka një lloj krize besimi dhe në fakt, ky është vetë thelbi i krizës, sepse nuk më duket se nuk ka likuiditete sikundër thuhet. Paraja është aty. Puna është është se ka një ngecje në qarkullimin e saj si pasojë e krizës së besimit. Jo aq shumë nga ana e klientëve të vegjël që kanë kursimet në banka, por më shumë me krizë besimi mes shteteve, besim mes bankave dhe besim mes bankave dhe sipërmarrjeve.

Banka e Shqipërisë duhet të kurojë këtë vështirësi besimi sepse aty është pikërisht thelbi i krizës. Kjo kërkon politika komunikimi të spikatura, të detajuara, dhe mbi të gjitha jo deklarime që mund të merren me dy kuptime apo që e lënë mesazhin drejtuar publikut të interpretueshëm në mënyrë kontradiktore. Pra, banka është besim dhe besimi është strategji komunikimi. Ka vend ta shohim atë të marrë një cilësi të lartë.

Edhe media duhet të kuptojë, sikurse partitë politike, që çdo gjë mund të bëhet objekt lufte politike në këtë kohë të afrimit të fushatës elektorale, por jo, në asnjë mënyrë, jo, luajtja me krizën financiare, pra duke trembur publikun me frikën natyrore të çdo njeriu se bankat kanë vështirësi pagimi. Nuk është fjala të mohohet e vërteta, puna është se çështja duhet shtruar se si duhet të shtojmë qarkullimin e parasë dhe jo nëse në të ardhmen do të kemi ose jo paranë e duhur në qarkullim.

Këtu hyn në veprim “efekti anonçues” sikurse e quajmë në komunikim. Ka parashikime që vetëm për faktin se deklarohen në publik, krijojnë pasojën që ato duket se parashikojnë. Është një rreth vicioz. I ngjajmë atij njeriu që i del gjithmonë horoskopi për faktin se duke qenë i varur psikologjikisht prej tij, ndjek pikë për pikë parashikimet e horoskopit në gazeta. Pastaj çuditet se si i doli parashikimi i horoskopit. Për shembull, kur horoskopi i thotë se në fund të javës do të zihet me një mik, ai e prodhon vetë zënkën, nga besimi te horoskopi. Qenan K. më thoshte një ditë se nuk e lexon horoskopin, sepse kur ky i thotë se këtë javë do të ketë një flirt dashurie, duke i besuar, nis dhe bie në dashuri pikërisht sepse horoskopi i ka thënë ashtu. Është horoskopi që e ka prodhuar pikërisht pasojën që ai thotë se e ka parashikuar.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›