E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Dyert e universiteteve, të hapura tërësisht



Kryeministri Sali Berisha, në vijim të turit “Shqipëria po ndryshon”, vizitoi Komunën Maminas, ku inauguroi përfundimin e punimeve për shkollën e re 9-vjeçare “Riza Shera”, në fshatin Radë. Kreu i mazhorancës së djathtë vendosi në qendër të premtimeve arsimin, por pa harruar investimet në fshat, dyfishimin e pensioneve, mbështetjen e biznesit të vogël etj. Kryeministri Berisha tha se në arsim do të vazhdohet të mbështeten arsimtarët, ndërsa tha se dyert e universiteteve tashmë janë të hapura tërësisht, duke premtuar më shumë studentë. “Ne, jemi të vendosur të ngremë gjithnjë e më lartë piedestalin e misionarëve të dijes në Shqipëri, në mënyrë që asnjë fëmijë që përfundon klasën e 9-të të arsimit dhe ka dëshirë të ndjekë shkollën e mesme, të mos i mohohet kjo e drejtë, por të sistemohet në konvikte, t’i ofrohet bursa dhe të arsimohet. Dyert e universiteteve janë të hapura tërësisht. Nga 52 mijë studentë që kishim tre vite më parë, sot numërojmë mbi 115 mijë të tillë”, - tha Berisha. Kreu i qeverisë tha më tej se kjo qeverisë do të vazhdojë të mbështesë fermerët shqiptarë. “Sikundër dua t’ju garantoj ju, fermerëve të kësaj zone dhe të gjithë Shqipërisë, se në datën 1 maj pensionet tuaja dyfishohen dhe më tutje, ju garantoj se brenda mandatit të dytë ato do të barazohen me pensionet e qytetit. Ne nuk do të pranojmë diskriminimin, sepse ju meritoni plotësisht të gjitha standardet”. Kryeministri premtoi më tej edhe mbështetje për biznesin e vogël. Ai tha se biznesmenët e vegjël do të gjejnë tërësisht mbështetje tek kjo qeveri. “Unë garantoj biznesin e vogël se do të kenë mbrojtjen e plotë të qeverisë. Dje, qeveria miratoi ligjin, përmes të cilit nuk lejon të ushtrohet presion i paarsyeshëm mbi bizneset. Biznesi i vogël është gjeneratori më i madh i punësimit në Shqipëri. Ndaj ne, sikundër kujdesemi për biznesin e madh, do të kemi kujdesin më të veçantë për biznesmenët e vegjël”, - deklaroi Berisha, duke u bërë thirrje qytetarëve të Maminasit që të marrin kartat e identitetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›