E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bijtë e persekutorëve të djeshëm, antiperëndimorët e sotëm

Nuk më kishte shkuar në mendje që të shkruaja për kohën e rinisë sime, por e premtja e 30 prillit të këtij viti, djegia e flamurit të NATO-s prej vandalëve të Bllokut të kuq, m’i zgjuan ato mendime të hershme.
Për flamurin e NATO-s kanë luftuar dhe kanë derdhur gjak, edhe pse indirekt, edhe bijtë e shqipes, me qëllim që flamuri ynë kombëtar, kuq e zi, të valëvitej i lirë dhe krenar përkrah flamujve të shteteve të Europës së Bashkuar.
Këtij qëllimi iu arrit, dhe sot flamuri ynë kombëtar valëvitet i lirë përkrah botës së qytetëruar.
Po etërit, Gramoz Ruçi dhe bijtë Edi Rama e dogjën flamurin e NATO-s, kjo vepër antikombëtare më ktheu në kohën e shkuar ... Cilët ishin ata që dogjën flamurin e NATO-s?
***
Ishte pikërisht kjo skenë sa barbare aq edhe antikombëtare e cila më zgjoi kujtesën e jetës sime dhe mëndja ime e lodhur u kthye në të kaluarën e largët...
Tek muaji maj i vitit 1947, kur u ndava përgjithmonë në oborrin e burgut të Vlorës me shokët e rinisë sime Qemal Jazin e Greshicës, Ylli Kamberin e Ruzhdijes dhe Safet Abazin e çorrushit, të tre u transferuan në kampin e punës së detyruar në fermën bujqësore të Llakatundit.
Më vonë mora vesh se këta trima, në muajin dhjetor të vitit 1947, thyen burgun dhe mundën të dalin në botën e lirë në Greqi dhe prej andej në Amerikë ku u bashkuan me shqiptarët e emigracionit në Komitetin Kombëtar “Shqipëria e Lirë”.
Në vitet 1949-1950, të tre shokët e rinisë sime që përmenda më lartë u bashkuan në bazat Anglo – Amerikane ku përgatiteshin për tu hedhur në Shqipëri për të luftuar kundër kuçedrës së kuqë që mbante nën terror popullin e tyre.
Këta bij të denjë të nënës Shqipëri mund të jetonin të lumtur në një nga vendet e botës së lirë sepse nuk u mungonte as shkolla dhe as energjia fizike, por ata e refuzuan jetën në qetësi për ta sakrifikuar për lirinë e vendit të tyre.
Prandaj nuk kanë të drejtë bijtë e Stalinit, komunistët shqiptarë, që këta heronj t’i quajnë tradhtarë dhe spiunë të imperializmit amerikan!
Fatkeqësia e këtyre luftëtarëve të lirisë, qëndronte në atë, se ata qenë destinuar të bëheshin preh e Kim Filbit, e një tradhtie mizore të këtij njeriu shpirtzi që kishte shitur shpirtin dhe lëkurën e tij për pesë rubla tek bijtë e Stalinit, në Rusi.
Tre shokët e mi Qemal Jazi, Ylli Kamberi dhe Safet Abazi, si shumë të tjerë të arratisur, që vinin në Shqipëri për një mision të shenjtë, ishin të ndërgjegjshëm se rrezikonin jetën, por ata në këtë mënyrë mbanin ndezur flakën e pashuar të shpresës në shpirtrat dhe zëmrat e tronditura të shqiptarëve që jetonin nën ankthin dhe tiraninë komuniste.
Shokët e mi të prangave nuk kursyen jetën dhe gjakun, për lirinë e vendit të tyre dhe luftuan për gati 46 vjet kundër kuçedrës së kuqe që kishte pushtuar vendin.
Me guxim, kurajo dhe trimëri, ata zbritën në tokën mëmë nga toka, nga deti dhe nga ajri, sepse nuk mund të rrinin duarkryq përpara mjerimit që kishte pllakosur në Shqipëri.
Ata të arratisurit politikë, ëndërruan një ditë të bekuar për ta parë Shqipërinë të lirë dhe përkrah vendeve të tjera të Bashkimit Europian , në N A T O, dhe kur shohim sot në vitin 2010 që eter e bij komunistë të djegin flamurin e N A T O –s ne të vjetrit, që pamë me sytë tanë ferrin komunist nuk habitemi, sepse ata janë pjellë e së keqes.
E kështu vazhdoi përpjekja e nacionalistëve shqiptarë të arratisur pa u ndalur asnjë çast të luftonin për lirinë e vendit të tyre...
Në vitin 1949, zbarkoi nga ajri një trim i Lepenicës, Tefik Lika, i cili luftoi heroikisht me forcat e shumta të Sigurimit të Shtetit deri sa ra dëshmor i lirisë.
Po këtë vit, zbarkuan nga deti, në Karaburun, Zagoll Shenaj, Sami Ngucaj, Hysen Sinani etj.
Në përpjekje për të kryer detyrat e tyre të shenjta ata ranë në përpjekje me forcat e Sigurimit të Shtetit dhe ranë dëshmorë duke luftuar heroikisht: Zagoll Shenaj, Hysen Sinani dhe Sami Ngucaj, anëtarët e tjerë të këtij grupi mundën të dalin përsëri në tokën e botës së lirë.
Në prill të vitit 1950, zbarkoi në Shqipëri nga toka greke atdhetari Muço çeprati nga Vlora, Tofik Kokla nga Gramshi, etj të cilët ranë në përpjekje me forcat e Sigurimit të Shtetit dhe ranë heroikisht për lirinë e vendit të tyre.
Në shtator të atij viti zbarkuan nga ajri shokët e rinisë sime: Qemal Jazi, Ylli Kamberi dhe Safet Abazi, të cilët vepruan në fshatrat e Mallakastrës. Edhe këta ranë në përpjekje me forcat e Sigurimit të Shtetit, por duke luftuar trimërisht mundën të çanin rrethimin dhe t’i drejtohen kufirit me Greqinë. Atje mbeti i vrarë dëshmori demokracisë Qemal Jazi të cilin unë e qava me lot hidhërimi këtë trim të maleve tona.
Nuk mjaftonte vrasja e këtyre bijve të denjë të kombit tonë por edhe familjet e tyre, fisi dhe gjithë të afërmit ju nënshtruan një persekutimi të egër dhe barbar me burgime dhe internime dhe me mohimin e të gjithë të drejtave elementare njerëzore.
Sa për shembull në Lepenicë u arrestua atdhetari Veledin Veshi, burrë i urtë, i mençur,
i dashur dhe me kurajë të madhe. Veledini vdiq nga torturat, që i bënë komunistët e Vlorës, në qelitë e Sigurimit të Shtetit, duke lënë pas emrin e tij të mirë dhe të paharruar. Të njëjtin fat pati edhe kunati tij Elmaz çarçani nga Brataj.
Të gjithë këta heronj të vërtetë të kombit të tyre u vranë, vdiqën, u torturuan apo internuan për ta parë Shqipërinë të bashkuar me të gjithë kombet e qytetëruara të Europës dhe në NATO.
Pra asnjë prej këtyre burrave dhe pasardhësit e tyre nuk mund të digjte flamurin e NATOS, atë flamur të bekuar e dogjën ata, komunistët e djeshëm dhe bijtë e tyre të cilët si baballarët kërkojnë të marrin pushtetin me grykën e pushkës!
Mallkuar qofshin ata që po na ndajnë nga Europa.
***
Ja këto mendime më erdhën në kokë tek shihja barbarët komunistë që digjnin flamurin e NATO-s. Le të shpresojmë që vendi im të zgjohet nga gjumi letargjik dhe me guxim të denoncojë etrit dhe bijtë e tyre komunist me Gramoz Ruçin e Edi Ramën, ata që na mbajtën të ndarë nga Europa, që të mos mbajmë mbi vete mallkimin e brezave.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›