E Diel, 1 Nëntor 2026

Në gjyq i moshuari, ngacmoi seksualisht fëmijën 5 vjeç



Armand Bajrami

Gjykata e Tiranës merr për gjykim dosjen në ngarkim të 60-vjeçarit, të akuzuar për vepra të turpshme ndaj një të mituri. I pandehuri në këtë dosje penale, sipas prokurorisë, ka kryer veprime të turpshme ndaj një fëmije 5-vjeçar, duke e prekur në mënyrë të vazhdueshme në organet gjenitale. Burime zyrtare të gjykatës së kryeqytetit thanë se hetimi i kësaj çështje ka përfunduar dhe se dosja është dërguar për shqyrtim gjyqësor nga togat e zeza. Sipas burimeve, Prokuroria e Tiranës ka depozituar në gjykatë dosjen në ngarkim të shtetasit Pjetër Ndrevata. Sipas prokurorisë, Ndrevata akuzohet për veprën penale të “veprave të turpshme”. Në Gjykatën e Tiranës, kjo çështje mban numrin 1471, ndërsa shorti ka përzgjedhur gjyqtaren Antonela Prendi për shqyrtimin e saj. Mësohet se ende nuk është caktuar seanca e parë e nisjes së këtij gjykimi. Pjetër Ndrevata, i lindur në Tropojë dhe banues në zonën e Shkozës në Tiranë, u arrestua nga policia e kryeqytetit më 9 shkurt të këtij viti. “Arrestimi i tij u bë mbi bazën e një kallëzimi penal të kryer nga një shtetas 38-vjeçar, i cili ka deklaruar se Pjetër Ndrevata ka kryer vepra të turpshme, me fëmijën e tij 5-vjeçar, në banesën e tij”, tha zyrtarisht policia ditën e arrestimit. Referuar kallëzimit në polici, i pandehuri Ndrevata ishte fqinj i familjes së të miturit. Duke shfrytëzuar një moment kur i mituri ndodhej vetëm, 60-vjeçari e ka ftuar atë në shtëpi. Pasi e ka futur në ambientet e brendshme të banesës, dyshohet se ai ka filluar të prekë të miturin në vendet intime të trupit. Ndërkohë që pas reagimit të fëmijës, i cili ka kërkuar të largohet, i pandehuri Ndrevata e ka lënë atë të lirë. Mësohet se ka qenë i mituri ai që ka sinjalizuar prindërit e tij, mbi atë që i kishte ndodhur me të dyshuarin për ngjarjen. Fillimisht prindi i të miturit është përballur me fqinjin e tij Ndërvata, ndërsa ky i fundit nuk ka pranuar asgjë në lidhje me abuzimin ndaj fëmijës. Në vijim, babai 38-vjeçar i fëmijës, është drejtuar në organet e Policisë së Tiranës, për të bërë një kallëzim penal ndaj fqinjit të tij për veprime të turpshme ndaj djalit 5-vjeçar. Referuar kodit të procedurës penale, “kryerja e veprave të turpshme me të mitur që nuk kanë arritur moshën katërmbëdhjetë vjeç, dënohet me burgim gjer në pesë vjet”. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›