Gjobëvënia në Lezhë,9 muaj burg autorit
TIRANE – Gjykata për Krimet e Rënda përfundoi dje shqyrtimin gjyqësor ndaj një personi të akuzuar për “shtrëngim me anë të kanosjes, ose dhunës për dhënie pasurie” dhe “kundërshtim i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”. Referuar vendimit, i pandehuri Roland Marku, u dënua me 2 vjet heqje lirie dhe me 4 milionë lekë gjobë. Për shkak se në shqyrtimin e dosjes në ngarkim të Markut, gjykata zbatoi procedurën e gjykimit me kohë të shkurtuar, në vendimin përfundimtar, i pandehuri përfiton uljen e një të tretës së dënimit. Ngjarja për të cilën u dërgua në gjykatë si i pandehur Roland Marku, ka ndodhur më 26 nëntor të vitit 2009. Sipas prokurorisë, pak orë pas mesditës së kësaj dite, Marku ka shkuar në shtëpinë e një të afërmi të tij, P.M. në fshatin Kune të Lezhës. Po sipas akuzës, Marku i ka kërkuar të afërmit të tij një shumë parash prej 2 mijë eurosh. Teksa ka parë që kërkesa e tij nuk po pranohej nga kushëriri, Marku e ka kërcënuar atë. Mësohet se i pandehuri Marku, i ka pohuar të afërmit se do t’i merrte jetën e së bijës, nëse nuk i jepte shumën e kërkuar. Ndërkohë, nga familjarët e P.M. është lajmëruar policia. Pas mbërritjes së policisë, situata është normalizuar, ndërsa Marku nuk ka pranuar që të shoqërohej në polici. Ai ka kundërshtuar punonjësit e rendit, duke mos pranuar që të hipte në furgonin e policisë. Në vijim, ai u hetua nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” për veprat penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe për “kundërshtimin e punonjësit të policisë së rendit publik”. ar.ba