Për transparencë, nuk duhet prepotencë
Demokracía është humanizëm. Ligji i saj është “gardiani” i lirísë. Ambicia për pushtet nuk duhet të kalojë aspiratat paqësore. Inati është dëmi i kokës. Barrikadat janë dëshpërími i ambicieve të thyera. Demokracia nuk pajtohet me urrejtjen. Forca e ligjit i qetëson kokat e nxehta. Asnjë lumturí nuk arrihet mbi poshtërímin e të tjerëve. Vetëflijimi duhet të sublimojë shpirtin paqësor. Kush mendon për të mirën e Shqipërísë, duhet të heqë dorë nga interesat meskine. Aty ku mungon sinqeriteti, çdo konsensus është hipokrizi. Kush tenton t’ia imponojë qëndrimin e vet kundërshtarit, synon të gatitë vjedhje të sofistikuara votash. Njerëzit nuk besohen nga fjalët, por nga ato që bëjnë. Politika që sajon konflikte, s’mund të jetë për të mirën e vendit. Mjerë kush u beson atyre që fshehin qëllimet e shëmtuara prapa fjalëve të bukura!
Edvin Rama e ka futur veten në qorrsokak. Ndoshta prandaj ulërin dhe kundër atyre që ia duan të mirën. Ky stalinist, përbën një rrezik serioz për vetë PS-në. Përfaqësues i një force, që duhet vetëm të pendohet për të kaluarën kriminale, Ramës nuk i lejohet të përdorë gjuhën e dhunës. Nuk reformohet politika e një partie duke “vjedhur” slogane të bukura të demokracísë. Askush nuk mund t’i besojë atij që ruan paragjykime klasore. Kush kërkon pushtet me “dajak”, le të presë bumerangun e tij. Nuk ka njeri që nuk lartësohet, kur tërhiqet nga një rrugë e gabuar. Tani Rama ka probleme vetëm me elektoratin e vet, të cilit i krijoi iluzione për privilegje të arritura me “arsyen e forcës”. Nga “krokodíli” i Strasburgut duket sikur Rama ka ardhur më i zbutur. Por ai është ngatërruar me këmbët e veta. Klithmat e tij për “mosbindje civile” e ndjekin pas duke e penguar të hyjë në altarin e përkushtimit ndaj aspiratave madhore të vendit. Prandaj burri i shtetit lypset më parë të mendojë daljen para se të shpallë hyrjes në “shpellën” e lumturísë kolektive. Ai që bindet të vetëflijohet, kur arrin të zhgënjehet, i bëhet kundërshtar frymëzuesit të tij. Rama ka hyrë në konflikt me ithtarët e vet. Atë që ta bën vetja, thotë populli, nuk ta bën kush. Taní Ramës i duhet të paguajë më shumë, sesa iu desh kur hyri në vallen e marrjes së pushtetit me “kobure”. Lëngon sot i gjori Ramë të justifikojë flijimin e të tjerëve për të. Se është një ligj i pashkruar që, kush sakrifikon, pretendon. Askush nuk i kërkon sot më shumë llogarí “revolucionarit” Ramë, sesa ata që iu përkushtuan kauzës së tij imagjinare !...
“Transparencë” kërkoi tërë kohën edhe Enver Hoxha. Prandaj kërkoi t’i bënte të gjithë shqiptarët hafíje. Me transparencë false ai synoi të garantonte pushtetin. Mirpo, sa më shumë i detyroi njerëzit me “kopaçe” të tregoheshin ndaj tij të sinqertë, aq më tepër këta detyroheshin ta gënjenin. Asnjëherë prepotenca nuk ka prodhuar harmoní sociale. Si pinjoll i një kaste, që i gjunjëzoi shqiptarët për “kauzën” e saj, Rama mendon t’i bindë ata të urrejnë integrimin e tyre në B.E. !
Ashtu si Enver Hoxha i cili, sa më tepër u përpoq të garantonte pushtetin duke i detyruar shqiptarët të denonconin njëri-tjetrin, aq më shumë i nxiti ata që ta urrenin. Edvin Rama gaboi kur i detyroi militantët e vet të vetëflijoheshin për ambiciet e tij meskine. Tani që u bind për rrugën e gabuar që zgjodhi, tenton të justifikojë veten me përrallën e fitores së grevës së urísë. Por kjo po ia zbulon synimet e ulta, gjithë problemet që ai ka me veten dhe partinë. Se Rama nuk është njerí që çmon vlerat. Nuk mund t’i çmojë ato kush mendon se ka të drejtë, edhe kur të gjithë e këshillojnë që i ka hyrë detit këmbë. Prandaj, sa më tepër përpiqet të mbrojë rrugën e gabuar, aq më shumë shpalos që “kauza” e tij ishte një synim madh për të arritur një ambicie të vogël. Rama është bërë qesharak, edhe sepse po merr poza prej liberali, kur nuk heq dorë nga absurdi se zgjedhjet i ka fituar. Ndonëse përpiqet ta fshehë pendesën për “krizën” që sajoi, ai s’u shmanget dot akuzave të njerëzve të vet. Sejmenët që e ndoqën në aksionin e tij “revolucionar”, nuk e lënë të mbajë qëndrim tjetër nga ai i premtuari në fillim. Ndoshta prandaj Rama e kërkon me prepotencë “transparencën”. Ky ithtar i shtirë i konsensusit e i mirëkuptimit; ky frymëzues i “transparencës” po tenton të bindë edhe veten, elektoratin e vet dhe botën mbarë se në misionin e tij të shenjtë për votën e lirë e pengoka gjoja vetëm mazhoranca. Dhe sa më shumë kjo e fundit i krijon hapësira të dalë nga qerthulli, ku e ka futur veten, aq më tepër ky “drejtues” i çoroditur tregon se është gati i pandreqshëm në synimet e tij të mbrapshta për pushtet me çdo kusht. Dhe duket sikur anarkisti i hershëm Ramë nuk i përket më vetes. Sikur të tjera forca e komandojnë. Të tjerë “dinozaurë” i kërkojnë t’i shkojë deri në fund marrëzisë së tij prej deliranti. Dhe qyqari Ramë ka arritur deri aty sa ta përfytyrojë dhe vetë demokracinë si sistemin e mohimit të ligjit. E shkeljes së vendimeve që merren me konsensus të plotë. Sepse edhe nenin 178, që e ka miratuar me konsensus vetë, kërkon të mos e njohë. Të mos zbatohen të gjitha ligjet dhe Kodet, që e pengojnë atë t’i shkojë deri në fund idiotësisë. Përpjekjet e tij për arritjen e “transparencës” me prepotencë po e shpien në epilogun qesharak të paraardhësve të tij “revolucionarë”. Por le t’i kujtojmë këtu vetëm fjalët e një mendimtari të shquar: “Kurrë nuk mund ta ndalë vrapin e zjarrtë të një kali pickimi i një mize !”!...