Bijtë protestantë
Është e çuditshme se si dje në paraqitjen e tyre filmat që vinin nga kontinentet më të largëta nga njëra-tjetra flisnin në një gjuhë - filmat me metrazh të shkurtër me angazhim social rrihnin brenda familjes, më ngushtë në marrëdhëniet mes prindërve dhe fëmijës.
Ndërsa nuk shkonin më shumë se 10 minuta, filmat e seksionit të djeshëm, paradite, ishin absolutisht metaforikë. Gjuhë e pakët ku veprimi i xhirimeve sa një realitet, gati natyral, shkonte në një simbolikë të lartë ndjeshmërie. Një lloj proteste që regjisorët e kishin sidomos ndaj baballarëve, ku nuk rrekshin të zinin familjen. Por të hynin në një botë të pashpjegueshme psikologjike për të cilën nuk është shkaku më boshllëku mes brezave. Regjisorët duket se lëshojnë alarmin, duke na përgatitur për një botë patologjike. Baballarë që vuajnë psikologjikisht, që mbyten në drogë, që divorcohen, që rrahin e dhunojnë gratë, dhe që lodhen me shpejt se ç’duhet nga fëmijët e tyre të vegjël, pa mundur t’i plotësojnë dëshirat.
Filmi “Vizat e bardha”, me regji të Shimon Shai, është nga ato raste tipike ku babai është një dhunues, që nuk mbjell dashuri, që prej fëmijëve merr vetëm urrejtje të fshehtë. Është një histori tepër e thjeshtë, ku djali i madh, Gili, sheh babanë që i heq familjes së tij gjithë vitalitetin, që poshtëron mamanë dhe vëllain e vogël. Udhëtimi në shkretërore është befasia që ndryshon jetët, ku aksidentimi i babait u sjell fëmijëve sa frikë, aq dhe një farë “kërkese” të frikshme që ai të vdesë. Ku kjo ndodh, realisht fëmijët arrijnë simbolikisht të nxjerrin gjithë këtë konflikt. Regjisori përdor shenja të gjakut, thyerje xhamash, pezm jotrishtues në sytë e fëmijëve, për të kuptuar çfarë ndodh në këtë botë marrëdhëniesh.
Ky film është produksioni i tretë për regjisorin nga Izraeli, me të cilin ka fituar dhe çmimin për filmit më të mirë të shkurtër në festivalin ndërkombëtar të filmit, organizuar në Izrael, në vitin 2006.
Edhe filmi me metrazh të shkurtër, “Udhëtimi” me regji të Harry Wootliff, nga Amerika, që shënon në CV-në e saj shumë pjesëmarrje nëpër festivale, sjell këtë film në Tiranë me një tregim emocional se çfarë ndodh kur një baba përpiqet të bëjë gjënë e duhur për dy vajzat e tij, por zgjedh rrugën më të gabuar për to. Reagimi fëminor del po aq i natyrshëm, duke rebeluar instinktivisht.
“Gjyshi Forst” është ironik për mënyrën se si regjisori slloven, Darko Sinko, përfytyron një imazh marrëdhëniesh. Jemi në Slloveni në një ditë dhuratash. Në takimin me prindër flitet se si do t’i surprizojnë fëmijët me dhuratat që do t’ju sjellë “amerikani”, “kapitalisti”, “babagjyshi i vitit të ri” apo “komunisti”. Gjyshi Forst është gjetja. Por fëmijët karshi baballarëve janë krejt indiferentë. Është një moment reflektimi ku dhuna sërish del zgjidhje për mosbindje, ndonëse jo në gjithë trajtesën e filmit.
Në 15 minuta metrazh filmik, fëmijët i kundërvihen botës sunduese dhe egoiste të baballarëve, e cila është rruga më e shkurtër e tyre për të mos prishur rehatinë nga fëmijët. Njëkohësisht filmi nën titra zbulon dhe një të ardhme të përditshme të qytetit multietnik të Velenjës, prej vendit nga është regjisori Darko Sinko, një autor i rrahur me kinemanë përmes disa filmave me metrazh të shkurtër, dhe pjesëmarrje në festivale ndërkombëtarë si në St. Petërburg dhe në Bejrut në konkurrimin e të rinjve.
Mund të imagjinohet mjaft lehtë dhe të krahasohet me një vend të izoluar malor të vendit tonë, fshati që ka zgjedhur regjisori Ahmed Golzarian për filmin e tij “Problemet e pakalueshme”. Një vend i mbushur me dëborë, ku njerëzit nuk marrin vesh ç’bëhet në këtë shekull, ku për besimin vritet dhe në anën tjetër paradokset ndjekin këtë zonë të thellë malore të Iranit. Ndonëse jep përshtypjen e një vendi turistik, më shumë për regjisorin ka rëndësi fakti se si një djalë i ri aspiron të gjenerojë në një jetë të vdekur, jetën e gjallë. Me këtë film Golzarian është selektuar në festivalin ndërkombëtar të filmit të shkurtër që organizohet në Gjermani.
Në Kurdistan të Iranit ku nuk ka asnjë televizion, një djalë i ri merr një dyqan me qira dhe kërkon të informojë fshatin për teknologjinë e re, për botën se si po ecën. Por kjo tentativë ndërpritet nga paragjykimet kur edhe babai i tij shkatërron çdo ëndërr të djalit. Duket se kjo është era e re e kinematografisë si lëndë për subjekte jo të forta, por me ndjeshmëri drejt realizmit duke tentuar të hyjnë në një marrëdhënie të vështirë siç është kjo e natyrës djalë-baba.