Tiranë, tre persona në prangat e policisë
Policia e Tiranës ka arrestuar një 30-vjeçar, i cili ka qëlluar me armë në kryeqytet. Forcat e komisariatit të policisë nr. 3 morën njoftimin se një person ishte duke prishur qetësinë publike. Menjëherë ato kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë kryer arrestimin e Flamur Çulhajt. Ky i fundit ishte në gjendje të dehur dhe po qëllonte me pistoletën e tij të punës. Sipas policisë, ai ishte punonjës pranë SHRSF “Pelikani”. Në prangat e forcave të komisariatit nr. 3 ranë edhe dy vëllezër, të cilët akuzohen se kanë ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë. Uniformat blu kanë arrestuar në flagrancë Albert Muratin, 25 vjeç dhe Fatmir Murati, 20 vjeç, të dy të lindur në Tropojë dhe banues në Babrru. Shtetasi Albert Murati ishte shpallur person në kërkim nga komisariati i policisë nr. 4 për veprën penale “plagosje e lehtë me dashje”, pasi në datën 24.11.2008, rreth orës 21:30, në rrugën “5 Maji”, për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasen L. Sh., 39 vjeçe, banuese në Tiranë. Ndërsa shtetasi i dytë është prangosur pasi ka kundërshtuar me forcë dy punonjës policie.