Fullani: Të rritet kredia bankare ndaj privatit
Kjo sjell integrim të vendeve të Mesdheut me ekonominë globale
Mblidhen në Egjipt Bankat Qendrore të Eurozonës e Mesdheut
Sektori privat duhet të mbështetet më shumë me kredi nga bankat e niveleve të dyta. Rritja e kredisë bankare ndaj sektorit privat do të sjellë më tej zhvillim të ekonomisë. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka deklaruar se është e domosdoshme të rritet më tej përdorimi i kredisë bankare nga ana e sektorit privat, pasi vetëm kështu do të mundësohet rritja e prodhimit dhe integrimi i mëtejshëm i vendeve të Mesdheut me ekonominë globale. Këtë deklaratë Guvernatori Fullani e bëri gjatë një takimi me Bankat Qendrore të Eurozonës dhe Mesdheut të zhvilluar në Egjipt. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zoti Ardian Fullani, mori pjesë në seminarin e pestë Euro-Mesdhetar të rangut të lartë, i cili i zhvilloi punimet në Aleksandri (Egjipt), në datën 27 nëntor 2008. Ky forum i përvitshëm, i cili ul në një tavolinë bisedimesh përfaqësues të Eurosistemit me bankat qendrore të rajonit të Mesdheut, jo anëtare të Eurozonës, u organizua bashkërisht nga Banka Qendrore e Egjiptit dhe Banka Qendrore Evropiane (BQE). Në këtë takim morën pjesë drejtues të lartë të bankave të Eurosistemit, përfshirë zotin Jean-Claude Trichet, President i BQE-së, zotin Lorenzo Bini Smaghi, anëtar i Bordit Ekzekutiv të BQE, si dhe guvernatorë apo përfaqësues të lartë të bankave qendrore të Austrisë, Belgjikës, Qipros, Finlandës, Francës, Gjermanisë, Greqisë, Irlandës, Italisë, Luksemburgut, Maltës, Holandës, Portugalisë, Sllovenisë, Spanjës, Algjerisë, Egjiptit, Izraelit, Libisë, Libanit, Mauritanisë, Marokut, Autoritetit Kombëtar të Palestinës, Sirisë, Shqipërisë dhe Turqisë. Pjesëmarrës në këtë takim ishin dhe përfaqësues të Komisionit Evropian dhe të Bankës Evropiane të Investimeve. Seminar i pestë konfirmoi angazhimet e mëparshme të një forumi të rregullt periodik, në të cilin merr jetë një dialog aktiv dhe i vazhdueshëm mbi çështje me interes të përbashkët midis vendeve të Mesdheut. Këtë vit seminari u përqendrua në zhvillimet ekonomike dhe financiare të kohëve të fundit që po karakterizojnë ekonomitë e Zonës së Mesdheut, në strategjitë e politikave monetare dhe përshtatshmërinë e kurseve të këmbimit, si dhe në tendencat e fundit të sektorit bankar, me një vëmendje të veçantë mbi ndërlikimet që vijnë nga kriza globale financiare. Banka e Shqipërisë mori pjesë për herë të parë në këtë aktivitet, ndërkohë që të gjithë të pranishmit mirëpritën propozimin e bërë nga organizatorët për përfshirjen e vendit tonë në takimet e ardhshme të këtij forumi, me të drejta të plota. Në fjalën e tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, njohu të pranishmit me zhvillimet më të fundit ekonomiko-financiare në vend, duke u ndalur në veçanti në situatën e sistemit bankar në Shqipëri. Duke qëndruar në të njëjtën linjë me daljet e tij kohëve të fundit në publik, z. Fullani theksoi se sistemi bankar në Shqipëri nuk rezulton i prekur nga turbullira ndërkombëtare, ndërkohë që rreziqet për të ardhmen më së shumti qëndrojnë mbi aktivitetin e ekonomisë reale.
BOX
Një delegacion polak viziton Bankën e Shqipërisë
Bankën e Shqipërisë e vizitoi dje një delegacion polak i përbërë nga Presidenti i Bankës Kombëtare të Polonisë, z. Stawomir Stanislav Skrzypek, nga Drejtorja Përfaqësuese e grupit Shqipëri–Bullgari–Poloni në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), znj. Krystyna Gawlikowska – Hueckel, si dhe drejtori i Departamentit Ndërkombëtar në Bankën Kombëtare të Polonisë, z. Romuald Szymczak. Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të nxitjes së marrëdhënieve të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Shqipëria është anëtare e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim që prej vitit 1992. Deri në janar 2008, BERZH ka ofruar asistencë financiare për Shqipërinë për rreth 40 projekte, të cilat kapin një shifër prej 1.2 miliard eurosh. Nëpërmjet investimeve të saj, ajo ka inkurajuar zhvillimin e sektorit privat, forcimin e institucioneve financiare, përforcimin e sistemit ligjor dhe zhvillimin e infrastrukturës në vend. Guvernatori bëri një përshkrim të kuadrit të politikës monetare në Shqipëri dhe theksoi rolin e Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Presidenti Skrzypek kërkoi një bashkëpunim më të madh midis dy bankave qendrore në fusha me interes të përbashkët, si analiza dhe parashikimet makroekonomike, kërkimet etj. Ndërsa, znj. Krystyna Gawlikowska – Hueckel vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria vitet e fundit, sidomos në drejtim të zbatimit të reformave ekonomike strukturore dhe sektoriale, të cilat kanë ndikuar në krijimin e një ambienti atraktiv për investitorët e huaj.