Vrasja e Dorzit, krimi me pagesë
Policia dyshon se krimi i të dielës në mbrëmje, është kryer kundrejt një shume të majme. Shoqërohen 30 persona në polici
40- vjeçari i vrarë në një lokal në Yzberish ruhej me kujdes dhe nuk shfaqej në publik prej kohësh
TIRANË- Shkëlqim Dorzi i vrarë dy ditë më parë, prej 4 apo 5 muajsh nuk ishte parë të lëvizte në Yzberish që nga koha, kur atij i ishte përgatitur një atentat me tritol të cilën ia kishin vënë poshtë automjetit të tij vetëshkarkues të gatshëm për të shpërthyer.
Kështu të paktën thonë banorë të Yzberishit, të cilët tregojnë se ai prej muajsh nuk shihej të lëvizte apo të qarkullonte në zonë prej shumë kohësh, për shkak të frikës së ndonjë atentati. Ky fakt përforcohet edhe nga fakti se viktimës iu gjet me vete edhe një pistoletë, nga policia në vendin e ngjarjes.
Ndërkaq më tepër se një ditë pas vrasjes policia ka ngritur dyshime konkrete në lidhje me ngjarjen, ndërsa në ambientet e Drejtorisë së Policsë së Tiranës dhe të komisariatit të Policisë nr.6, janë shoqëruar më tepër se 30 persona në cilësinë e personave që kanë dijeni mbi rrethanat e ngjarjes.
Nga mbledhja e këtyre dëshmive, si dhe nga rrethanat e krimit, kur një person me motor qëlloi dy herë me plumb pas koke Dorzin, specialistët e Zyrës së Hetimit të Vrasjeve kanë ngritur dyshimin se krimi mund të jetë një veprim i kryer me pagesë. Sa i përket motiveve të krimit, policia nuk ka dyshime se ajo ka pasur si qëllim hakmarrjen, duke pasur parasysh të kaluarën jo fort të pastër të viktimës së paku sipas saj.
Në deklaratën e saj zyrtare, policia pohoi se Dorzi ishte dënuar më parë dy herë për grabitje me armë, ndërsa është klasifikuar si një nga anëtarët e bandës së Yzberishit, së cilës në periudhën e trazirave '97- 98, i janë faturuar shumë krime kryesisht grabitje dhe vrasje.
Po kështu policia ka mbajtur parasysh edhe faktin se rreth 10 vite më parë, viktimës i është vrarë edhe i vëllai i tij në një pritë. Për këtë shkak policia ka kryer disa kontrolle banesash në shtëpitë e personave, me të cilët ka pasur konflikte dhe probleme Shkëlqim Dorzi, ndërsa ende nuk ka një version zyrtar të policisë mbi autorët e mundshëm të krimit.
Në lokalin ku u vra me një plumb pistolete pas koke, Dorzi kishte vajtur për herë të parë ditën që u vra dhe nuk e kishte frekuentuar prej kohësh. Një fakt i tillë është pohuar nga vetë personat që shërbejnë në lokalin ku ndodhi ngjarja e rëndë.
"Shkëlqimi, nuk lëvizte shpesh si në rrugët e Yzberishit, ashtu dhe nuk qëndronte as në lokalet e zonës, i vetëm apo i shoqëruar me të tjerë, - rrëfen një grua që punon në lokalin ku u vra Dorzi 40 vjeç.
Nga frika e ndonjë atentati tjetër ndaj tij, Shkëlqim Dorzi mbante me vete dhe një armë zjarri pistoletë, që iu është gjetur e fshehur në trup gjatë kontrollit që i është bërë pas vdekjes.
Sipas burimeve zyrtare të Policisë së kryeqytetit, vrasja është kryer me paramendim, nisur nga fakti se ndaj viktimës janë ndërmarrë dhe dy herë të tjera sulme, me qëllim ekzekutimin e tij.
Dorzi i shpëtoi atentatit me tritol në nëntor
Shkëlqim Dorzi, një person jo i panjohur për policinë i shpëtoi mrekullisht një atentati në muajin nëntor të vitit të kaluar, ndërsa dy vite më parë ai mbeti i plagosur gjatë një prite me armë, ku mbetën të vrarë Festim Hoxha dhe taksisti Thoma Bimo.
Ngjarja ndodhi në rrugën "Konferenca e Pezës", pranë ish-kombinatit "Misto Mame", tek një lavazh, ngjitur me një karburant, kur u konstatua edhe sasia e eksplozivit. Policia tha se mjeti me karroceri vetëshkarkuese, me targa TR7623 N, në pronësi të Dorzit, 47 vjeç, kishte pasur në pjesën e poshtme një sasi eksplozivi.
Ndërkaq pas çaktivizimit, policia nisi hetimin, ndërsa dyshimet e saj ranë mbi të kaluarën e tij. Sipas hetuesve, shpërthimi ishte përgatitur të ndodhte në momentin e ngritjes së karrocerisë, por që për fatin e Dorzit, nuk ndodhi duke bërë që të kalonin edhe 6 muaj të tjerë për të pritur atentatin e dytë.