E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bilanc lufte me viktima

 Vrasjet dhe aksidentet që po shndërrohen në statistikë për policinë kohët e fundit, vazhdojnë të rriten dita ditës, ndërsa bilanci i ngjason asaj të luftës.

Mëngjesin e sotëm në fshatin Mardhnac të komunës Qelë në Pukë, dy vëllezër u vranë me breshëri armësh, ndërsa një grua, bashkëshortja e njërit prej viktimave mbeti e plagosur rëndë. Nga ngjarja humbën jetën shtetasit Hilë dhe Paulin Marku, 50 dhe 40-vjeç, ndërsa është plagosur njëra prej bashkëshorteve të tyre.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur për një vijë uji për vaditje. Policia ka identifikuar autorët që janë nga një familje tjetër. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe policia e Qarkut të Shkodrës kanë shkuar në vendin e ngjarjes, duke rrethuar fshatin për të arrestuar autorët. Pak orë më vonë, në prangfat e policisë përfunduan shtetasit Fatbardh dhe Frank Pëmakaj, banues në të njëjtin fshat.

Dy të vdekur në Fushë Krujë

Mesditën e sotme, dy persona humbën jetën në një aksident rrugor në Fushë Krujë, në rrugën e njohur tashmë si “Rruga e Vdekjes”, ndërsa një i tretë mbeti i plagosur. Ngjarja ndodhi kur një automjet tip Ferrari është përplasur fort murin ndarës të rrugës, duke lënë pas dy viktima.

Policia i identifikoi viktimat pak minuta më vonë dhe ata janë shtetasit Roland Danga, 35-vjeç dhe Agim Pali, 40-vjeç, ndërsa i plagosuri është shtetasi Armand Danga, 18-vjeç. Në vendin e ngjarjes po kryhen hetimet, ku paraprakisht thuhet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara.

Aksidentohet autobusi me turistë

Në rrethin e Shkodrës, një autobus me turistë nga Mali i Zi u përfshi në një aksident rrugor, fatmirësisht pa viktima. Ngjarja ndodhi në aksin Shkodër-Hani i Hotit, në vendin e quajtur Shtoj i Ri. Autobusi me turistë dhe me drejtues një shtetas malazez, u përplas me një furgon me drejtues një shtetas nga Shkodra.

 Autobusi doli nga rruga duke u përplasur me një mur rrethues, ndërsa furgoni është rrotulluar në rrugë. Turistët u nisën me një autobus tjetër në drejtim të Selanikut në Greqi, ndërsa shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë humbja e kontrollit nga drejtuesi i furgonit për shkak të mungesës së sinjalistikës në rrugë.

I moshuari përplaset nga një automjet

Një tjetër aksident u regjistrua në rrugët e Shqipërisë, kësaj here në Tiranë, kur një i moshuar u godit nga një automjet tip Seat. Ngjarja ndodhi në afërsi të Ministrisë së Mbrojtjes, kur 82-vjeçari Spiro Peçaj, u përplas nga automjeti teksa po kalonte rrugën. Ai ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Drejtuesi i mjetit u shoqërua në polici ku po pyetet rreth aksidentit. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2012-06-29 13:09
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›