E Shtunë, 31 Tetor 2026

5 vite burg gjithsej për 8 komisionerët e Dajçit

Gjykata e Shkallës së Parë ka dënuar me nga 8 muaj burg, 7 komisionerë, ndërsa i teti është dënuar me 4 muaj burg, shtetas Gentian Kovaçi.

Shtatë të dënuarit e tjerë janë Lulzim Paloka, kryetar i Komisionit Zonal Zgjedhor, Ndoc Marku, Mark Kola, Zef Gjoni, Pjeter Marku, Pal Prendi, dhe Gent Marku. Ata u shpallën fajtor për 109 falsifikime, duke votuar për persona që kanë rezultuar jashtë vendit në ditën e zgjedhjeve vendore të 8 majit të vitit të shkuar.  

Pretenca e Prokurorisë

Më 16 qershor, Prokuroria dha pretencën, duke kërkuar 15 vite burg gjithsej për 8 komisionerët. Prokuroria kërkoi 2.8 vite burg dhe gjobë 300 mijë lekë për Gent Markun, i cili kishte kryer më shumë falsifikime. Prokurori kërkoi shpalljen fajtor të kreut të komisionit të votimit nën siglën e PD-së, Lulzim Paloka dhe dënimin e tij me 2 vjet burg. Për nënkryetarin e komisionit të votimit, Ndoc Marku, i PS-së u kërkua 1.4 vite burg, për sekretarin e komisionit, Mark Kola, i PS-së, 2 vjet, për komisionerin e PBDNJ-së Zef Gjoni, 1.8 vite burg, shpalljen fajtor të komisionerit të LSI-së, Pjetër Marku dhe dënimin e tij me 1.8 vite burg.

Gjithashtu, Prokuroria kërkoi shpalljen fajtor të komisionerit të PD-së, Pal Prendi dhe dënimin e tij me 2 vjet burg, ndërsa për komisionerin e PD-së, Gentian Kovaçi, 1.8 vite burg. Ndërkaq, për të gjithë komisionerët u kërkua edhe një gjobë 300 mijë lekë për secilin. Shpallja fajtor e komisionerëve është referuar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikim të dokumenteve dhe rezultatit të zgjedhjeve”. /Start/

                                                                                             2012-06-29 11:12
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›